I dashur Belind
Më lejoni të ndaj në fillim të fjalës sime, dy emocione të jashtëzakonshme që më përshkrojnë sot. i pari, i kujtesës së domethënies së 8 Dhjetorit , cili më transporton me shpejtësi nga ky moment, tek ditët kur isha më i ri, ose më i riu prej jush në këtë sallë. Dhe ky emocion merr sot formën e mirënjohjes më të thellë dhe përkuljes më të madhe me krenari të thellë kombëtare ndaj Dhjetoristëve, me në krye Azem Hajdarin e pavdekshëm . Me respektin më të jashtëzakonshëm ndaj intelektualëve, përfaqësuesve të studentëve të Dhjetorit, shumë prej të cilëve i shoh sot në këtë sallë, krah për krah rinisë demokrate dhe për të cilët, kanë në zemrën time , mirënjohjen më të thellë si shqiptar si democrat dhe si kryetar i partisë që lindi për shkak të sakrificës dhe përpjekjes së tyre.
Emocioni i dytë që më përshkon sa herë që jam në mesin tuaj,është emocioni që dini të falni vetëm ju, rinia demokrate, Forumi rinor i PD ,për të cilin ju falenderoj nga zemra.
Jemi mbledhur sot këtu për 8 Dhjetorin që është një ndër ditët më të bukura të historinë tonë. Është një ditë e madhe për atë që solli, por mbetet një ditë e madhe për mesazhin dhe domethënien që vazhdon të ketë çdo Dhjetor, e do të vazhdojë të ketë në përjetësi.
8 dhjetori 1990 ishte dita kurtriumfo kurajo i mbi frikën, kur triumfoi dëshira për liri mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kurajo e studentëve të Dhjetorit dhe liderit të tyre të pavdekshëm Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes , lirinë politike, lirinë e besimit në Zot , lirinë e lëvizjes.
Por 8 dhjetori ishte po kështu dita e triumfit të përpjekjeve për dinjitet njerëzor. Lëvizja e Dhjetorit nisi së pari si refuzim i studentëve për t’u trajtuar si turmë e nënshtruar, të cilën mund ta shtypnin, mund ta shpërfillnin, mund ta fyenin dhe turpëronin, ta linin në varfëri, pa dritë dhe pa ngrohtësi. Studentët kërkuan dinjitet, kërkuan respekt për vlerat njerëzore.
Kjo kërkesë për dinjitet njerëzor çoi natyrshëm në kërkesën për liri politike për pluralizëm, sepse liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Nuk mund të ketë dinjitet njerëzor pa liri politike. Në një shoqëri ku nuk ka liri politike, ku njerëzit nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën si qeverisen dhe se nga kush qeverisen, nuk mund të ketë as dinjitet njerëzor, nuk mund të ketë as vlera njerëzore.
Por studentët e dhjetorit u ngritën edhe kundër sundimit të injorancës dhe sundimit errësirës. Injorancës së klasës qeverisëse dhe injorancës ku ishte braktisur shoqëria shqiptare.
Në thirrjet e e studentëve, urrejtja ndaj diktatorit Enver Hoxha u përzie përherë me talljen ndaj lolove qesharake të byrosë politike dhe injorantëve që kishin dalë në krye të vendit, sepse atje, ku nuk ka liri dhe ku nuk ka konkurencë, në krye dalin përherë injorantët.
Ata u ngritën ata edhe kundër errësirës së mendjes. Që në orët e para, që ditët e para, ata brohoritën fjalët e ndaluara të Fishtës, të Koliqit, të Frostit, të Xhon Lenonit. Injoranca është mjeti kryesor i diktaturave dhe lëvizja studentore shembi edhe murin e injorancës dhe izolimit mendor që kishte ngritur diktatura.
8 Dhjetori ishte dita kur Shqipëria u ritakua me Europën, kur shqiptarët u rikthyen tek vlerat europiane. Prandaj 8 Dhjetori mund dhe duhet të quhet pa frikë Dita e parë europiane në Shqipëri, pas një gjysëm shekulli endje nëpër humbëtirat e Lindjes.
8 Dhjetori ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur, drejt ëndrrave më të bukura tonat, drejt fitimit të kohës së humbur. Në atë fillim rrugëtimi, ne besonim si askush tjetër në botë, tek liria dhe tek e ardhmja jonë.
Është e padiskutueshme që Shqipëria është transformuar rrënjësisht, që atë ditë. Në shumë drejtime, përparimi është i paimagjinueshëm, i pakrahasueshëm sepse liria bëri punën e saj dhe shpirti i paepur i shqiptarëve dhe në vecanti i rinisë, bëri pjesën tjetër.
Në kthimin e tyre tek liria, shumë shqiptarë e në vecanti shumë të rinj zbuluan botën dhe, shkëlqyen në shumë vende të botës, duke provuar vlerat e mrekullueshme të individit tonë, të shqiptarit, të punës të tij, të imagjinatës dhe shpirtit të tij.
Por nga ana tjetër, jo gjithcka shkoi sic e kishim menduar. Disa gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan dhe ishin më të vështira sa ç’i menduam 27 vite më parë atëherë.
Sikur në ditët e Dhjetorit 1990, dikush tu kishte thënë studentëve, të cilët luftuar dhe sollën lirinë politike, se 27 vite më vonë, të rinjtë e Shqipërisë do të kërkonin mundësitë dhe dinjitetin e tyre nëpër botë dhe jo në atdhe, me siguri do ti merrnin për të çmendur.
