Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë sot vendimin të dorëzojë kërkesën për një Komision Hetimor për çështjen e drogës dhe çështjen e Sajmir Tahirit, që është e njëjta çështje faktikisht.
Kjo kërkesë ka marrë edhe mbështetjen e grupeve të tjera opozitare parlamentare dhe do të depozitohet ditën e sotme.
I gjithë opinioni publik është njohur me faktin se për dy vite me rradhë, ndërsa Shqipëria po shndërrohej në një hambar të mbjelljes, kultivimit, korrjes dhe trafikimit të drogës, Ministria e Brendshme, kryeministri, Policia e Shtetit dhe gjithë hallkat e tjera ishin në disponim zyrtar të informacionit se kjo bëhej vetëm përmes përfshirjes së drejtëpërdrejt të kupolës më të lartë të drejtueseve të Policisë së Shtetit dhe oficerëve të lartë të policisë në terren. Bëhej drejtëpërdrejt me bekimin, rryshfetin dhe bashkëndarjen e drogës dhe të ardhurave të drogës nga ata që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të luftuar drogën dhe krimin, nga kupola më e lartë e Policisë së Shtetit.
Edi Rama e ka pasur këtë informacion mbi tavolinë, Sajmir Tahiri e ka pasur këtë informacion mbi tavolinë, Haki Cako dhe paraardhësit e tij e kanë pasur këtë informacion mbi tavolinë.
E kanë pasur në mënyrë zyrtare nga Shërbimi Informativ i Shtetit, e kanë pasur në mënyrë zyrtare nga shërbime të tjera inteligjente të huaja dhe institucione të tjera që nga Interpoli e Europoli. E kanë patur nga denoncimet e përditshme të opozitës, me emra, me fakte, me shifra dhe me data, e kanë patur këtë informacion nga media, gazetarë kurajozë të së cilës kanë shkuar dhe kanë rrezikuar edhe në parcela me kanabis për të treguar se realiteti ishte ky: Shqipëria e mbytur në drogë dhe jo mohimi i këtij problemi nga Edi Rama.
Por Edi Rama dhe qeveria, kanë vendosur t’i varrosin këto fakte dhe këto fakte janë varrosur në Ministrinë e Brendshme. Këto fakte janë varrosur në kasafortën e kryeministrit për një arsye të vetme, sepse droga është bërë me dijeninë, bekimin dhe nën mbrojtjen e qeverisë dhe kryeministrit.
Kjo është arsyeja pse Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin, ka shkelur Rregulloren e Parlamentit duke e kthyer Parlamentin në Gjykatë për të mbrojtur Sajmir Tahirin kur prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.
Ndërhyrja e mazhorancës dhe ezekutivit në skandalin Tahiraj –Habilaj, do të jetë po kështu pjesë e këtij hetimi parlamentar për të ekspozuar qartësisht, jo vetëm mekanizmin që çoi jo vetëm në kthimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës por dhe masat e dëshpëruara që ka marrë deri më sot Edi Rama dhe vazhdon të marrë që përgjegjësit të mos dalin para drejtësisë.
Duke nisur me Sajmir Tahirin e duke vazhduar me oficerët më të lartë të policisë dhe përfituesit politikë, njerëzit që kanë ndarrë paratë e drogës për të blerë zgjedhjet e 25 Qershorit dhe jo vetëm, për të blerë pasuri brenda dhe jashtë Shqipërisë .
Ky do të jetë objekti i këtij Komisioni Hetimor Parlamentar, kërkesa për të cilën dorëzohet sot.
Kemi diskutuar në Grupin Parlamentar dy çështje të tjera të rëndësishme të aktualitetit dhe që kanë të bëjnë me bandën në pushtet që nuk njeh gjë tjetër veç cetralizimit të gjithçkaje.
Pasi u përpoqën dhe dështuan të vënë nën kontroll Federatën e Futbollit, tani i janë sulur artistëve.
Dua të shpreh solidaritetin dhe mbështetjen totale timen personalisht dhe Partisë Demokratike, për kauzën e drejtë të artistëve. Teatri nuk mund të jenë tullat dhe godinat. Teatri janë artistët, teatri është Robert Ndrenika dhe kolegët e tij. Ndaj duke ju shprehur mbështetjen tonë totale, paralajmëroj Edi Ramën i cili ka 20 vjet që planifikon të ndërtojë kullë tek Teatri Kombëtar.
E paralajmëroj të tërhiqet nga ky plan ogurzi. Asnjë veprim nuk mund te kryhet për teatrin dhe me teatrin dhe me teatrin pa miratimin e faktorit kryesor, që janë artistët, sepse artistët janë teatrit.
