Krimi në vend po rritet në mënyrë dramatike, dhe siç e shohim vrasjet janë shtuar, grabitjet me maska ndodhin në rrugët kryesore të vendit, si mbrëmë, 5 kilometra larg qendrës së kryeqytetit në autostradën Tiranë-Durrës, në aksin kombëtar më të përdorur nga qytetarët, ku me maska dhe me armë u terrorizuan udhëtarët dhe u grabit makina.
Krimi shtohet dhe sërish ministër të brendshëm kemi Tahirin që është nën akuza të tmerrshme për bashkëpunim me bandat e drogës.
Eshtë e qartë në sytë e mbarë opinionit publik se Saimir Tahiri është nxitës i krimit dhe aleat i tij.
Derisa ministri i brendshëm ndan makinën e tij private me bandën e trafikut të drogës, siç denoncoi oficeri i lartë Zagani, derisa oficerë në pikat kyçe të trafikut të drogës, si kufiri në Dhërmi, janë në dispozicion të kushërinjve të Tahirit, atëherë krimi rritet, trafiku i drogës rritet.
Provat dhe faktet janë bërë publike.
Vetë kushëriri i Ministrit i konfirmon dëshmitë e përfshirjes së Tahirit.
Shtypi italian shkruan për akuzat tronditëse.
Anti-mafia italiane jep alarmin për volumet e drogës që kalojnë nga Shqipëria në vendin fqinj.
Vetë qytetarët e shohin çdo ditë se si hashashi ka mbuluar vendin.
Krimi kërcënon sigurinë publike.
Çfarë duhet të ndodhë tjetër që Saimir Tahiri të largohet nga detyra e tij?
Ai duhet të lërë zyrën një orë e më parë, inkrimnimi që po i bën policisë së shtetit është shërbim ndaj krimit e trafikut të drogës, është demotivim i forcave të policisë të cilët sakrifikojnë me punën e tyre me përkushtim e ndershmëri ndërsa shohin se eprori i tyre, ministri i tyre është i lidhur me bandat.
Kjo gjendje duhet të marrë fund, dhe hapi i parë është largimi i Saimir Tahirit dhe hetimi i tij i plotë për lidhjet me bandat e me krimin.
Deklarata për mediat e deputetit, Asllan Dogjani, 10 Tetor 2015