Deklaratë e zëdhënëses Vorpsi pas dëshmisë tronditëse se Kryeministri dhe deputeti i tij i kanë kërkuar koleksionistit pikturën 1 milionë Euro
Dëshmitë e koleksionistit Gjergji Thimio para gjykatës janë tronditëse. Sipas këtyre dëshmive, Edi Rama dhe Koço Kokëdhima, kanë organizuar arrestimin e tij, pasi ai nuk pranoi t’u jepte një pikturë të Onufrit me vlerë 1 milionë euro. Thimio thotë se Koço Kokëdhima e ka kërcënuar dhe i ka thënë se do t’ia merrte koleksionin e çmuar me çdo lloj mënyre. Akuzat janë shumë të rënda. Prokuroria duhet të shqyrtojë këtë dëshmi dhe të hedhë dritë me aferën e Rama-Kokëdhimës me veprat e artit. Kjo akuzë ndaj Edi Ramës bëhet edhe më e besueshme kur dihet se ai ka një të kaluar të pasur me denoncime të tilla, dhe kur dihet se Kryeministri duhej të gjente një dhuratë me vlerë për këshilltarin e tij, Toni Blair. Gjergji Thimio gjithashtu ka lëshuar akuza të rënda se pas operacionit televiziv të policisë nën udhëheqjen personale të Kryeministrit, janë zhdukur shumë vepra të rëndësishme arti. Thimio përmend edhe Artan Lamen si pjesë të skenarit të vënë në jetë për arrestimin e tij, dhe përvetësimin nga Rama-Kokëdhima-Lame të koleksionit të çmuar të veprave të artit. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të nisë menjëherë hetimet mbi bazën e kësaj dëshmie që vë nën akuzë Kryeministin dhe deputetin Kokëdhima, i njohur si njeriu i ngushtë i punëve të tij.