Shëndetësia, sektori më i rëndësishëm në vend, sektori nga ku varet jeta e qytetarëve, është zhytur në korrupsion të thellë, dhe po qeveriset sot nga klientela dhe interesat financiare.

Edi Rama po ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh me ilaçet.
Drejtoresha e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo që duhet të kontrollojë cilësinë e ilaçeve, ka ngelur në provimin e shtetit. Madje ka ngelur dy herë me radhë.
Pra, ajo nuk mund të ushtrojë dot profesionin e farmacistes, por ama është bërë kryefarmacistja e vendit, falë lidhjeve politike e financiare. Ky është një informalitet skandaloz që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ish-drejtori i Qendres së Kontrollit të Barnave, i kapur nga KLSH për abuzime, i akuzuar për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentash, është promovuar me Edi Ramën, dhe është bërë Drejtor i Rimbursimit në Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit  Shëndetësor, pikërisht aty ku plasi skandali me faturat dhe recetat fiktive e me fitimet marramendëse me skemën kriminale që ishte ngritur.
Ky është një informalitet i padëgjuar ndonjëherë. Korrupsion dhe kapje e shëndetësisë, biznes me jetën e qytetarëve.
Edi Rama ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh në Agjensinë e Kontrollit të Barnave dhe Paisjeve Mjekësore. Gjatë muajve korrik-gusht janë emëruar nga Ministri Beqja, 13 punonjës, vetëm 3 prej tyre kanë arsimin e kërkuar me ligj, 9 të tjerët vijnë nga lidhje informale, politike, nepotike e korruptive.
Këto janë pra standartet e Edi Ramës.
Ky është informaliteti më i rrezikshëm në vend, i mbjellë nga ai vetë dhe Beqja i tij, në sektorin më të rëndësishëm, në shëndetësi aty ku varet jeta e shqiptarëve.
Ai është krijuesi, themeluesi dhe ushqyesi i informalitetit dhe skemës skandaloze korruptive në shëndetësi e kudo.


Deklaratë për shtyp e deputetes së PD, Albana Vokshi, 1 Shtator 2015