Basha: “Qeveritë demoratike shërbejnë sipas ligjit dhe kushtetutës, nuk i sfidojnë ato për megallomani udhëheqje”
Basha, liderëve në PPE: “Mbështesni statusin kandidat të Shqipërisë, monitoroni praktikat antiligjore të mazhorancës!”
Kryetari i opozitës Lulzim Basha mori pjesë në samitin e Partisë Popullore Europiane. Në nisje të samitit, kryetari në detyrë i PPE dhe kryetari i grupit të PPE në Parlamentin Europian, z. Joseph Daul ka bërë prezantimin formal të kryetarit të ri të PD, Lulzim Basha. Në bisedat që zoti Basha zhvilloi me personalitete të larta të BE dhe drejtues të qeverive pjesëmarrëse në këtë samit, si presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barosso, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeldt, zëvendës-kancelari austriak, Michael Spindelegger, kryeministri i Hungarisë, Victor Orbán, kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, zëvendës-kryeministri italian Angelino Alfano etj, u ka kërkuar mbështetje për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në muajin dhjetor, sikundër i ka garantuar se opozita do të bëjë gjithçka, për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim.
“Kam kërkuar pikë së pari mbështetjen nga të gjithë partitë simotra në pushtet, duke nisur me kancelaren Merkel dhe më të gjithë udhëheqësit e tjerë të qeverive apo koalicioneve të djathta në BE, për të konfirmuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për statusin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE si dhe vendosmërinë e PD, që edhe në opozitë të vazhdojë të kontribuojë në të gjithë forcat dhe mënyrat, për përshpejtimin e trajektores europiane të vendit dhe hapin tjetër në këtë trajektore, që është hapja e negociatave”
Zoti Basha i ka njohur drejtuesit e qeverive të vendeve anëtare të BE dhe krerëve të Unionit Europian me situatën në Shqipëri, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në shpërfilljen që mazhoranca po i bën shtetit ligjor, vlerave të gjithpërfshirjes dhe dialogut.
“Në takimet dypalëshe bëra një prezantim të situatës politike në vend, veçanërisht për shqetësimet tona edhe në këtë fazë të hershme të mazhorancës së re, për shpërfilljen totale të parimeve të shtetit ligjor, për një fushatë kundër kushtetutës, ligjshmërisë, ligjit, vlerave të konsensusit, gjithpërfshirjes dhe dialogut si dhe për disa prej shqetësimeve që kanë të bëjnë me vijmësinë dhe stabilitetin e administratës publike dhe stabilitetin e trupave të veçantë që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, me zbatimin e ligjit, siç është policia, institucionet e pavarura dhe frymën konfliktuale, në raport me to. Qeveritë e zgjedhura në çdo vend demokratik binden dhe shërbejnë sipas ligjit dhe kushtetutës dhe nuk udhëheqin përtej ligjit dhe kushtetutës. Sigurisht kërkova me forcë mbështetjen për statusin kandidat, si diçka që Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë, që vjen pas një progres-raporti objektiv të Komisionit Europian, progres-raport i cili fotografon periudhën e fundit të qeverisjes së koalicionit të PD. Ky pa dyshim është edhe një hap i cili do të ndihmojë në një vëmendje më të madhe të BE, institucioneve të BE dhe vendeve anëtare, ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri. Këtu, jo vetëm nuk ka asnjë paradoks por ka një vizion të qartë të opozitës shqiptare e cila duke mbështetur dhe konsideruar si jashtëzakonisht të rëndësishëm statusin kandidat dhe procesin e integrimit europian të vendit, jo vetëm vazhdon me koherencë përqasjen që ka pasur edhe në mazhorancë, jo vetëm mbështet një aspiratë e cila mbështetet nga mbi 90 për qind e shqiptarëve por po kështu shtrin shinat e një opozite të fortë modern dhe europiane që shikon edhe procesin e integrimit europian, si një proces që ndihmon në mekanizma të kontrollit, të llogaridhënies së një demokracie parlamentare dhe jo si një proces që përdoret, për të mbajtur peng apo diktuar axhendat e ngushta politike të një partie apo një partie tjetër”.
Ndërsa në takim, çështje kryesore ka qenë kriza ekonomike dhe financiare me të cilën përballet BE, zoti Basha ka shprehur shqetësimin, për faktin se qeveria në Tiranë po minon arritjet ekonomike të vendit dhe po cënon stabilitetin makro-ekonomik.
