Dua ta nis këtë komunikim përmes medias me të gjithë qytetarët shqiptarë që na ndjekin në një konstatim të qartë dhe të thjeshtë.
Dje është konsumuar një puç kushtetues dhe vendi është futur në një spirale anormaliteti.
Dje, Edi Rama ka shkelur dhe ka dhunuar Kushtetutën në mënyrë flagrante, qëllimi ka qenë kapja politike e prokurorit të përgjithshëm. Qëllimi i vërtetë është që përmes kapjes dhe emërimit të një kryeprokurori nën kontrollin politik të Edi Ramës, të mbyllen sa më parë dosjet e krimit që implikojnë bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe vetë Edi Ramën.
Unë dua të përshëndes dhe të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët që iu përgjigjen thirrjes së opozitës. Protesta e djeshme dhe protestat që do të vijojnë janë një reagim i qytetarëve kundër puçit kushtetues të qeverisë.
Shqiptarët e dinë se Kushtetuta nuk i përket asnjë partie; është e të gjithë qytetarëve dhe të gjithë e kanë për detyrë ta mbrojnë atë. Kur Kushtetuta dhunohet, dhunohet çdo njeri pavarësisht prej bindjeve politike, pavarësisht prej statusit të tij apo të saj në shoqëri.
Protesta e djeshme dhe protestat që do të vazhdojnë janë shprehje të revoltës qytetare kundër mashtrimit nga Edi Rama me reformën në drejtësi. Qytetarët kanë besuar tek reforma në drejtësi, kanë besuar tek vetingu, tek pastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të kapur politikisht, por në fakt dje është provuar katërcipërisht se Edi Rama është i vendosur në rrugën e tij antireformë.
Parlamenti nuk është ai që patë dje me një shumicë të marrë peng nga krimi dhe paratë e drogës. Parlamenti është Kushtetuta, janë ligjet, nuk janë as karriget, as kartonat e deputetëve dhe aq më pak kartonat e vjedhur dhe të trafikuar, siç e patë dhe siç e pa gjithë bota dje, nga Taulant Balla dhe ushtarët e tjerë të Edi Ramës në sallën e Parlamentit.
Ajo çfarë është e rëndë nuk është sjellja e opozitës në Parlament, por është sjellja e Edi Ramës me Kushtetutën, nuk janë tymueset, por është thyerja dhe dhunimi i Kushtetutës. Ka vetëm një shkatërrim, ka vetëm një dhunim është shkatërrimi dhe dhunimi i Kushtetutës nga Edi Rama; kjo do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe për demokracinë në vend.
Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde kur vjen fjala tek shteti ligjor dhe tek demokracia, ka vetëm një standard, standardi perëndimor, standardi euroatlantik, standardi europian, standardi amerikan. Në çdo vend të botës nëse do të zbulohej se ministri i Brendshëm është koka e trafikut dhe se Policia ka funksionuar si organizatë kriminale në mbështetje të trafikut, qeveria do të ishte rrëzuar. Në Amerikë, në Gjermani, në Bruksel nuk tolerohet një situatë si në Shqipëri, atje qeveritë bien për shumë më pak. Në çdo vend perëndimor Saimir Tahiri duhet të ishte në burg dhe Kryeministri duhet të ishte në hetim.
Dua të theksoj edhe një herë faktet, Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë tjetër përvecsse zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 3/5 e votave të Kuvendit. Kjo është Kushtetuta.
Kushtetuta kishte caktuar prillin e këtij viti si afatin e fundit për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pra 8 muaj më parë duhej të ishte zgjedhur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 8 muaj para mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit. Për këtë arsye Kushtetuta nuk lejoi asnjë periudhë kalimtare apo të përkohshme.
E gjithë procedura e ndjekur nga Rama nuk është thjesht dhe vetëm antikushtetuese, por është e sajuar aty për aty, nuk është e shkruar në asnjë ligj, në asnjë rregullore, asnjë dokument, thjesht Komisioni i Ligjeve uzurpoi të gjitha kompetencat e një institucioni tjetër kushtetues të pavarur nga Parlamenti që është Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe prodhoi farsën, prodhoi puçin antikushtetues.
