Sot qytetarëve dhe mediave u kemi kërkuar të njohin një Tiranë tjetër. Një Tiranë e cila është shumë e ndryshme nga Tirana që qytetarët shohin përditë, nga Tirana që serviret nga propaganda e pushtetit dhe Bashkisë Tiranë, Tirana e ndriçimit, pastrimit, gjelbërimit. Kjo është një Tiranë virtuale, e gënjeshtërt, falso. Tirana e vërtetë është kjo Tirana këtu, Tirana e gropave, ndotjes dhe e njerëzve që keqqeverisin dhe Tirana e korrupsionit.
Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Një tavan i shkollës “Osman Myderizi”, është rrëzuar. Vullneti i të plotëfuqishmit që fëmijët të kenë shpëtuar, pasi jeta e fëmijëve u rrezikua. Një mësuese u lëndua rëndë.
Kjo shkollë është pjesë e atij teatri, asaj telenovele bashkiake, ju e kujtoni para një viti kryetarin e Bashkisë që mburrej se po rikonstrukton shkolla dhe kopshte, ne bashkëpunim me biznese private, të cilët askush nuk i kuptoi nga ishin dhe nga dolën dhe sot jemi pas një viti në një shkollë me tavan të rrëzuar ku jeta e mesuesve dhe nxënësve është rrezikuar. Kjo është Tirana e vërtetë, Tirana që klith nga keqqeverisja, nga abuzimi dhe nga korrupsioni. Unë ju ftoj që të pyesni kryetarin e Bashkisë dhe çdo përfaqësues të mazhorancës në Tiranë. Çfarë i kushton Bashkisë së Tiranës që realisht të rehabilitojë dhe rinkostruktojë këto shkolla? Do t’ju thonë mbase: S’kemi fonde. Por kur t’ju thonë përse s’kanë fonde, bëjini pyetjen: Përse harxhoni 2 milionë e gjysëm euro për të mbjellur e shkulur palma e pisha në autostradë.
Absolutisht përveç babëzisë për të vjedhur për të grabitur dhe nga ana tjetër fallsitetit. Për të shitur një Tiranë që nuk ekziston, një Tiranë që njerëzit e shohin si telenovelë darkave, por në fakt kur dalin nesër në mëngjes, kur shkelin baltën dhe thithin ndotjen, rrezikojnë jetën, si këta fëmijë rrezikojnë sot, është Tirana e vërtetë.
Sigurisht propaganda mund të mbajë por mund të mbajë për një periudhë kohe. Do të vijë një kohë që qytetarët e Tiranës do ta kuptojnë se kush i qeveris, pse i qeveris, si abuzon dhe patjetër, në atë kohë do të bien jo vetëm tavani i shkollës, por do të bjerë kjo fasadë propagande, dhe kur të bjerë, mjerë ata që do të zërë brenda.
Mesazhi ynë është për të treguar se njerëzit duhet të reagojnë, jemi në një akt flagrant korrupsioni. Kjo shkollë është rikonstruktuar, sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës në 2016. Askush nuk kuptoi se me çfarë fondi, kush e bëri, çfarë morën në përfitim ata që e bënë dhe ja ku ndodhemi sot. Shkolla ka rënë dhe jetët e fëmijëve janë rrezikuar. Ne do të vazhdojmë të denoncojmë, do të bëjmë betejat tona politike, por në fund të fundit janë qytetarët që vendosin, janë ata që jetojnë në këtë qytet mizerabël i cili mbulohet nga dritat dhe propaganda e Bashkisë Tiranë.