“Ne lamë një situatë makro-ekonomike të stabilizuar, me rritje ekonomike siç e dëshmon edhe progres-raporti, jo atë rritje që stimuluam në 4 vitet e para të qeverisjes, pasi për shkak të krizës globale që ka mbërthyer edhe Europën, rritja ekonomike ra dhe kjo u ndie edhe në aftësinë e ekonomisë për të prodhuar më shumë vende pune për vit, por e lamë vendin në një situatë makro-ekonomike stabël, çka është më e rëndësishme e lamë vendin në një situatë fiskale dhe financiare stabël, ku borxhi megjithëse u rrit, sikurse u rrit në çdo vend fqinj dhe në çdo vend të Europës, ajo ishte më e ulta në rajonin e Europës Juglindore. Ndërkohë, shohim përsëri, përmes një përpjekje jo transparente, anti-ligjore në thelb siç është akti normativ që diskutohet në Parlamentin e vendit, për të përdorur “muskulin” politik, për të shkatërruar themelet e këtij stabiliteti financiar përmes katërfishimit brenda natës së huasë së shtetit, të cilat për më shumë nuk përdoren siç trumbetohet nga mëngjesi deri në darkë për të likuiduar fatura të papaguara të biznesit, fatura që janë po kështu të planifikuara për vitin në vazhdim por planifikohet të përdoret për shpenzime operative, planifikohet të përdoret për shpenzime qeveritare, shpenzime luksi në një kohë krize, shtim ministrish në një kohë krize dhe çka është më shqetësuese një planifikim me dashje, gjakftohtë i përkeqësimit 4 herë të mbledhjes së taksave, në krahasim me 8 muajt e parë të këtij viti. Pra, qeveria e zgjedhur që zakonisht duhet të mbledhë të paktën njësoj por zakonisht më shumë taksa se qeveria paraardhëse (ky është një rregull thuajse i përgjithshëm i rotacionit normal të qeverive) jo vetëm që nuk e bën këtë por publikisht deklaron se do të mbledhë 4 herë më pak se sa mblodhi qeveria paraardhëse. Kjo natyrisht është një minë me sahat për stabilitetin ekonomik të vendit, për mirëqënien e qytetarëve shqiptarë, për stabilitetin shoqëror të vendit dhe është tërësisht kundër frymës që u diskutua sot, ku në një diskutim të hapur midis organeve të BE, komisionit nga njëra anë dhe Parlamentit nga ana tjetër u vu theksi tek nevoja për disiplinë fiskale, për transparencë, bashkëpunim dhe dialog për çdo çështje që ka të bëjë me shpenzimet, sepse shpenzimet dhe kontrolli i tyre janë një tregues shumë i rëndësishëm i përgjegjshmërisë së çdo qeverie europiane apo kombëtare dhe natyrisht edhe vendeve aspirante, në raport me stabilitetin e vendit, në raport me mirëqënien e qytetarëve”.
Zoti Basha ka bërë të ditur se opozita është e angazhuar të bëjë transparencën e akteve antiligjore dhe antikushtese që ka ndërmarrë qeveria dhe mazhoranca e re, mes të cilëve është dhe akti normativ për buxhetin i cili në kundërshtim me ligjin, i hap rrugë marrjes së borxhit për shpenzime operative dhe jo për investime.
“E gjithë vëmendja jonë si opozitë është të ushtrojmë përgjegjësitë që na ngarkon shoqëria, qytetarët, ligji dhe rregullat e demokracisë. Natyrisht, në këtë kuadër thirrja jonë ndaj çdo institucioni partner, si Banka Botërore apo
Komisioni Europian të jetë e vëmendshme ndaj akteve të papërgjegjshmërisë, aq më shumë në kushtet e mungesës së transparencës dhe ilegjitimitetit, siç është rasti i aktit normativ i cili është në kundërshtim me ligjin e 2009 që e ndalon qeverinë shqiptare të marrë borxh për shpenzime operative, rroga apo për luksin e vet dhe e detyron të marrë borxh vetëm për investime që në fund të fundit i kthehen si vlerë e shtuar ekonomisë dhe qytetarëve shqiptarë. Në këtë kuadër, insistimi ynë është sigurojmë nëpërmjet të gjithë mjeteve, mbikëqyrjes opozitare në Parlament, transparencës para publikut shqiptar, dialogut të përhershëm me qytetarët dhe grupet e interesit, që qeveria e mazhorancës Rama-Meta të ndalë këtë revansh të shfrenuar kundër kushtetutës, ligjit, konsensusit, bashkëpunimit, të vërtetave dhe kundër stabilitetit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë. Ka qenë një punë e vështirë e përditshme, për ta mbajtur Shqipërinë në parametra stabël ekonomikë, për të siguruar që rritja aq sa ishte, 1.7%, 2%, të ishte rritje dhe jo krizë dhe nëse nuk vazhdohet me këtë sens disipline, nëse nuk vazhdohet me këtë sens transparence, madje të përmirësohet më tej se për këtë janë votuar, atëherë vendi rrezikon të zhytet në një krizë të përmasave të paparashikuara, atë që unë dje e quajta para grupit parlamentar, formula dhe përgatitja e krizës “Rama” dhe për këtë siç e thashë, akti normativ është një minë me sahat, është një alarm që bie për të gjithë ne”.