Lulzim Basha paraqet programin në Kukës. Ndihmë të përvitshme për fermerët dhe 10 mijë stazhe të paguara për të sapodiplomuarit
Lulzim Basha dhe ekipi ti tij shpalosën programin ekonomik të Republikës së Re në Kukës. Basha tha se do të ulë taksat, duke shtuar paratë në xhepat e qytetarëve. Do kemi taksë të sheshtë vetëm 9% ndërsa fermerët do përfitojnë të gjithë subvencion me një fond prej 100 milionë eurosh në vit. Të rinjtë e sapo diplomuar, 10 mijë prej tyre në vit, do kenë stazhe të paguara nga Republika e Re.
“Me uljen e taksave, me uljen e TVSh-së e cila do të gjenerojë çdo vit 400 milionë euro më shumë në xhepat e shqiptarëve me rritje konsumi, rritje të fuqisë blerëse, me taksën e sheshtë 9%, do të sigurojmë qindra milionë euro kapitale dhe kreditime të ekonomisë. Këto, do të kthehen në vende pune, në punësim , në pozitivitet dhe rritje ekonomike. Hapi im i dytë do të jenë 10 mijë stazhe për 10 mijë të sapodiplomuar, drita e syrit të prindërve të Kukësit. Me përfundimin e universitetit, për 1 vit me radhë 10 mijë të rinj shqiptarë do kenë mundësi të kenë stazhe, praktika të paguara me 200 mijë lekë në muaj 1 vit me radhë. Fermerët e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se në Republikën e Re kanë 100 milionë euro subvencione çdo vit për ta. 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto do destinohet për të financuar fermerët, pa sekserë, pa burokraci, pa nipt. Ne do të hapim vende pune, do të hapen fabrika për shkak të taksës më të ulët në ballkan”, tha Basha.