Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, denoncuan si një përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës padinë që Erion Veliaj ka ngritur ndaj njërit prej këshilltarëve, Akil Kraja.
Ai u padit prej Veliajt sepse e akuzoi se rritja e çmimit të ujit me 40% ishte kundër interesit të qytetarëve dhe në favor të një afere korruptive për privatizimin e Ujësjellësit. Veliaj pretendon se kjo akuzë i ka shkaktuar “turbullirë emocionale”, por gjatë komunikimit me median në PD, këshilltarët demokratë, transmetuan një deklaratë të Veliajt në Gusht 2016, ku ai flet për “negociata për privatizimin e UKT” dhe se “kjo nuk e impaktonte fare çmimin e shitjes së ujit”.
Këshilltarët thanë se kjo është vetëm një nga mashtrimet e Veliajt dhe se Partia Demokratike do të qëndrojë fort për të denoncuar çdo akt që është kundër interesit publik.
Deklaratat e plota të kryetarit të Këshilltarëve të PD, Kreshnik Çollaku dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Akil Kraja.
Kreshnik Çollaku: Rritja e çmimit të ujit është një akt kriminal. Ky vendim u mor në një kuorum votash të manipuluara. Një vendim i tillë, mban emrin korrupsion. Këtë e thotë çdo këshilltar i opozitës, këtë e thotë çdo qytetar i Tiranës, edhe nga ata që dje mund të kenë votuar z.Veliaj. Ndaj ne sot këtu jemi të gjithë të paditur, sepse po kryejmë detyrën tonë, detyrë për të cilën na kanë mandatuar qytetarët e Tiranës. Unë sot kam një mesazh për kryetarin e Bashkisë dhe klryeministrin e tij. Nëse mendojnë se me persekutime, me dhunë fizike apo verbale, të trembin demokratët, i kanë bërë hesapet krejt gabim. Ata dëshmojnë se nuk e njohin ADN-në e demokratëve, PD lindi përmes persekutimit dhe dhunës së diktaturës. Dhuna dhe persekutimi, veçse na forcon dhe na motivon. Ato janë dëshmi se ne jemi në një kauzë të drejtë, pranë qytetarëve dhe pranë së drejtës. Nëse kjo përpjekje për të shqtypur opozitën rishfaqet, autorët nuk duhet të harrojnë se ishim po ne, dhe kjo ADN që 27 vite më parë përmbysën etërit dhe ua themë statujat trotuareve të Tiranës. Nëse nuk kanë mësuar asgjë nga historia, ne jemi këtu për t’jua rikujtuar në kushte të reja.
Akil Kraja: Një turbullim të padrejtë të gjendjes shpirtërore. E ripërsëris, një turbullim të padrejtë të gjendjes shpirtërore. Ky është dëmi që i është shkaktuar kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të një deklarate publike ku në detyrën tonë si këshilltar bashkiak, ne denoncojmë rritjen me 40% të çmimit të ujit të Tiranës.
Deklaratë e cila është në vijim të deklaratave të shumta repetitive, propagandistike, të gënjeshtërta të Erion Velisë ku ai premton që çmimi nuk do të rritet dhe çmimi rritet për ujin. Ku ai premton që çmimi i biletave të autobusit nuk do të rritet dhe çmimi i biletave të autobusit u rrit. Ku ai premton moratorium për ndërtimet dhe sot e dimë çfarë po ndodh në Tiranë. Kjo deklaratë e 15 nëntorit 2017 kishte vetëm një qëllim, për të sensibilizuar qytetarë të Tiranës për mundësinë e një afere tjetër, atë të privatizimit të UKT-së e cila mund të ishte burimi kryesor e cila mund të justifikonte këtë rritje të beftë, të pa komunikuar më parë, mbi të gjitha në kundërshtim të hapur publikë me vetë premtimet dhe deklaratat e Erion Velisë. Kështu që më mirë se faktet, çdo fjalë do të ishte e tepërt dhe ne sot përfitojmë nga pjesëmarrja e mediave këtu prezentë, për të rindarë një nga dhjetëra, qindra deklaratat fotokopjuese, të gënjeshtërta, propagandistike të kryetarit të bashkisë, Erion Veliajt, ku ai thotë në mënyrë publike që po negocion privatizimin e UKT-së, por që çmimi i ujit nuk do të rritet.
Çfarë ndodhi?! Çmimi i ujit u rrit. Privatizimi nuk e dimë, është në drejtim të paditur.