Nëse atëhere dikush do t’u thoshte studentëve se edhe pas 27 vitesh, ne do të vazhdonim të ishim një ndër vendet më të izoluara nga Europa, do të mendonin që dhe do të ishte tallje.
Por fatkeqësisht kjo është gjendja ku jemi katandisur sot. 27 vjet pas rënies së komunizmit, liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara, se shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur, mundësitë e tyre për përparim njerëzor dhe shoqëror janë më të vogla se në cdo vend tjetër në Europë, nga e cila vazhdojmë të mbetemi një nga kombet më të izoluara.
Ndërsa bota perëndimore ka arritur një mirëqenie dhe përparim të paimgjinueshëm edhe për ata vetë para 2-3 dekadash dhe nuk ndalet në ecjen e saj përpara, Shqipëria është sot e mbytur nga problemet që përjetohen vetëm në vendet më të prapambetura të Azisë dhe Afrikës.
Është e paimagjinueshme që sot në Shqipëri, në vend që të flitet për biznese të reja nga rinia, për përparime teknologjike, për arsim dhe dije, flitet për një bandë trafikantësh injorantë dhe mizorë.
Në vend që të diskutojmë dhe punojmë për zgjidhjet dhe politikat më efektive, luftojmë si të pastrojmë Parlamentin dhe qeverinë nga kriminelë ordinerë që kanë trafikuar, përdhunuar dhe vrarë.
Në vend që të mendojmë si të përmirësojmë sistemin bankar për të nxitur ekonominë me kredi të favorshme për të rinjtë që duan të hapin biznese, diskutojmë si ta shpëtojmë sistemin bankar dhe ekonominë nga paratë e pista të krimit.
Në vend që të investojmë dhe prodhojmë, kemi përfunduar në një ekonomi që vetëm importojmë dhe shet.
Në vend që të mendojmë për më të pamundurit mes nesh, e tu gjendemi në krah atyre, grave, nënave kryefamiljare, të rinjve dhe të rejave, ne diskutojmë si të ndalojmë një grusht politikanësh tëkorruptuar dhe oligarkësh grabitqarë që të mos plaçkisin vendin.
Para Dhjetorit të 1990, një grusht njerëzish mizorë përdorën ideologjinë për të nënshtruar, dhunuar dhe plaçkitur një popull të tërë për privilegjet e tyre, sot dhuna nuk ushtrohet në emër të ideologjisë, por të krimit të bërit njësh me politikën dhe të politikës të bërë njësh me krimin.
Ndërsa propaganda vazhdon si dikur, për të gënjyer, për të manipuluar dhe për të mbajtur njerëzit në padije ndaj të vërtetës, për t’i sunduar me të njëjtët mekanizma.
Njësoj si në vitet e para të tranzicionit, sërish qëllimi kryesor i shqiptarëve është të ikin. Por ndërsa ikja e atëhershme ishte motivuar nga dëshira për të prekur dhee gëzuar sa më parë lirinë dhe mirëqenien perëndimore, ikja e sotme është nga dëshpërimi, nga fjalët dëshpëruese se, ky vend mund të mos bëhet kurrë.
Ndaj sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, bashkë me respektin e thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj sakrificës së Dhjetoristëve , në praninë e kësaj salle ekzaltuese, luftëtarsësh të lirisë, të betejave që kemi bërë dhe do të bëjmë së bashku, unë dua që t’ju ftoj të gjithë të kthejmë sytë sërish nga Dhjetori 1990 dhe të reflektojmë.
Studentët dhe pedagogët e Dhjetorit 90, sot shikojnë mbrapa me krenari. Për shumë prej tyre energjia, dashuria, pasioni, energjia, shpresat dhe ëndrrat që u ndezën ato ditë, janë edhe sot energjia më frymëzuese në jetën e tyre.
Solidariteti që ata kërkuan dhe gjetën tek njëri tjetri ishte mrekullia që solli çlirimin nga frika. Bashkimi me njëri tjetrin për këtë shpresë të madhe ishte celësi magjik që mposhti frikën dhe ngriti kurajon.
Kështu ata gjetën me këtë kurajon u ngritën, luftuan dhe fituan kështu ndryshuan Shqipërinë dhe jetët e miliona shqiptarëve.
Nëse të njëjtën gjë do të bëjë dhe brezi i sotëm , Shqipëria do të ecë përpara. Sepse nuk është vonë. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë më parë, gjatë këtyre tre dekadave për atë forcë, për atë idealizëm, për atë kurajë të Dhjetoristëve.
Sepse sot gjendemi në një udhëkryq: nëse do të humbasim të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të marrë peng nga një grusht politikanësh të inkriminuar, apo do t’u rikthehet vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor dhe të Evropës.
Përsëri edhe një herë, po kësaj radhe më shumë se kurrë më parë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e cdo shqiptari janë nga ju, janë nga rinia shqiptare.
Dhe unë e di se, ju rinia shqiptare, rinia demokrate, rinia e ciltër dhe e panjollosur, do ta merni në dorë këtë mision. Kini besim, kini besim, besim total të palëkundur në forcën tuaj dhe në aftësinë tuaj.
Sot ju bëj thirrje , mos zgjidhni largimin, zgjidhni përpjekjen, përballjen.
Bëjeni zërin tuaj të bucasë, guxoni, ngrihuni, luftoni ta ndryshojmë Shqipërinë.
Partia Demokratike, bija tjetër së bashku me lirinë politike e Dhjetorit 1990, do të jetë përherë me ju. Me rininë në ballë të përpjekjes, ndryshimi do të vijë, dhe do të vijë shpejt!
Mirënjohje përjetë studentëve liberatorë! Zoti e bekoftë Rininë shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!