Në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti një delegacion të arbëreshëve të Chieutit, provincë e Puglias, me të cilët ndau bindjen se Skënderbeu simbolizon identitetin europian të Shqiptarëve.
Zoti Basha tha se Partia Demokratike po bën gjithçka për të realizuar endrrën e hershme të Shqipërisë Europiane.
Kryetari Basha garantoi delegacionin se Partia Demokratike do t’i gjendet pranë motrave dhe vëllezërve arbëreshë, sot në opozitë dhe nesër me përgjegjësitë e qeverisjes, për të mbajtur gjallë vlerat e këtij komuniteti, ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve.
Kryetari i Komunës së Chieuti-t, Diego Iacono, theksoi se komuniteti arbëreshë vijon të ruajë dhe të mbrojë këtë pasuri, si origjinë e identitetit dhe kulturës shqiptare.
Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Në këtë ditë të shënuar të historisë sonë kombëtare kam nderin dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme, emocionet e papërshkrueshme që sot të mirëprisja në selinë e Partisë Demokratike një delegacion të arbëreshëve të Chieutit, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Chieutit, Diego Iacono, dhe po kështu një numër profesorësh, personalitetesh të shquara të Komunitetit Arbëresh të kësaj Komune që ndodhet në Provincën e Pulias. Me këtë rast dua t’i uroj të gjithë arbëreshëve në Itali, urimin e çdo bashkëkombasi në këtë vit të shënuar, përvjetor të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, që të kujtojmë dhe të nderojmë vlerat e përbashkëta shqiptare, që janë vlerat europiane, të lirisë, të demokracisë, të dinjitetit individual dhe së bashku të punojmë që ëndrrën e Gjergj Kastriotit, ëndrrën e rilindësve kombëtarë, që është edhe testamenti politik i Partisë Demokratike, Shqipërinë europiane, Shqipërinë e vlerave europiane, ta bëjmë realitet një orë e më parë. Në emër të Partisë Demokratike i garantova vëllezërit dhe motrat arbëreshe për vëmendjen dhe punën tonë si opozitë sot, dhe nesër me përgjegjësinë e qeverisjes për t’iu gjendur sa më pranë komuniteit arbëresh, ndihmën për të mbajtur gjallë dhe për të cuar përpara vlerat e këtij komuniteti, ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve, të cilat përbëjnë një krenari për ta dhe përbëjnë një krenari dhe një provë të jashtëzakonshme të vlerave të historisë sonë kombëtare për çdo shqiptari e çdo shqiptare. Së shpejti do t’i vizitoj, pasi mora dhe ftesën e tyre dhe shpresoj që ky vit jubilar të jetë një vit që të na afrojë edhe më shumë me njëri – tjetrin, na afron dhe më shumë me vlerat tona të përbashkëta, me vlerat europiane, që janë vlerat e Shqipërisë dhe vlerat e shqiptarëve.
Deklaratë e Kryetarit të Komunës së Chieutit, Diego Iacono
Ne ndihemi të nderuar dhe të kënaqur që jemi sot këtu duke përfaqësuar komunitetin arbëresh në Itali. Komuniteti arbëresh përfaqëson simbolikën e një pjese të Shqipërisë në një territor tjetër. Ne mbajmë të gjalla, traditën dhe kulturën shqiptare dhe i mbrojmë ashtu si i kanë patur paraardhësit tanë në territorin italian. Këtë trashëgimi e përcjellim me dinjitet si një bagazh të vlerave dhe pasurive kulturore. Dhe ne e ruajmë, e mbrojmë këtë pasuri, si origjinë e identitetit dhe kulturës shqiptare. Ky është një angazhim që ne e kryejmë çdo ditë për të mos humbur origjinën dhe origjinalitetin tonë në territorin italian.