Jam e ndërgjegjshme që sot mund të jemi ende të entuziazmuar nga vizita e djeshme historike e kancelares Merkel në vendin tonë, e cila sigurisht që duhet përshëndetur. Një vizitë, që përpos kënaqësisë që zakonisht vjen kur një vend i fuqishëm hedh sytë nga ne, duhet të na japë më shumë guximin për të reflektuar mbi atë çfarë jemi, një vend i cili ka statusin e vendit kandidat, pret hapjen e negociatave e ndërkohë që vuan e lëngon, kur sheh eksodin si mënyrë shpëtimi njësoj si 25 vjet më parë. Një paradoks, të cilin ia kujtoi edhe kancelarja Merkel kapitenit të qeverisë .

Përndryshe, do të rifutemi në qarkun e përhershëm të llomotitjeve të pafundme për rritje ekonomike, papunësi në rënie edhe për të gjetur justifikimin e të larguarve nga vendi jonë drejt Gjermanisë me përmasa të afërta me ato të Sirisë, se kanë shkuar në Gjermani për të gjetur punë. E çuditshme, kur në Shqipëri, të paktën sipas ligjërimit qeveritar, ne kemi një rritje të punësimit me rreth 100 mijë të punësuar më shumë. Jemi në vitin e dytë të qeverisjes suaj dhe politika fiskale që keni ndjekur deri më tani kanë qenë ato të rritjes së taksave dhe rëndimit të xhepit të konsumatorit, shtrëngimit të lakut për ekonominë dhe bizneset. Këtë ua kanë kujtuar edhe para dy muajsh investitorët gjermanë, meqenëse kritikat që ju vijnë nga ato që flasin shqip juve përgjithësisht nuk para i pëlqeni.

Ndonëse, dëshmia më e qartë e politikës suaj fiskale reflektohet më së miri, për fatin tonë të keq, në çdo fund muaji ku të dhënat e Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë apo edhe të INSTAT, dëshmojë tollovinë që politikat tuaja bëjnë. Duke thelluar akoma më shumë krizën. Të ardhurat nga tatimi dhe doganat për 5 mujorin janë 11 miliard lekë më pak se sa parashikimi i qeverisë. Për të dytën herë Doganat dështojnë në mbledhjet e të ardhurave duke mbledhur 6.5% më pak se sa viti 2014, pra 28 milionë euro më pak. Justifikimi i drejtorisë së doganave është se kjo rënie vjen si pasojë e rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, duke ngritur kështu një tjetër pyetje; Si ka mundësi që ne si shtet mbledhim më pak të ardhura sepse çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare është i ulët ndërkohë që shpenzojmë më shumë të ardhura nga xhepi jonë sepse çmimi i naftës në vendin tonë është më i larti në rajon?

Madje, vetë zëri i “Taksave Nacionale” që përfshin brenda saj Taksën e Qarkullimit, që vetëm këtë vit u rrit me 10 lek/litër është mbledhur 2.5 miliard lekë më pak se sa parashikimi. Sikundër edhe Akciza e cigares që u rrit për të dytin vit radhazi në 110 lek/paketë rezulton të jetë mbledhur 4.5 miliard lekë më pak se sa plani qeveritar.

Ky pesë mujor është pasqyra e qartë e tollovisë qeveritare që keni katranosur në çorbën rilindase për ekonominë e vendit. Të dhënat dhe shifrat mbi ekonominë dhe afarizmin dëshmojnë qartë se vendi është zhytur në një gjendje kllapie dhe po shpëton jo sepse qeveria po injekton fonde në shërbim të rigjallërimit të jetës, por sepse ajo po tërheq fonde parash në formë borxhi për të mbajtur në këmbë një ekonomi që po e rrënon dita ditës.

Të dhënat që kanë si burim INSTAT flasin për një gjendje anemike të shportës së shpenzimeve, ndërkohë që raporti i Bankës së Shqipërisë përmend me shqetësim se kostot e financimit të sektorit privat dhe publik janë në minimumin e tyre historik. Për të mos përmendur më tej se të ardhurat nga TVSH-ja, që është zëri kryesor në buxhetin e shtetit, shënojnë rënien prej 6.4% apo 3.2 miliardë lek më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Nga krahu tjetër, shqiptarët në pesë muaj kanë paguar 3.2 miliard lekë më pak tatime nga të ardhurat e tyre personale, nga plani që ishte parashikuar për këtë zë në buxhet. Pra, janë mbledhur 22.2% më pak dhe nuk duhet harruar se të ardhurat e 5 muajve të parë të këtij viti janë të niveleve të ngjashme me të ardhurat e arkëtuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke i lënë dy mundësi zgjedhjeje qeverisë; e para të pranojë dështimin e saj fiskal që si pasojë ka sjellë një fshehje të pasurisë apo në rast të kundërt të pranojë dështimin e saj për të prodhuar një ekonomi të shkallës, duke qenë se sot shqiptarët nuk kanë mundësi të paguajnë taksat e larta për një ekonomi kaq të varfër sa kjo e jona.

E gjithë kjo rritje e tmerrshme taksash shoqëruar me parashikimin tejet optimist të qeverisë duhet të kishin sjellë në buxhetin e shtetit një rritje të të ardhurave me së paku 10 përqind. Por, ka ndodhur e kundërta, të ardhurat në total janë 6.7 miliard lekë më pak se sa plani qeveritar, që përkthehet në -4.2% në krahasim me çfarë kishin përllogaritur.

