Deputetja e Tiranës, Jorida Tabaku, denoncoi mungesën e ujit të pijshëm në kryqytet.
“Tirana, banorët e të cilës nga janari 2018 do të kenë një çmim më të lartë uji, po vuajnë nga mungesa e uji të pijshëm edhe energjisë elektrike. Gjysma e Tiranës ose nuk ka fare ujë, ose ka vetëm 30 minuta në ditë.”- tha Jorida Tabaku.
Deputetja Tabaku publikoi me Facebook një foto, ku duken disa banorë të Tiranës që blejnë ujë nga botët privatë me bekimin e UKT. “2 ditë me shi që tregojnë fytyrën e vërtetë të investimeve të bashkisë në kanalizime dhe UKT.”- shprehet zonja Tabaku.
Deputetja e Tiranës fajësoi kryebashkiakun Erion Veliaj për situatën e krijuar.
“Veliaj vazhdon të prodhojë show me regji qendrore nga zyrat e Bashkisë edhe në këto çaste kaosi, që janë peshqesh prej keqmanaxhimit te tij më shumë se sa prej shiut. “- tha ajo.
Jorida Tabaku u bëri apel qytetarëve që të mos harrojnë aferat korruptive të Erion Veliajt, që ndikojnë ditekt në jetën e tyre.
“Kryetari bashkisë do të shpenzojë këtë dhjetor mbi 2 mln euro që palmat shkaktare të përmbytjes së autostradës t’i zëvendësojë me pisha. Fare mirë kjo shumë mund të përdorej në shërbim të UKT që një herë e mirë ajo të mos bllokojë furnizimin me ujë prej një rreshje shiu apo një ngrice të vogël”- tha Jorida Tabaku.