Deputeti i Edi Ramës, Arben Ndoka ka sulmuar në mënyrë primitive, me fyerje rrugë e me tone banditësh deputetin Genc Pollo pasi përfaqësuesi i Partisë Demokratike ka postuar në rrjetin social faktet e inkriminimit të tij. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë agresion të pashembullt të deputetit të Edi Ramës, i dënuar për trafik prostitucioni e rrëmbim personi. Sigurisht, i zgjedhuri i Partisë Socialiste ka bekimin e Edi Ramës për sulmet që bën ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe ai është përsëritës në këtë drejtim. Por këto janë grahmat e fundit të krimit në parlament e në politikë, pasi Partia Demokratike do ta çojë deri në fund procesin e dekriminalizimit me mbështetjen e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Akti rrugaçëror i deputetit të Ramës është një vërtetim më shumë për nevojën urgjente të pastrimit të politikës nga soji i Ndokës. Ai u përzgjodh nga shefi i tij për të sulmuar opozitën dhe po e mbyll karrierën e inkriminuar duke sulmuar opozitën. Ky është niveli banal ku e ka çuar parlamentin Edi Rama. Me njerëz që nuk njohin asnjë vlerë të demokracisë të debatit e fakteve, por njohin vetëm gjuhën e dhunës e të agresionit. Nuk e ndalon dot Edi Rama dekriminalizimin me kërcënime të tilla.  Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë deri në fund këtë proces jetik për vendin.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 5 Gusht 2015.