Asnjë veprim nuk mund të kryhet dhe natyrisht nuk mund të vihen në veprim skema korruptive siç është ndërtimi i gradacelave, me të njëjtin sistem që po ndërtohet vepra tjetër kriminale, kulla me stadium, pa marrë shqyrtimin e çështjes nga artistët, të cilët kanë mbështetjen tonë të plotë. Sikundër kanë mbështetjen tonë të plotë në mossovjetizimin e artit sepse projekt-ligji që po sillet, është një projekt sovjetik që njësoj si në çështjen e arsimit dhe çdo çështje tjetër, gjithçka të jetë në duart e qeverisë, përmes fallsiteteve, bordeve që emërohen nga ministrat, kryeministri, zgjidhen drejtorë që do të ishte më mirë t’i zgjidhte kryeministri, do të ishte më e ndershme. Por kjo kohë ka marrë fund në Europë, do të marrë fund në Shqipëri.
Partia Demokratike është e vendosur se me vizionin tonë për decetralizimin, për kufizimin e pushtetit qeveritar, decentralizimin e kompetencave, ta zbatojë në të gjitha fushat, duke përfshirë fushën e artit.
Artistët do të jenë ata që do të vendosin përmes bordeve të vërteta drejtuese dhe jo fiktive, të zgjedhura nga ministra dhe qeveria, përmes bordeve të vërteta të vendosin ata, drejtuesit e tyre, mënyrën e shpenzimit të të ardhurave, qofshi ato të ardhura buxhetore, të taksapaguesve shqiptarë, pa cilat arti nuk funksionon në asnjë vend të Europës. Qofshin ato të ardhura të përftuara nga aktiviteti i tyre.
Decentralizim, dhënia e pushtetit të plotë për menaxhimin e përditshmërisë, vetëm artistët përmes mënyrave he mekanizmave europiane dhe ndalja e planit ogurzi për përjashtimin e artistëve ndaj çdolloj vendimmarrje për teatrin, janë qëndrimet e qarta të Partisë Demokratike.
Këto janë qëndrime të cilat ne i mbajmë në vazhdimësi për ngjarje të ngjashme, siç është drama e pedagogëve që është nënprodukt i Ligjit klientelist për Arsimin e Lartë. Ne kemi paralajmëruar se ky ligj do ta çonte arsimin në kolaps dhe në kolaps është.
Në kolaps është karta e studentit, në kolaps janë kreditë për studentët, në kolaps është kërkimi shkencor. Arsimi i Lartë është i varrosur në këtë moment nga Edi Rama dhe ligji i tij klientelist për Arsimin e Lartë.
Nuk janë vetëm makutë, janë edhe kampionë të paaftësisë. Se edhe për këtë ligj duke e mbrojtur me pathos, natyrisht duke mbrojtur klientët e tyre, nuk kanë prodhuar aktet nënligjore, përgjegjësia është e Edi Ramës dhe e tëpaaftes që ka si Ministre Arsimi, që e ka pranuar këtë përgjegjësi sot, duke thënë që tani me shpejtësi do të bëj aktet nënligjore.
Duke ritheksuar atë që Kryetarja e Komisionit, shpalosi që të enjten e kaluar e në vazhdimësi, dua të siguroj botën akademike, se për ne prioritet mbetetet, jo thjeshtë arnimi apo ndalja e përkohshme e hemoragjisë, por zhbërja e Ligjit të Arsimit të Lartë, miratimi i një Ligji me konsultim vendimmarrës me të gjithë botën akademoke, duke përfshirë trupën e pedagogëve, të kërkuesve shkencorë dhe studentëve dhe prindërve, një ligj i cili i përgjigjet përgjegjësive kushtetuese të shtetit për të mbështetur financiarisht institucionet publike të arsimit të lartë dhe që respekton standardin europian, autonominë e plotë të universiteteve.
Pa zhbërë këtë ligj klientelist, problemet do të vazhdojnë të thellohen, arsimi i lartë është në koma dhe arsyeja është Ligji klientelist i Edi Ramës.
Zhbërja e këtij ligji dhe një ligj i ri i hartuar së bashku me botën akademike është jo thjeshtë alternativa, por vendosmëria e opozitës, vendosmëria e Partisë Demokratike dhe vizioni ynë për të nesërmen e arsimit të lartë në Shqipëri.
Pyetje: Z. Basha, si e shpjegoni dorëheqjen e dy zonjave në Berat për t’i hapur rrugë Astrit Veliajt në Parlament?
