Lulzim Basha dhe ekipi i tij njohin elbasanasit me programin. Ulje taksash, ekonomi e fortë, vende pune, 100 milionë euro në vit për fermerët, 10 mijë stazhe të paguara në vit për të rinjtë
Lulzim Basha dhe ekipi i tij paraqiten programin e Republikës së Re para qytetarëve të Elbasanit. Basha tha se nga studimet dhe eksperienca e tij në Holandë ka mësuar se shqiptarët duhet të kenë shans për të ecur përpara. Ai tha se është radha e tij të luftojë që shqiptarët të kenë të njëjtat mundesi dhe kjo do jetë sfida dhe ëndrra e tij.
“Ky nuk është më thjeshtë dhe vetëm projekti im. Kjo nuk është vetëm përkëthimi i ëndrrës europiane që unë preka si student në Universitetin e Utrehtit. Mu dha mundësia dhe shkëlqeva me atë mundësi përmes punës time dhe ia dola të siguroj vlerësimet më të larta në organizatat ndërkombëtare ku punova. Nxorra një mesim të madh të cilin e pashë pastaj të çdo i ri dhe e re shqiptare, dhe mësimi është ky; shqiptarët e duan punën, jepu mundësinë dhe ata do shkëlqejnë. Mua mu dha mundësia në vitet e vështira në një nga vendet më të përparuara të Europës, më demokratike të Europës në Holandë në një qytet binjak me Elbasanin, në Utreht, në një nga universitetet më të mira të botës. Tani është radha ime të luftoj ditë e natë që këtë mundësi ta ketë çdo qytetar, çdo i ri, çdo e re e Elbasanit. Kjo është sfida ime. Kjo është lufta ime. Ky është frymëzimi im. Kjo është ëndrra ime”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se Republika e Re do të ulë taksat duke nisur me TVSh-në duke shtuar mbi 400 milionë euro në xhepat e shqiptarëve të thjeshtë.
“Taksa të ulëta, mbështetje për bizneset që hapin vende pune, 10 mijë stazhe për të rinjtë çdo vit të paguara nga shteti, 100 milionë euro subvencione për fermerët. Këto janë masat e vërteta. Pa tavalla, pa demagogji, pa cirk, pa lojëra, që unë do të vë në funksion për të kthyer rrotën e ekonomisë shqiptare, për tu dhënë shqiptarëve bashkë me Republikën e Re një ekonomi të fortë që punëson dhe zhvillon”, tha Basha.