Ajo rritja me 5%, në krahasim me vitin e shkuar, nuk vjen si pasojë e politikave fiskale apo funksionimit të ekonomisë. Kjo rritje në krahasim me vitin e shkuar vjen si pasojë e rritjes së zërit tek Të Ardhurat Jotatimore, apo thënë më shqeto janë sërishmi tarifat që shqiptarët nuk mund t’u shmangen dot që sjellin si pasojë rritjen e të ardhurave.

Peshën më të madhe të rritjes prej 5% sot po e mbajnë në kurriz familjet e varfra, familjet e thjeshta, ato që jetojnë në qytetet që janë shndërruar si geto. Që heqin nga goja e tyre kafshatën e përditshme për të mbledhur paratë që të paguajnë shtrenjtimin me dhjetë fish të Tarifave të Shkollimit, e gjasat janë që ato të paguajnë akoma më shumë përgjatë dy viteve të ardhshme. Kjo është Shqipëria jonë.

Nuk është Shqipëria, përralla e përditshme që dëgjojmë në televizor, ajo e 100 mijë të punësuarve dhe as nuk është vendi jonë në një shpërthim të eksporteve siç ministri gënjente një muaj më parë. Kur, nga kjo foltore plot krenari na foli për një rritje me 11.9% të eksporteve që na rezultoi në të vërtetë jo vetëm që nuk kishim rritje por që fatkeqësisht të kishim patur një rënie prej 4% në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria e shifrave është dëshmia më e qartë e diferencës mes fakteve, të dhënave dhe argumenteve përballë së cilës qëndron qeveria bashkë me shtrembërimin e dhimbshëm të këtij realiteti. Shtrembërim që bie mbi kurrizin e qytetarëve. Pas pak ditësh do të na duhet të flasim mbi ndryshimin e këtij buxheti, i cili nga fjalët e kryeministrit duhet të ishte një buxhet historik. Por që si përherë rezultoi të ishte historik vetëm në ligjërim. Duhet të ndryshojë ky buxhet sepse edhe aktorët ndërkombëtarë si FMN dhe BB kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh mbi mbledhjen e të ardhurave që ka ndikuar drejtë për drejtë në uljen e shpenzimeve qeveritare. Gjatë pesë muajve të parë të vitit është shpenzuar 14 miliardë lekë më pak se sa parashikimi apo thënë më thjeshtë, qeveria ka shpenzuar vetëm 1% të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo reflektohet qartësisht në situatën e dobët të investimeve publike në shërbim të komunitetit.

Pastaj, sikur të mos mjaftonte kjo, buxheti i këtij viti i ka trajtuar shtresat në nevojë si një trup i huaj brenda kësaj shoqërie. Sa që hera herës më duket se qeveria socialiste e cila në programin e saj beson tek pariteti absolut dhe drejtësia sociale, më shumë ka përzemër fasadat institucionale në raste pritje e përcjelljesh se sa këto qytetarë. E meqenëse kam folur shpesh nga kjo foltore edhe për to dua t’ju sjell të dhënat mbi fondet që qeveria ka dhënë për shtresat në nevojë nga Janari deri në Maj 2015.

Sipas këtyre të dhënave, buxheti i shtetit ka akorduar 8.54 miliard lekë për këto shtresa, ku përfshihen zërat e Pagesës së Papunësisë, Ndihmës Ekonomike, Kompensimin për ish të Përndjekurit Politikë dhe Kompensimin për Shtresat në Nevojë. I fundmi prej të cilëve duhet të rimbursonte rritjen e çmimit të energjisë elektrike për këtë shtresë dhe që ironikisht nuk është disbursuar ende, duke mbetur në kuotën e zero lekëve të dhëna nga shteti në favor të personave që energjia elektrike u vjen më shtrenjtë në shtëpi.

Akoma dhe më cinike bëhet situata, kur super buxheti prej kaposhi është shndërruar në një thelë e cila fondin për këto shtresa e ka edhe më të vogël jo vetëm se viti 2014, apo 2013 por edhe se viti 2012 në të cilin fondi i akorduar nga qeveria ka qenë 9.46 miliardë lekë, 920 milionë lekë më shumë të akorduara tre vjet më parë se sa sot. Kur tri vite më parë nuk kemi pasur as çmim më të lartë energjie dhe as fasho për shtresat në nevojë.

Tani, për këtë ka dy mundësi që qeveria bën mirë të na i thotë; Mundësia e parë është që shqiptarët sot të jenë më të pasur se sa dje aq sa ato të mos kenë nevojë për këtë ndihmë ekonomike; dhe mundësia e dytë lidhet me abuzimin qeveritar me fondet e personave më të pamundur. Atyre që ajo u premtoi devotshmëri dhe barazi!

Po. Sigurisht. Keto e më shumë. Taksa të larta por më pak të ardhura, biznese që pushojnë njerëz nga puna, biznese që deklarojnë më pak të ardhura. Investime të huaja në rënie e asnjë investim publik e sigurisht asnjë shpenzim për shtresat në nevojë. Por nga ana tjetër rritje të kontrabandës së duhanit e të karburantit. Po, sot duket se asgjë nuk bën përshtypje e asgjë nuk krijon përshtjellim. E siç duket ky është qëllimi që njerëzit të jenë aq të varfër sa të mos t’u bëjë përshtypje asgjë. Thjesht të jenë në pritje të zgjedhjeve të rradhës me shpresën se do përfitojnë diçka.


Fjala në Kuvend e deputetes të PD, Jorida Tabaku, 9 Korrik 2015