Basha: Astrit Veliaj është numri dy në listën e Beratit. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendos se kush do të marrë mandatin. Këto janë çështje të KQZ-së dhe të vullnetit të personave përkatës. Rasti në asnjë gkë nuk ngjan me Arben Ndokën, aq sa ngjan televizioni juaj me një motorskaf droge. Sepse Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitet, në asnjë nga kandidatët kushdoqoftë deputet i ardhshëm.
Pyetje: Zoti Basha, është tërhequr Partia Demokratike nga kallëzimi penal për Ministren e Drejtësisë, i paralajmëruar në Kuvend nga deputeti Enkelejd Alibeaj?
Basha: Jo, nuk jemi tërhequr nga kallëzimi penal por i paraprijmë me këtë Komision Parlamentar për përgjësitë e Edi Ramës, për varrosjen e fakteve të raportuara të konfirmuar nga shërbimet zyrtare shqiptare dhe të huaja. I ka varrosur sepse dihet që droga nuk mund të bëjë pa Sajmir Tahirin, pa krerët më të lartë të policisë, pra nuk mund të bëjë pa Edi Ramën. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj përgjegjësie. Pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe grabitja e llogaritarit të drogës për të cilën çdokush do të mbajë përgjegjësitë e veta duke përfshirë edhe Ministren e Drejtësisë.
Pyetje: Keni një koment lidhur me faktet e publikuara nga shtypi grek se qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë arritur marrëvëshjen për shelfin kontinental dhe ndarjen e zonave ekonomike?
Basha: Kjo është një aferë e errët pa transparencë dhe të gjitha gjasat janë që kemi të bëjmë me një skenar kriminal. Përsa i përket përfshirjes së palës shqiptare, dje kemi patur një prononcim të institucionit të Presidentit që nuk ka plotëfuqishmëri dhe në ndjekje të këtij prononcimi, anëtarët tanë të Komisionit të Jashtëm, duke nisur nga dita e sotme do të kërkojnë sipas ligjit që detyron qeverinë, në këtë rast Ministrinë e Jashtme, dokumentacionin e plotë të negociatave të mbajtura sekret nga pala shqiptare. Gjithçka që e dimë, e dimë nga prononcimet greke.
Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje, do ta zbardhim deri në fund dhe nëse rezultojnë të vërteta pretendimet e shpallura nga media greke apo në disa raste nga zyrtarët grekë, askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore dhe penale.
Pyetje: Përse vendosët tani për të ngritur Komisionin Hetimor, ju besoni se hetimit të Tahirit do t’i shkojë më në fund opozita dhe jo institucionet vendase ose ndërkombëtare.
Basha: Komisioni Hetimor nuk heton veprën penale por heton përgjegjësinë e qeverisë dhe parlamentit për të penguar në këtë rast hetimin, siç e ka penguar, dhe çështë më e rëndësishmja përgjegjësitë e Edi Ramës dhe të institucioneve të Ministrisë së Brendshme, të Policisë, për injorimin e sinjalizimeve që vinin zyrtarisht, përsa i përket përfshirjes së policisë, së shtetit, politikanëve, pushtetarëve, minitrave në mbjelljen, kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Kjo do të hetohet dhe natyrisht drejtësia e pavarur e pakapur do ta kishte zbardhur sot rastin “Tahiri” dhe përmes rastit “Tahiri” do të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë të tjerët që janë përgjegjës për kthimin e Shqipërisë në një “Kolumbi të Europës”, për këtë arsye Edi Rama është investuar. Ka kapur prokurorin, ka shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe tani nuk ka asnjë shans që rasti “Tahiri”, të zbardhet përmes drejtësisë, aq më shumë pas rrëmbimit të llogaritarit, njeriu i cili do të depononte për shumat e përftuara nga Tahiri dhe nga politikanë të tjerë në aferën e bandës Habilaj. Ka dhjetëra banda të tjera, ka dhjetëra politikanë të tjerë, disa trë tjerë si përshembull Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, janë denoncuar në mëdia në komunikim me Klodian Zoton e inceneratorëve. Përsëri për shuma parashë dhe influenca të paligjshme të parave, dmth për blerje votash. Këto nuk mund të zbardhen sa kohë që drejtësia do të vazhdojë të jetë e kapur sa kohë që Edi Rama dhe shpura e tij e banditëve në pushtet nuk do të vihen para përgjegjësisë. Komisioni Hetimor është një hap institucional por jo i vetmi hap që ne do të hedjim, derisa t’i vëmë para përgjegjësisë këtë bandë që nuk e ka vendin në qeveri, por e kanë vendin para drejtësisë.