Lulzim Basha në bashkëbisedim me qytetarët në Korçë. Nuk kam premtime, por një plan konkret që do vihet në zbatim që ditën e parë për ndezjen e motorrëve të ekonomisë​

 

Lulzim Basha ishte sot me qytetarët e Korcës në një bashkëbisedim ku u shpjegoi konkretisht planin e tij ekonomik që do sjellë më shumë para në xhepat e shqiptarëve, do rrisë konsumin, do rrisë prodhimin në vend, do hapë vende të reja pune. Gjithashtu, u foli të rinjve, për projektin e 10 mijë stazheve me pagesë për të sapodiplomuarit më të mirë.

 

“Ka një dallgë të madhe shprese dhe besimi te një Republikë e Re që po vjen, e cila ka prioritet kryesor ekonominë tuaj, motorrin dhe jo timonin, që është prioriteti im numër një. Me një plan konkret të besueshëm dhe të zbatueshëm prej ditës së parë. Me uljen e TVSh-së, me taksën e sheshtë 9%, me zerimin e dividentit, me taksën maksimale 1.5% të xhiros vjetore përfshirë edhe ato lokale e qendrore për biznesin e vogël, me pullën fiskale që njëherë e mirë do ti nxjerrë jashtë taksidarët që i bien sot në qafë biznesit të vogël dhe e terrorizojnë atë. Klima pozitive e besimit do të ndezë motorrin e ekonomisë shqiptare. Komponentët e këtij plani funskionojnë bashkë dhe i tillë edhe plani për stazhet e punës. 10 mijë stazhe pune në vit, të paguara me 200 mijë lekë në muaj për çdo të ri të cilët aplikojnë dhe fitojnë në bazë të meritës dhe rezultatit në universitet”, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës u shpreh se ky plan funksionon në Amerikë, në Gjermani dhe do të funksionojë edhe në Shqipëri.

“Isha në Amerikë këtë javë dhe takova Presidentin Trump, takim i jashtëzakonshëm, dhe kjo ishte java e zhvillimit të fuqisë punëtore. Çfarë po bënte administrata e Presidentit Trump?! Po financonte stazhet për studentët, po ulte tarifat dhe po e bënte më të mundshme për studentët amerikanë të ndiqnin shkollën e lartë. Po ndihmonte biznesin e vogël, po ulte taksat në tërësi dhe po kirjonte një klimë më miqësore për investimet. Kjo është mënyra se si rritet ekonomia. Unë nuk kam premtime, kam një plan ekonomik dhe pika e parë është ulja e taksave që do fuqizojë ekonominë dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Basha.

Lulzim Basha ka theksuar dhe një herë se Edi Rama është përgjegjës për gjendjen e vendit sot, dhe për mosmbjatjen e premtimeve.

“Kudo po shkoj në Shqipëri njerëzit thotë që Edi Rama po kthehet si para 4 vitesh dhe prap me premtime. Bëri premtime dhe nuk i mbajti premtimet sepse nuk kishte prioritet ekonominë. Tani prap po bën premtime. Por në vend të një plani ekonomik ka vetëm premtime të pambajtura. Nuk ka pasur prioritet hallet tuaja por punët e miqve të tij. Vjen dhe u thotë që Luli do u ushqejë fëmijët. Jo absolutisht. Unë ushqej fëmijët e mi por republika është e të gjithëve dhe ka dy zgjidhje, të ushqejë një grusht oligarkësh me palma, pllaka dhe kullat si kjo e Korçës, apo të ushqejë fëmijët e shqiptarëve në shkollat publike. Për mua qartësisht është e dyta”, u shpreh Lulzim Basha.