Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti në takime të veçanta raporterin e Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag z. Thorsten Frei dhe anëtarët e Parlamentit Britanik, John Whittingdale dhe Martin Vickers.

 

Deputeti gjerman Frei ishte me mision faktmbledhës për permbushjen nga Shqipëria të 7 kushteve të integrimit, për të cilat do t’i raportojë grupit më të madh parlamentar në Bundestag, CDU/CSU.

 

Në të dyja takimet temat e bisedimeve u përqendruan tek nevoja jetike e Shqipërisë për të ndarë qeverisjen nga krimi, aleanca me të cilin vazhdon të jetë pengesa kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

 

Kryetari i opozitës theksoi se ashtu sic kontatohet edhe në strategjinë e zgjerimit, kapja e shtetit nga krimi dhe interesat private është sfida më jetike me të cilën përballet Shqipëria. Treguesi më i mirë për këtë është çështja “Tahiri”, dhe qëndrimi që mbajti Rama duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë dhe mbrojtur Tahirin me imunitet duke e kthyer Kuvendin në Gjykatë.

 

Ai u shpreh se kanabizimi i vendit ndodhi me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të kryeministrit dhe instancave më të larta qeveritare të cilët kanë bashkëpunuar me organizatat kriminale në këmbim të parave dhe ndërhyrjes së tyre në zgjedhje.

 

Për të mbrojtur pushtetin e tij, theksoi kryetari i opozitës Basha, kryeministri po përqendron të gjithë pushtetin dhe vendimmarrjen dike shkelur Kushtetutën dhe ligjet dhe duke uzurpuar çdo institucion, përfshirë Prokurorinë, Gjykatat dhe Reformën ne Drejtësi.

 

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare, përveç investimit në zgjedhje po kap sektorë jetikë të ekonomisë.

Basha tha se eksodi i shqiptarëve është  pasojë direkte e krizës ku e ka zhytur vendin aleanca e qeverisë me krimin. Pseudo -stabiliteti i bazuar në bashkqeverisjen me krimin nuk është real dhe si i tillë nuk mund të zgjasë.

 

Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin e opozitës për krijimin e një qeverie antimafia si hap i domosdoshëm për të zgjidhur krizën dhe për të rikthyer procesin politik përmes reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve demokratike.

 

Kryetari Lulzim Basha siguroi bashkëbiseduesit se Partia Demokratike mbështet plotësisht hapjen e negociatave, duke e konsideruar këtë hap si kontribues në monitorimin e qeverisë, e cila është përgjegjëse për mospërmbushjen e kushteve të integrimit.