Klientelizmi dhe dy standardet, shoqëruar me dhunë e arbitraritet janë e vetmja formë për këtë qeveri që po numëron ditët e fundit.
“Ligji i Maliqit” për të pamundurit dhe privilegji e hatri për miqtë janë shfaqur së fundmi në formën më arrogante të mundshme në bregdetin e Golemit, ku Edi Rama ka dhënë leje për prishjen e ambjenteve sportive e të përbashkëta për banorët, në resortin Laguna Blu, duke lejuar që aty të hedhë shtat një ndërtim skandaloz.
Me firmën e Edi Ramës po grabitet një pasuri publike për t’u kthyer në biznes për klientelën e tij dhe për ata që kërkon ti nënshtrojë.
Kjo ndodh në kohën kur Edi Rama ka lënë mijëra familje pa strehë e pa dyqanin e tyre të vogël dmth pa bukën e fëmijëve, duke u ndërsyer fadromat e dhunshme të bandës që e quan “INUK”, ngado në çdo cep të vendit.
Kjo ndodh në kohën kur Edi Rama ka shembur e bërë hi mijëra ndërtime të ligjshme apo në legalizim, të ngritura me mundin e djersën e të pamundurve të ketij vendi.
Me të njëjtin arbitraritet e paligjshmëri Kryeministri oksidental po zhduk një hapësirë sportive të përbashkët, për t’ia dhënë përsëri për ndërtim “Koçove” të tij, përsëri në breg të detit, në mënyrë që të fitoje një tjetër mjero mediatik, e kësisoj, më shumë propagande e përkrahje për një regjim që askush s’e do me.
Partia Demokratike e dënon këtë akt korruptiv të Edi Ramës dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe kthimin në ligjshmëri.
Ky regjim arbitrar, klientelist e me dy standarde i ka ditët e numëruara, dhe shpejt do të vijë koha e ballafaqimit me ligjin, për këtë dhe për të gjitha zullumet që ka bërë në këtë vend, sado të përpiqet të shtojë me mjerane të rinj, haremin e tij mediatik.
Deklarata për mediat e deputetit Gent Strazimiri, 27 Tetor 2015