Paturpësisht, Edi Rama, serviri edhe sot propagande, fasade politike, për arritje e suksese në fushën e rendit, ndërkohë që pasiguria e qytetareve po kap majat dhe kriminaliteti është zgjeruar e konsoliduar në rrugë e në zyrat e shtetit.

Propagandë e pështirë, por asnjë përgjigje për skandalin e fshehjes së kërkesës së Interpolit për ekstradimin e deputetit Mark Frroku, aleatit  të Edi Ramës, në shërbim të interesave politike të Edi Ramës.

Më kot presin qytetarët të dëgjojnë nga kryeministri një shpjegim për kanabizimin e krejt vendit, nga veriu në jug nga lindja në perëndim.

Më kot presin qytetarët të dëgjojnë nga kryeministri se përse Shqipëria është rikthyer në rrugët e tregtimit të kokainës dhe heroinës.

Lëvdon Edi Rama ministrin e tij, por nuk jep as më të voglin sqarim se përse Saimiri rrinte me Durimin, në zyrë, në kafe e në zona rezidenciale, kur vetë Ministri e paska pranuar se ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e bankierit Santo.

Qytetarët janë të tronditur nga këto negociata private të Ministrit të Brendshëm me të akuzuarin për vrasje e krime të rënda, ndërsa Edi Rama del e i rreh shpatullat publikisht.

Pakti me krimin ka kapërcyer me kohë moszbatimin e ligjit për trafikantë e banditë të lidhur me qeverinë. Ky pakt i Edi Ramës, i ka dhënë krimit pushtet, zyra, vendimarrje, e ka sjellë krimin në parlament e në krye të bashkive. Për këtë janë të tronditur qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, dhe ky është realitet dramatik për vendin që nuk mbulohet dot nga propaganda bajate, nga i njëjti fjalim; nga fitorja në fitore.

Pikërisht në kohën kur po mbahej kjo shfaqje dixhitale e Ramës, në mes të Ditës, del lajmi se në Rinas një zonë e supozuar si e sigurtë, tre maska shfaqen të armatosura dhe grabisin një makinë.

Pasiguria është kthyer në normë, vrasje, grabitje me maska të tursitëve dhe qytetarëve, aksidente që marrin jetë ndodhin çdo ditë. I vetmi që nuk e sheh këtë situatë është Edi Rama, i cili provokon edhe më shumë shqiptarët duke u rrëfyer atyre një realitet që ata nuk e kanë, nuk e hasin, nuk e jetojnë.

Po tregon forcën çdo ditë ndaj të pamundurve, ndërkohë që gangot e lidhur me qeverinë bëjnë çdo ditë paradë e shtojnë përfitimet e tyre, dhe pasiguria e kriminaliteti njeh vetëm rritje.


Deklaratë për SHTYP e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, 27 korrik 2015,