Prej disa ditësh, PD po ndjek me vëmendje e shqetësim debatin mbi disa ndërtime te lejuara nga Ministrja e Kultures Mirela Kumbari, në brendësi të PArkut Arkeologjik të Butrintit.
Butrinti është një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit, është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit. Monumentet e shumta arkeologjike mijëvjecare në këtë qytet antik për shkak të rolit në thesarin e kulturës kombëtare, e bëjnë të jetë nën mbrojtjen e UNESCO që prej vitit 1992.
Arkeologë e profesionistë të shquar të fushës, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kanë denoncuar me forcë mënyrën skandaloze të vendimeve të marra nga Ministrja e Kulturës, në mungesën totale të transparencës, në një zonë ku ndërtimet pranë një muri prehistorik, që daton në shekullin 7-dhe 5 para krishtit, janë kategorikisht të ndaluara.
Procedura e dhënies së lejeve nga ana e Keshillit Kombëtar të Arkeologjisë e më pas nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (të dy të kryesuar nga Ministrja vetë) janë në shkelje totale të ligjit, dhe janë dhënë për më pak se dy javë.
Cila është arsyeja e një nxitimi kaq të madh në aprovimin e vendimeve të institucioneve në varësi të Ministrisë?
Pse Ministria refuzon të bëjë publike planin, raportin përkatës së arkeologut që i paraprin cdo ndërhyrje në site të tilla arkeologjike?
Cili është projekti? Sa është kostoja? A ka zhvilluar tender Ministria për zhvillimin e punimeve?
A janë bërë gërmimet e detyrueshme para hedhjes së llacit e betonit?
Cila është pika konkrete ku do bëhet nderhyrja?
Cili është destinacioni i ndërtimit, dhe kush do ta menaxhojë?
A do jetë një tjetër aferë që këtë herë do shkatërrojë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore të shqiptërisë për klientelën qeveritare?
Po sot përfaqësuesja e UNESCO u shpreh se ky institucion nuk ka dhënë leje për një nërhyrje të tillë, cka nxjerr zbuluar Ministren Kumbaro.
PD i bën thirrje Qeverisë të ndalojë në mënyrë URGJENTE cdo lloj ndërtimi brenda Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, deri në sqarimin e plotë të të gjitha pretendimeve të ngritura nga profesionistët e fushës, shoqatat dhe media.
PD i bën thirrje Prokurorisë të kryejë hetime të thelluara në lidhje me këtë ndërtim i cili pretendohet që po shkatërron pjesë tëvlerës e të kulturës shqiptare.
Ne kemi kërkuar dëgjesë urgjente me Ministren e Kulturës që do të mbahet nesër në orën 17 në komisionin parlamentar të medias dhe kulturës. Dhe do të bëjmë transparencë të plotë për këtë rast skandaloz.
Deri atëherë, ne përsërisim kërkesën që qeveria të ndërpresë menjëherë punimet që po bën brenda Parkut Arkoelogjik të Butrinit, pjesë e trashëgimisë botërore kulturore.