Kryetari i PD, Lulzim Basha vizitoi zonat e përmbytura në Fushë-Krujë, ku kërkoi ndërhyrje urgjente nga qeveria. Atje janë me qindra familje pa asnjë ndihmë nga shteti prej të paktën dy ditësh. Edhe pse niveli i ujit ka rënë, situata është shumë e vështirë.
“Banor: S’është normale të mos vijë askush.
Basha: Të mbarojë kjo gjendje se andej nga jugu është akoma më e vështirë.
Banor: Kam edhe dy pleq të vjetër. Me gomone i kemi nxjerrë nga Gjiri i Lalzit.”
Basha ishte brenda në Fushë-Krujë, ku janë përmbytur dy lagje, në fshatin Bilaj dhe në Hasan, ku banorët kanë 24 orë pa ushqime.
“Banor: Ça kanë ardhu gocat dhe miqtë me më sjellë pak bukë se nuk është kujdesuar askush. Kam 24 orë pa ngrënë.
Basha: Kam ardhur t’ju shoh dhe për të ndërgjegjësuar që t’ju gjenden pranë e t’ju ndihmojnë. Ju keni nevojë për ndihmë.
Banor: Edhe vjet kanë ardhur. Nuk është kujdesur askush.”
Banorët në Fushë-Krujë i thanë Lulzim Bashës se mesnatën e mbrëmshme Kryeministri qëndroi fare pak minuta në autostradë dhe nuk i takoi të përmbyturit. Basha i kërkoi Ramës të shkojë pranë njerëzve dhe t’i ndihmojë ata me ushqime, veshje dhe strehim. Por banorëve të përmbytur, dëmshpërblimi material nuk u mjafton dhe i kërkuan Bashës të kujdeset që të dalin përgjegjësit.
“Basha: Të bëjmë çdo perpjekje për të shpëtuar njerëzit. Kjo është e para. Pastaj të gjithë përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi.
Banor: Ashtu shpresoj!
Basha: Të gjithë do të mbajnë përgjegjësi.”
Në Fushë-Krujë Basha pati rastin të falenderojë të gjithë ata që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetën e njerëzve.
“Edhe atyre njerëzve që kanë bërë sakrificë, ushtarë dhe policë u jam shumë mirënjohës. Se ata janë duke u përballur me rrezikun. I falenderoj nga zemra.”