Shqiptarët e kanë parë sot se si Edi Rama ka urdhëruar mbrojtjen e Saimir Tahirit, njeriut që është kapur në flagrancë nga antimafia italiane si i lidhur, përfitues dhe mbrojtës i bandës të trafikut të drogës dhe të armëve. Përgjimet, të cilët cdo shqiptar i ka lexuar, tregojnë qartë se, Sajmir Tahiri merrte shuma të mëdha parash në këmbim te mbrojtjes që i ofronte kësaj bande dhe në këmbim të vënies se policisë, porteve, aeroporteve, radarëve të vëzhgimit, në dispozicion të bandës Habilaj dhe të trafikut të drogës dhe të armëve.
Këto prova që drejtësia italiane po i menaxhon, po i administron ne procesin gjyqësor kundër bandës së Habilajve, si dhe prova të tjera, i janë paraqitur nga Prokuroria, Parlamentit, Këshillit të Mandateve me qëllim heqjen e një privilegji, jo një të drejte, qe eshte imuniteti parlamentar, i cili nuk jepet kurrë për të bërë trafik droge, por jepet për të mbrojtur deputetët, për lirinë e tyre të mendimit. Edi Rama i tregoi sot shqiptarëve se është në krah të Sajmir Tahirit, se e vërteta e përbashkët që i lidh dhe i inkriminon është shumë herë më e fortë, sesa retorika e tij për të bërë drejtësi.
Nuk ka drejtësi me Edi Ramën. Sepse Edi Rama është bashkëpunëtor me Sajmir Tahirin në këtë aferë korruptive dhe kriminale që tregon qarte narkoshtetin, kupolën mafioze që sundon sot vendin. Askush nuk kerkln prova për ti hequr një privilegj Sajmir Tahirit dhe për ta vënë atë si të barabartë me qytetarët e tjerë para drejtësisë, provat administrohen nga gjykata. Ndaj Edi Rama gënjen me pacipësi totale, me pafytyrësi shqiptarët, kur thotë se ka apo ska prova. Provat administrohen në gjykata.
Faktet e bëra publike para shqiptarëve tregojnë qartë se, Parlamenti nuk ka rrugë tjetër përvecse ti heqë një orë e më parë, imunitetin Sajmir Tahirit në mënyrë që, ai të vendoset para drejtësisë. Eshtë drejtësia ajo që do të japë vendimin e saj. Me qëndrimin e sotëm të urdhëruar nga Edi Rama, Sajmir Tahirit iu blenë 24 orë, 24 orë gjatë të cilave do të shkatërrohen më shumë prova do të lidhen dhe do të priten fije midis Sajmir Tahirit dhe Edi Ramës, ministrave të tjera të kabinetit Rama2 që po kështu figurojnë në përgjimet e antimafias.
Do të çohen negociatorë dhe emisarë, zhage dhe numra bankare për të shantazhuar dhe blerë të vertetën. Me blerjen e 24 orëve dhe qendrimin e sotëm Edi Rama faktoi përfundimisht për këdo që ishte akoma në dyshim se narkoshteti nuk mund të jetë kurrë shtet i së drejtës, se kupola mafioze nuk mund të jetë kurrë në gjendje të bëjë drejtësi apo të japë mundësi të bëhet drejtësi. Ndaj për çdo shqiptar është ora e vetëdijes dhe e pyetjeve të rëndësishme që i shtrojnë vetes. Gjatë këtyre orëve dhe ditëve jam kontaktuar nga qindra mijëra qytetarë të revoltuar të cilët pyesin dhe kërkojnë veprim nga opozita. Opozita e bashkuar tashmë e ka marrë një vendim. Largimi i Edi Ramës, një qeveri antimafia, është e vetmja rrugë që do të garantojë zbatimin e drejtësisë në vend. Është e vetmja rrugë që do të vendosë rendin dhe sigurinë. Mënyrat për të arritur këtë, opsionet për të arritur deri aty po zvogëlohen me shpejtësi të madhe. Rrënimi total i institucioneve nga narkomafia, nga narkoshteti, kapja e tyre nga kupola mafioze po lë shumë pak opsione për të arritur deri tek një zgjidhje e pranueshme në luftën kundër krimit.
Ndaj i bëj thirrje çdo qytetari, që deri më sot ka qënë në dyshim apo skeptik përsa i përket mundësive, gadishmërisë dhe aftësisë së Edi Ramës për të luftuar krimin, që pas shfaqes së sotme, ti bashkohet qendrimit dhe thirrjes tonë si opozitë. Inkurajoj të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që zgjedhin largimin nga vendi, të bashkohen me opozitën. Po vjen ora që të marrim në dorë fatet tona. Vendin nuk mund tia lëmë kupolës mafioze.