Kushtetuta ndalon gjithashtu që Kryeprokuror apo dhe prokuror i thjeshtë të zgjidhet dikush që nuk e ka kaluar vetingun. Kryeprokurori u zgjodh me më pak se me votat e gjysmës së Kuvendit, duke bërë këtë rastin e vetëm në historinë e Shqipërisë ku Kryeprokurori zgjidhet më më pak se 50% të votave dhe votimi është nul dhe i pavlefshëm sepse është kryer në shkelje flagrante të rregullores. Ky është një detaj sepse natyrisht më e rënda është thyerja dhe dhunimi i Kushtetutës.
Natyrisht të gjitha këto fakte, jo opinione por fakte të çojnë në të njëjtin përfundim: Prokurori i Përgjithshëm është një emërim politik i Edi Ramës, në fakt Kryeprokurori sot është Edi Rama. arsyeja dhe misioni është mbrojtja e vetvetes, pra misioni i Kryeprokurorit të kapur politikisht është të mbrojë Ramën.
Nuk ka njeri në Shqipëri dhe jashtë vendit sot që të besojë se
Ø Edi Rama dhunoi Kushtetutën,
Ø goditi reformën në drejtësi,
Ø emëroi një kryeprokuror pa veting,
Ø vodhi votat e opozitës,
Ø përdori Gardën për t’i hequr të drejtën e fjalës opozitës brenda në Parlament
që të zgjedhë një kryeprokuror që çon përpara drejtësisë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon apo ministrat e tij të korruptuar. Natyrisht që nuk ka njeri që e beson këtë.
Ngutja për të zgjedhur një kryeprokuror pa veting dhe në shkelje të Kushtetutës ka për qëllim ndalimin e hetimit për njerëzit më të afërt të Edi Ramës, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim me krimin e organizuar për Saimir Tahirin, për Vangjush Dakon, për dosjen e “Xibrakës”, për Qazim Sejdinin dhe ministrat e korruptuar.
Zgjedhja antikushtetuese dhe pa veting e Kryeprokurorit është tregues i panikut të Edi Ramës, për faktin e thjeshtë sepse përditë po zbulohen fakte të reja sesi Saimir Tahiri e ka venë Policinë e Shtetit në shërbim të Habiljave dhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, fakte që po zbulohen nga hetimi në Itali apo nga raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror me 127 oficerë të lartë të Policisë të përfshirë për të cilën Edi Rama e ka ditur prej vitesh dhe nuk ka vepruar. Sepse ka qenë pjesë e skemës, ka qenë motivuese dhe përfituese e drejtpërdrejtë i skemës që e ktheu Policinë e Shtetit nën drejtimin e Saimir Tahirit në një organizatë kriminale në funksion të kthimit të Shqipërisë në nyjën kryesore të drogës në Europë.
Po dalin fakte të reja sesi Edi Rama ka vënë shtetin në shërbim të Balilajve, jo thjesht dhe vetëm mos ekzekutimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest nën presion të autoriteteve europiane dhe amerikane, të DEA-s amerikane, por edhe fakti që deri para pak ditësh Balilajt kanë fituar tendera nga Edi Rama me vlera afro 850 mijë euro për mbrojtjen e objekteve shtetërore.
Kjo është situata, kjo është gjendja, ndaj vendimi i opozitës për të nisur një valë protestash duke filluar nga javët e para të janarit është vendimi i duhur, është vendimi i drejtë dhe i përgjigjet thirrjes së qytetarëve, të qytetarëve shqiptarë të cilët nuk mund të pranojnë kurrë që Kushtetuta të dhunohet, e të nëpërkëmbet për të ruajtur, mbrojtur dhe lartësuar pushtetin autokratik dhe kriminal të një qeverie të bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me qeverinë.
Pyetjet e gazetarëve
TV Klan: Z. Basha, ju thoni se dje mazhoranca ka konsumuar një puç kushtetutes, a do ta godisni në Gjykatën Kushtetuese vendimmarrjen e Parlamentit?
