Jam sot këtu  për të shprehur një alarm publik, lidhur me atë që po ndodh me mbylljen e procesit zgjedhor në bashkinë e Vorës.

Megjithëse fitorja e kandidatitit të opozitës është e qartë, ka një përpjekje evidente për ta vjedhur atë në tavolinë nga përfaqësuesit e mazhorancës, kryesisht të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndonëse numërimi i votave për kandidatin përfundoi të hënën në drekë, ka një zvarritje të qëllimshme të procesit të numërimit për këshillin bashkiak, e cila shoqërohet me shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor nga përfaqësuesit e shumicës në KZAZ dhe në tavolinat e numurimit.

Dhe ndërkohë që në KZAZ situata është e nderë dhe përfaqësuesit e PD-së ndodhen vazhdimisht nën presion, në Vorë zhvillohen cdo ditë protesta nga militantë të mazhorancës, që pretendojnë manipulimin e zgjedhjeve nga opozita. Ato udhëhiqen në të gjitha rastet nga drejtues të lartë politikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo është hera e parë në Shqipëri, por ndoshta edhe më gjerë, që pushteti proteston në rrugë, duke akuzuar opozitën se i ka vjedhur votat.

Protestat nisën menjeherë pas daljes së rezultatit për kandidatët, ku përfaqësuesi i opozitës rezultoi fitues me rreth 250 vota. Individë të të gjitha kategorive rrethuan fillimisht KZAZ-në, por pastaj u larguan prej aty vetëm pas ndërhyrjes së ministrit të Brendshëm, për të vazhduar në sheshe të tjera.

Është fare e qartë se LSI shpreson që ta rrëmbejë fitoren e kandidatit të opozitës duke pasur në mëndje shumica të cuditshme, që mund të krijohen në KQZ apo në Kolegjin Zgjedhor, ndonëse nuk ka asnjë argument ligjor dhe provë që të mbështesë pretendimet e saj.

Përfaqësuesit e saj janë shprehur për rreth 500 transferime qytetarësh në 6 muajt e fundit drejt bashkisë së Vorës, por e vërteta është se ato janë gjithësej vetëm 59 raste, që nga janari e këtej, madje njëri prej tyre është edhe i vëllai I kandiatit të LSI-së.  Me kërkesën e mazhorancës për këtë ka nisur një hetim, i cili nuk përbën fare shqetësim për ne. Por dje prokurori i cështjes,Genci Qano, u pa në shoqërinë e zv. ministres së Arsimit, Nora Malaj, e ngarkuara nga LSI për zgjedhjet në Vorë, dhe kjo që sigurisht që është një problem. (Paraqitet foto)

Në këto kushte, Partia Demokratike i kërkon bashkëpërgjegjësve për integritetin e procesit zgjedhor, kryeministrit, Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që të mos e trashin më shumë zullimin në Vorë, sepse nuk do të munden kurrë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve të shprehur qartë dhe prerë atje.

Të heqin dorë sa më parë nga cdo përpjekje të dhunshme apo të paligjshme për ta zvarritur dhe bërë pis procesin e numërimit dhe të ndalojnë protestat e nxitura politikisht dhe të udhëhequra prej tyre. Në rast se sot po protestohet nga qeveria se Partia Demokratike u paska vjedhur votat, nuk është cudi që nesër të kemi protestta në rrugë dhe sheshe, që Shqipëria të mos ketë fare opozitë. Përdorimi i bandave, i policisë dhe i administratës, kërcënimet dhe shantazhet, goditjet e përsëritura ndaj vetë kandidatit Ismaili, gjatë gjithë fushatës, madje edhe në ditën e votimit, edhe pa këto të fundit, do të ngelen një njollë e zezë e këtyre zgjedhjeve. Ndaj boll më!

Ndërkohë, duke i falenderuar për mirëkuptimin e deritanishëm, i kërkojmë misionit të OSBE-ODIHRi-it në Tiranë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin vëmendjen e tyre ndaj asaj që po ndodh aktualisht në Vorë. Përpara të gjithëve ne po përgatitet rrëmbimi i një mandati të opozitës, ndonëse gara është mbyllur dhe fitorja është e pastër. Dhe në rast se kjo ndodh, në Shqipëri, as tani dhe as më vonë, nuk mund të flitet më për zgjedhje.


Deklartë për shtyp e deputetit të PD, Astrit Patozi, 25 Qershor 2015