Lulzim Basha paraqet programin në Krujë. “Mundësia që mu dha për të studiuar, punuar dhe njohur Europën, frymëzim për të sjellë të njëjtat standarde në Shqipëri”
Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën në Krujë pragramin ekonomik të Republikës së Re. Basha tha se do ulen taksat, për më shumë lekë në xhepat e qytetarëve. Do të kemi 100 milionë euro subvencionime për fermerët, 10 mijë stazhe të paguara për të rinjtë si dhe rritje pesnionesh, e vende të reja pune me hapje fabrikash.
“Në radhë të parë do i japim fund taksave të larta që i kanë marrë frymën ekonomisë. Ekonomia e fortë do të bazohet në taksa të ulta. Ulje e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, do të çlirojnë sipas përllogaritjeve të ekipit tim ekonomik dhe ekspertëve më të mirë europianë nga partia simotër e lokomotivës ekonomike gjermane e kancelares Angela Merkel, çdo vit, 400 milionë euro në xhepat tuaja. Programi im ekonomik parashikon stazhe të paguara për të rinjtë e reja të Krujës që mbarojnë studimet e larta. 1 vit do të ketë të paguar stazhin me 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Cdo statistikë botërore thotë se minimalisht 75% deri në 90% e të rinjve që ndjekin stazhe dhe praktika pune, përfundojnë duke siguruar një vend pune. 100 milionë euro subvencione për bujqësinë, 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që fermerët shqiptarë ta kenë të zeruar koston e mekanikës dhe të kenë para nga shteti për të zbutur deri në eleminim koston e plehrave kimike dhe imputeve të tjera bujqësore. E nesërme e sigurtë do të thotë rritje pensioni për të 650 mijë pensionistët shqiptarë duke synuar pensionin minimal 250 mijë lekë në fund të 4 viteve të para të Republikës së re, do të thotë rritje të ndihmës ekonomike, do të thotë pagesë nga shteti e faturës së energjisë deri në 300 kilovat dhe faturës së ujit, për njerëzit në nevojë. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, i punësimit”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se eksperienca e tij e studimeve dhe e punës në Europë i kanë dhënë frymëzimin për ta ndërtuar Shqipërinë si vendet e përparuara perëndimore.
“Fare i ri kam pasur mundësinë e artë ti njoh shoqëritë më të përparuara demokratike. Mundësia që pata për të studiuar në Holandë, më dha po kështu frymëzimin, ëndrrën që një ditë që të shoh në vendin tim të gjitha ato aspekte që e bëjnë Holandën dhe Europën të fortë. Holandën dhe Europën e bëjnë qytetarët e fortë, e bën ekonomia e fortë dhe jo politikanët e krekosur si gjela majë plehut”, tha Basha.