Qeveria vazhdon të fshehë të dhënat zyrtare për financat e muajit korrik, edhe pse zyrtarisht duhej të ishin publikuar me 20 gusht.
Informacionet paraprake tregojnë se muaji korrik është sërish një gërshetim i dështimit me korrupsion dhe të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë shumë më poshtë se sa plani.
Mungesa e transparencës në këtë drejtim, është thjesht thellim i abuzimit dhe mbulim i hajdutërisë masive në tatime e dogana.
Kërkojnë ta fshehin këtë gropë financiare që u kushton qytetarëve, me aksione propagandistike, por në fund janë shifrat që vlejnë dhe jo llafet.
Muaji korrik është sërish dramatik në mbledhjen e të ardhurave, ku mungojnë para në buxhet për rrugë e shkolla, për çerdhe e kopshte, për rritje pagash e pensionesh. Por ky muaj është nga ana tjetër një parajsë për kontrabandistët dhe klientelën e qeverisë, që shmangin detyrimet, ndajnë paratë me zyrtarët duke shtuar pasurinë dhe luksin.
Partia Demokratike e denonon me forcë këtë mungesë transparence, këtë përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar korrupsionin dhe dështimin.
Partia Demokratike ka një plan për shpëtimin e vendit, që konsiston në uljen e taksave, barazinë para ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe transparencën e plotë të financave të vendit.
Deklaratë për shtyp e këshilltarit të Grupit Parlamentar të PD për financat, Dorian Teliti, 28 Gusht 2015