Deklaratë për mediat e Koordinatores për Media Silvi Bardhi mbi transparencën e emërimit të drejtorit të Ujësjellësit në Patos

 

Partia Demokratike kërkoi ditë më parë një shpjegim nga Kryeministri Edi Rama për emërimin e dyshimtë të Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit. Por kaluan 6 ditë dhe Rama nuk dha asnjë përgjigje për emërimin e tij flagrant. Ndaj, sërish sot, ne po i drejtojmë të njëjtat pyetje kryeministrit.

Z.Rama cili është kriteri i ndjekur në emërimin e Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit?

Z.Rama, pse drejtori i Ujësjellësit të Patosit, ka ndryshuar emrin?

A e ka ndryshuar emrin, sepse ka pasur probleme me drejtësinë greke?

Z.Rama, sa vite burg për trafik droge ka bërë në Greqi, drejtori juaj i ujësjellësit në Patos?

Cili është kumbari politik i drejtorit të ujësjellësit, që ka ndërhyrë tek ju për këtë emërim?

Partia Demokratike është në pritje të përgjigjes nga kreu i qeverisë, për të bërë transparencën e emërimeve të tij në krye të institucioneve që duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave kriminale e politike. Partia Demokratike nuk do të reshtë së denoncuari çdo rast të emërimeve flagrante në administratën publike, duke kërkuar transparencë për meritokracinë, shanset e barabarta, respektimin e ligjit si dhe detyrimin kushtetues të Kryeministrit Rama për të dhënë shpjegime para qytetarëve.