Jam këtu për të shprehur ngushellimet e Partisë Demokratike për humbjen e jetës së Maxhun Aliajt, teknik në minierën e kromit në Has dhe plagosjen e 4 punonjësve të tjerë. Jemi pranë familjeve të viktimës dhe të lënduarve në këtë ditë të vështirë por duam gjithashtu të denoncojmë faktin se kushtet në minierat tona janë përkeqësuar dhe qeveria ka braktisur minatorët.
Kjo ngjarje e rëndë ndodhi vetëm një javë pas humbjes së jetës së një tjetër minatori në Bulqizë. Partia Demokratike denoncon lënien e minatorëve në mëshirë të fatit pa minimumin e kushteve të sigurisë.
Pas dy vitesh qeverisje të Edi Ramës kemi sot numrin më të madh të minatorëve që kanë humbur jetën apo janë plagosur në kushtet e vështira të punës së nëntokës në dy dekada të marra sëbashku.
24 minatorë kanë humbur tragjikisht jetën dhe ashtu si herën e kaluar, kryeministri i vendit nuk ka gjetur sërish kohën të shprehë as ngushëllime për familjen e viktimës më të fundit në Has.
Edi Rama mashtroi minatorët për kushte më të mira pune dhe për paga më të mira. Ai premtoi shumë për minatorët dhe doli se thjesht i shfrytëzoi ata për fushatë, për të ardhur në pushtet, më pas u ktheu kurrizin.
Mashtroi minatorët, siç ka mashtruar shumicën e shqiptarëve për taksat, punësimin, shëndetësinë e çdo aspekt të jetës.
Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Alban Zeneli, 5 Gusht 2015