Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu në Budapest vlerësimin e opozitës në Shqipëri për Strategjinë e Ballkanit Perëndimor, që rikonfirmon vullnetin politik të Unionit për anëtarësinë e rajonit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në Samitin e udhëheqësve botërorë të partive të qendrës së djathtë, zoti Basha tha se, anëtarësimi në Europë është për shqiptarët një aspiratë kombëtare, të cilës Partia Demokratike i ka shërbyer dhe e ka çuar përpara sa herë ka qeverisur vendin.
Lulzim Basha vuri në dukje se ishte Partia Demokratike që firmosi me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, anëtarësoi vendin në NATO, mundësoi heqjen e vizave me BE-në, plotësoi kushtet që vareshin prej saj për statusin e vendit kandidat dhe mori dy herë nga Komisioni rekomandim pozitiv.
Kreu i opozitës u shpreh se prej 5 vjetësh Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara dhe se mbetja në vendnumëro ka si shkak qeveritarët, qe kanë vënë interesin dhe pasurimin vetjak, mbi aspiratën europiane të shqiptarëve, duke tradhëtuar popullin e vet.
“Korrupsioni dhe kapja e shtetit nga interesat private, futja e grupeve kriminale në gjithë nivelet e qeverisjes, zgjedhjet e manipuluara, ekonomia e dobët që ju shërbën vetëm disave janë ato qe i mbajnë vendet tona larg të ardhmes Europiane.”- u shpreh Basha në Samitin e Udhëheqësve Botërorë të Partive të Qendrës së Djathtë.
Kryetari Basha pati një takim të veçantë me mikpritësin e Samitit, kryeministrin Viktor Orban. Kreu i opozitës e siguroi zotin Orban se Partia Demokratike po punon për alternativën e projektit europian të vendit dhe se Partia Demokratike është e vendosur ta ndryshojë Shqipërinë duke çliruar politikën, ekonominë dhe shoqërinë nga autokracia dhe monopolet.