Basha: Për pyetjen e parë, dua t’i sqaroj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Gjykata Kushtetuese, nuk është as zjarrfikës dhe as forcë paqeruajtëse. Gjykata Kushtetuese është një institucion juridik, i cili ka për detyrë të interpretojë paqartësitë në raport me zbatimin e Kushtetutës. Kushtetuta ështe qartë si drita e diellit. Askush nuk duhet ta mendojë, as të fshihet pas gishtit, se shpëtimi në krizën ku ndodhet vendi, ku institucionet janë zaptuar nga narkoshteti, ku kryeprokurori është emëruar politikisht në shkelje të Kushtetutës, do të vijë përmes proçedurave juridike apo apeleve dhe ankesave në Gjykatë Kushtetuese. Vetë Gjykata Kushtetuese është në presion, praktikisht e paralizuar si rezultat i ofensives se narkoshtetit. Ndaj e vetmja zgjidhje për këtë krizë të rëndë politike, të shkaktuar nga një narkomazhorancë dhe nga një narkokryeministër, është një përballje politike, e cila nisi dje dhe do të vazhdojë deri në përfundimin, me fitoren e plotë të kushtetutshmërisë, të lirisë, demokracisë dhe aspiratave të qytetarëve shqiptarë, për një Shqipëri të standardit europian dhe jo një Shqipëri të standardit të narkoshtetit.
TV Klan: Dje ish-kryeministri Berisha, ka hedhur idenë e djegies së mandateve, në shenjë proteste ndaj vendimit të mazhorancës. E mbështesni këtë ide?
Basha : Opozita i ka diskutuar në detaje të gjitha opsionet dhe të gjitha opsionet mbeten të hapura. Vendimet e opozitës do të jenë në përputhje me interesin më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Top Channel : Z. Basha, ju e konsideruat votimin, nul, si një detaj por që është edhe në shkelje të rregullores së kuvendit, a do ta quani legjitim, gjithësesi? Se duke mos u ankuar, duke mos ndjekur veprimet institucionale u jep argumenta edhe të tjerëve lidhur me qëndrimet e opozitës.
Basha: Më lejoni në rradhë të parë të them se, kjo nuk është një çështje burokracie, as peticionesh, por është një çështje e mprehtë politike. Shqipëria gjendet në një krizë të gjithanshme politike, ekonomike, kushtetuese, në një krizë të thellë besimi. Këtë e tregojnë shifrat e shqiptarëve që vazhdojnë të largohen nga vendi në mënyrë të frikshme, pavarësisht apeleve të vendeve anëtare të BE-së, për ta ndalur. Kjo nuk ndalet, për një arsye të thjeshtë, sepse në Shqipëri ka rënë shteti. Kur shteti ligjor ka rënë, kur narkoshteti ka pushtuar çdo hapësirë, detyra kryesore e opozitës është të ftojë qytetarët, duke vetëdijesuar qytetarët për këtë të vërtetë, t’i ftoj të bashkohen me të gjitha mjetet demokratike, për t’u përballur, për të rikthyer shtetin ligjor, për të rikthyer Kushtetutën. Kjo është arsyeja se përse ne kemi bërë thirrje dje dhe në javët e ardhshme, për bashkimin e qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike, por që bashkohen tek Kushtetuta. Sepse Kushtetuta nuk është e Partisë Demokratike, as e Partisë Socialiste, është e çdo qytetari dhe është themeli i bashkëjetesës demokratike. Në këtë kuptim nuk dua të jap asnjë iluzion asnjë shqiptari, as protestuesve, as atyre që do të vijnë nesër, se kjo krizë e thellë politike që Edi Rama e ka shkaktuar për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij, të kapur në flagrancë si bashkëpunëtorë të krimit të organizuar, mund të zgjidhet me peticione ligjore. Pa dyshim që një mandat i fituar në mënyrë antikushtetuese është nul dhe i pavlefshëm. i tillë është edhe mandati i fituar dje. Por nuk është thjesht nul dhe i pavlefshëm. Askush të mos ketë asnjë iluzion. Kryeprokurori në Shqipëri që prej ditës së djeshme është vetë Edi Rama. Dhe arsyeja përse e ka bërë këtë, është thjesht ekzistenciale, jo thjeshtë për Sajmir Tahirin dhe Vasgjush Dakon, por për vetë atë. Dua t’i them çdo shqiptari, të reflektojmë se ku kemi qenë 5 muaj më parë. As Edi Rama dhe për fat të keq askush nuk e përmendte problemin e drogës, përkundrazi, na sulmonin dhe na akuzonin ne si opozitë. Këto janë faktet, siç e dini fare mirë. Në pak muaj e vërteta ka dalë në pah dhe nuk ka më kthim prapa në rrugën para nxjerrjes para drejtësisë të atyre që e katandisën Shqipërinë në një vend të drogës dhe të krimit. Beteja jonë është e gjatë, por fundi i saj është i pashmangshëm. Sajmir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Habilajt, Balilajt, Ahmetajt, Gjiknurët, herët a vonë do të përgjigjen përpara drejtësisë. Qeverisja e Edi Ramës politikisht, ka marrë fund. i vetmi mision është, të shpëtojë kokën e tij. Nuk do t’ia dalë dot, as paratë e drogës, as kriminelët nuk e shpëtojnë dot sikundër nuk e shpëton dot as një kryeprokuror i zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Herët a vonë Edi Rama do të përgjigjet, jo vetëm për përgjegjësitë e tij politike, por edhe për përgjegjësitë e tij para drejtësisë, për aleancën me krimin dhe për kthimin e Shqipërisë në një vend hambar të drogës dhe krimit. Mburoja e përkohshme që ka votuar dje, është një mbrojtje e përkohshme. Mobilizimi i qytetarëve, i opozitës, do të mundësojnë që vendi të kthehet në shinat e kushtetuetshmërisë, normalitetit, demokracisë dhe Reformës së vërtetë në Drejtësi.
Top Channel: Gjithashtu folët edhe për një valë protestash. Nëse ndodheni përballë situatës që kandidaturat për zgjedhjen e anëtarëve nga Kuvendi për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ju do të merrni pjesë në Kuvend me fillimin e sesionit të ri, për zgjedhjen e këtyre anëtarëve dhe më pas për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm?
Basha : Këshillit të Lartë të Prokurorisë i kanë futur një thikë. Kush e di se kur do të formohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë? Duhej të ishte formuar në Prill. Kanë kaluar 8 muaj. Opozita nuk kishte asgjë në dorë të pengonte apo përshpejtonte KLP. Kjo është një alibi, një gënjeshtër, një mashtrim i Edi Ramës. Faktet tregojnë se Edi Rama ka investuar për mosformimit të KLP-së, përmes levave të tij në shoqërinë civile. E ishin ata që insistuan se njëri nga ata duhej të vinte nga shoqëria civile dhe ishte pikërisht, shoqëria civile që dilte në demostrata për Reformën në Drejtësi, sipas versionit të Ramës dhe jo sipas Venecia-s, që tani nuk na çon kandidatët. Se kur do të formohet KLP nuk është në dorën e opozitës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është sabotuar, për të mos pasur një kryeprokuror me vetting dhe me 3/5 e Kuvendit, por për të pasur një kryeprokuror pa vetting, të emëruar nga Edi Rama, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe për të njejtën arsye po sabotohet dhe po vonohet formimi i SPAK dhe Byrosë së Hetimit, të cilën opozita siç e dini, është i vetmi nga shtatë ligjet që e ka votuar dhe e ka mbështetur në Kuvend.
Abc News: Z. Basha, ju e quani mazhorancën nul në bazë së asaj që thoni se eshtë zgjedhur me vota të vjedhura. Njëkohësisht sot po e quani zgjidhjen e Gjykatës Kushtetuese si një iluzion që mund t’i jepet qytetarëve sepse sipas jush nuk mund të marrë zgjidhje nëpërmjet dokumentave ligjorë. Ju keni deklaruar njëkohësisht se do të bëni opozitë institucionale por tashmë po i ktheheni popullit për t’i kërkuar praktikisht ndihmë. A nuk do të thotë kjo që ju nuk po njihni institucionet dhe nuk ka asnjë mënyrë që kjo të nisë dhe të çohet deri në fund si opzion ligjor që ekziston?
Basha : Dua të përsëris atë që thashë, por ta bëj pak më të qartë, për ju dhe për njerëzit. Dje Edi Rama vendosi kryeprokurorin siç deshi vetë, pa vetting, pa asnjë proçedurë, pra KLP nuk ka, por KLP është Ulsi Manja. Ulsi Manja mori kryeprokurorin dhe tha, ky do të jetë kryeprokurori dhe Shqipëria tani ka një prokuror që është edhe kryeministër, sepse nuk ka kryeprokuror tjetër. Ta zëmë se me të njëjtën logjikë, Edi Rama mbledh Parlamentin ditën e enjte, dhe vendos se mandati i kryeministrit nuk do të jetë 4 vjet, por do të jetë 8 vjet, ta zëmë se vendos të anulojë pluralizmin politik, siç e kuptoni, as problemi nuk është ligjor dhe kushtetues, çështje e interpretimit të hollë, fin dhe delikat të detajeve, dhe as zgjidhja nuk mund të jetë institucionale në kuptimin e peticioneve ndaj gjykatave. Problemi është thellësisht politik. Grushti i shtetit, puçi kushtetues, nuk ndalet me peticion ndaj gjykatave, por ndalet vetëm me përballje dhe vendosmëri popullore. Opozita ka pjesën e vetë, opozita nuk është pronare, as zëdhënëse e Kushtetutës, janë të gjithë qyetarët dhe të gjithë faktorët e shoqërisë, duke përfshirë median, shoqërinë civile të vërtetë, jo atë të kapurën dhe të blerën, duke përfshirë faktorin ekonomik, biznesin e vogël dhe të mesëm, të rinjtë, të rejat, studentët , të gjithë njerëzit duhet të vetëdijesohen se Kushtetuta është e tyre, as e imja, as e Edi Ramës, as e Partisë Demokratike, as e Partisë Socialiste. Është pakti që garanton paqen sociale dhe politike, demokracinë, rrotacionin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë themelore të qytetarit, funksionimin e lirive në kuptimin e avancimit individual, në lumturi, në liri, të gjitha këto janë në Kushtetutë. Kushtetuta është dokumenti themelor. Puçi kushtetues nuk ndalet me peticione, ndalet vetëm me përballje.
TVSH : Zoti Basha, në këto momente që po flasim janë akoma të ndaluar protestues të djathtë para Parlamentit ndërkohë që disa deputetë janë duke u ndjekur penalisht. A keni një qëndrim lidhur me këtë ?
Basha : Kjo është pjesë e skemës së terrorit të narkoshtetit dhe të një ministri të brendshëm, i cili është aty jo si pjesë e vullnetit politik, por si emërim i narkotrafikut, të cilit i shërben përmes vëllait të tij Agron Xhafaj. Nuk ka asnjë habi nga ana ime. Kjo ka ndodhur sa herë opozita ka protestuar. Dhe sot kur shpërbërja e krim politikës sapo ka nisur dhe paniku i Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës është në kulm, natyrisht tregon pasigurinë dhe panikun e tyre. Ne do të ndjekim hap pas hapi të gjithë hapat ligjorë. Avokatë, jurisë të PD, deputetë të PD janë pranë çdo të ndaluari në mënyrë të paliogjshme për ti mbështetur ata nga ana ligjore, po kështu dhe nga ana morale dhe politike. Ne po evidentojmë dhe do të evidentojmë çdo punonjës të shtetit që po shkel ligjin apo po zbaton urdhëra politikë dhe i garantoj se, do t’i dokumentojmë me emër dhe mbiemër dhe për çdo shkelje të ligjit dhe dhunim të protestuesve, të qytetarëve dhe të mbështetësve të opozitës, do të japin llogari shumë shpejt.
Report TV : Zoti Basha ambasada e SHBA dhe e BE e kanë cilësuar të dhunshme protestën dhe gjithashtu e kanë dënuar sjelljen e deputetëve në Parlament. Keni një reagim në lidhje më këto qëndrime?
Basha : Nuk kam ndërmend të ndryshoj sot rregullin tim për të mos komentuar ambasadorët e huaj. Dhuna e vetme dje në Parlament nuk ishin tymueset por dhunimi i Kushtetutës . cfarëdo të thonë ambasadorët, faktet janë ato që janë . Këshilli i lartë i Prokurorisë nuk është krijuar prej 8 muajsh në dhunim flagrant me Kushtetutën. Prokurori është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese nga Edi Rama. Prokurori është zgjedhur pa Veting. SPAK dhe Byroja e Hetimit nuk janë formuar dhe nuk dihet se kur do të formohen. Këto janë fakte, të tjerat pastaj janë cështje mendimesh dhe opinione që gjithkush ka të drejtë t’i japë dhe natyrisht të mbajnë përgjegjësi para atyre që mbajnë përgjegjësi.
Report TV : A jeni në komunikim ju me ambasadorët dhe me ambasadat lidhur me këto fakte?
Basha : Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë faktorin ndërkombëtar, i cili është më i vetëndërgjegjësuar se dje për krizën kushtetuese dhe politike në vend të shkaktuar nga kthimi i Shqipërisë në narkoshtet si projekt politik i Edi Ramës dhe të jeni të sigurt që nesër do të jenë më të vetëndërgjegjësuar se sot. Fundi i narkoshtetit është i sigurt dhe i pashmangshëm.