Skandali i rryshfetit të Ilir Metës u thellua dhe mori më shumë erë nga përpjekja e Edi Ramës për ta mbuluar, edhe pse reagimi i Kryeministrit është i thatë, sa për të larë gojën.

Me anë të zyrës së tij, Edi Rama u mundua të komunikonte se avokatët e qeverisë në zyrën e arbitrazhit në Vjenë nuk paskan përmendur emrin e Ilir Metës si përfitues të rryshfeteve në shuma të mëdha.

Po çfarë kanë deklaruar zyrtarisht në fakt, të zezë mbi të bardhë Oliver Seyd dhe Tim Schreiber, avokatët e qeverisë shqiptare në dokumentin zyrtar drejtuar Arbitrazhit të Vjenës me datë 30 qershor 2015:  Ata janë shprehur si më poshtë:

DIA ka marrë miliona euro nga CEZ në atë kohë, dhe i ka justifikuar këto shuma për rryshfete për zyrtarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion.

Agjensia ndërkombëtare e lajmeve BIRN që botoi këtë skandal ka arritur në konkluzionin se ish-kryeministri që përmendin avokatët e qeverisë, i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion, është Ilir Meta.

I gjithë hetimi bazuar edhe në deklaratat e mëparshme të CEZ para autoriteteve shqiptare, con ashtu sic e kanë pranuar zyrtarisht avokatët e qeverisë shqiptare, tek Ilir Meta.

BIRN flet edhe për rrethana të tjera, që e lidhin Ilir Metën me DIA-n, si përshembull vajtjen e tij deri në Pragë në zyrat qendrore të CEZ për të lobuar që DIA, kompania që ka shpërndarë rryshfete, të kontraktohej për mbledhjen e borxheve dhe shërbime të tjera.

Dokumente të siguruara nga BIRN, dhe të publikuara në një shkrim të datës 3 qershor 2015, tregojnë se ish drejtori I përgjithshëm i CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek ka konfirmuar se Kastriot Ismailaj u rekomandua nga Ilir Meta, i cili u ofrua si garant i marrëveshjes.

Këto janë faktet, kjo është e vërteta.

Të tjerat janë përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar këtë skandal.

Ngjarja është e rëndë dhe kërkon hetim të menjëhershëm e serioz nga Prokurori i Përgjithshëm.

Por kjo mund të arrihet vetëm pas dorëheqjes së Ilir Metës nga posti i numrit dy të vendit, dhe dorëzimin e tij para drejtësisë si qytetar i thjeshtë.


Deklarata për mediat e deputetes Jorida Tabaku,4 Shtator 2015