- Problemi i mjerimit dhe mungesës së shpresës vjen nga aleanca e hajdutëve dhe kriminelëve në qeveri.
- Rama rrit taksat dhe çmimet për njerëzit e zakonshëm, por u heq taksat hoteleve me 5 yje.
- Në 27 Janar të bashkohemi kundër padrejtësive për të marrë fatin tonë në duart tona.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri përgjegjëse qeverinë për varfërinë dhe humbjen e shpresës tek shumica e shqiptarëve, të cilët nuk kanë më mundësi për të paguar faturat e shtrenjta dhe taksat e rritura. Në aktivin e Vaut të Dejës Basha tha se 50 biznese mbyllen çdo ditë, 300 mijë shqiptarë ushqehen vetëm 1 herë në ditë, ndërsa 100 mijë të rinj janë larguar nga Shqipëria në 4 vjet.
“Çfarë është kjo gjendje, çfarë është ky vend ku nga çiftet e reja e deri tek pensionistët, i ka kapluar i njejti mjerim ekonomik?! Problemi vjen nga ata që kemi në krye, nga një aleancë hajdutësh dhe kriminelësh, që mendojnë vetëm për veten e tyre. Shqiptarët bëjnë përpara në Europë, sepse në asnjë vend të Europës nuk ka një kryeministër sharlatan dhe të lidhur me kriminelët siç është Edi Rama dhe banda e tij në pushtet,”- tha kryetari i Partisë Demokratike.
Në Vaun e Dejës, zonën që furnizon me energji Shqipërinë, Basha vizitoi shtëpinë e të moshuarit Jak Vjerdha, që prej disa ditësh jeton në errësirë me bashkëshorten, sepse nuk ka para për faturën e dritave. Ata treguan se pjesa me e madhe e pensionit të të dyve, 13 mijë lekë, shkon për ilaçe.
“U ka ardhur një faturë 5 milionë borxh”-tha vajza e shtëpisë, ndërsa Basha vuri në dukje se “fatura 5 milionë është për një shtëpi të varfër që ka një sobë me dru”.
Kreu i opozitës tha se qeveria po përdor dy standarde për shqiptarët, për shumicën taksa dhe fatura më të larta për të paguar, ndërsa për pakicën zero taksa.
“Duhet të ngrihemi të gjithë të shpëtojmë vendin e njëri-tjetrin nga kjo situatë. Sepse taksat janë rritur. Çmimi i energjisë është rritur. Çmimi i ujit do të rritet prapë. Për të varfrit nuk ka asnjë shpresë me këtë qeveri. Ndërkohë, po u heq taksat hoteleve me 5 yje. Hotelet me 5 yje nuk paguajnë taksa, ju paguani ose përndryshe jua heqin dritat. Kjo është padrejtësi. Të bashkohemi të gjithë ta ndryshojmë, s’kemi rrugë tjetër,”– tha Basha.
Në aktivin e Vau të Dejës kreu i opozitës vuri në dukje se protesta e 27 janarit është për të thënë me zë të fortë se shqiptarët nuk pranojnë një qeveri, që nuk e ka fatin të lidhur me fatin e tyre.
“As nuk kanë asnjë ndjeshmëri. Prekin, shohin, ndjejnë që populli është në mjerim, por nuk ua ndjen për popullin. Nuk kanë asnjë ndjeshmëri, as për Jakun dhe zonjën e tij, që nuk kanë me se ta mbajnë frymën gjallë dhe prapë do të jenë në errësirë. Ndaj shpresa e vetme është t’i themi STOP emigrimit, t’i themi STOP dëshpërimit. Të bashkohemi më 27 janar për të marrë fatin tonë në duart tona”-u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.