Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti sot përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilët pati një bashkëbisedim të hapur rreth bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, situatës makroekonomike dhe fiskale të vendit.
Gjatë takimit diskutimet u përqëndruan tek pasiguria e krijuar si rezultat i vonesës së tejzgjatur të projektbuxhetit të vitit 2014 dhe mostransparencës qeveritare në lidhje me ndryshimin rrënjësor të sistemit tatimor në Shqipëri.
Përfaqësuesit e FMN-së u njohën me situatën e paligjshmërisë që dominon sot pothuajse në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, financiare e sociale të vendit.
Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, iu bë e njohur situata shqetësuese me të cilën po përballet biznesi shqiptar i cili është vënë nën presion me metodat abuziviste dhe shantazhuese të administratës tatimore, të cilët janë sulur në aksion për të nxjerrë të ardhurat publike me metoda arbitrare dhe ekstraligjore.
Z. Basha ndau me përfaqësuesit e FMN-së edhe shqetësimin për ndërhyrjen e qeverisë në serverin qëndror të të dhënave konfidenciale tatimore të qytetarëve të vendit. Zoti Basha u bëri të ditur përfaqësuesve të FMN-së iniciativën për ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë.