Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma bisedoi sot me banorë të Tiranës për taksën e re të qeverisë për pronat. Banorët thanë se e kanë të pamundur të përballojnë taksën e re që nis nga data 1 Prill, kur fatura e dritave, ujit dhe çmimet janë rritur.
“Nuk e besoj se mund ta paguaj dot, ndaj nuk do ta paguaj hiç. Nuk paguaj dot as dritat do t’i heq fare dhe do rri me qiri”, u shpreh një kryefamiljar.
Një qytetar tjetër tha se çmimet janë rritur e bashkë me to edhe fatura e dritave dhe ujit. “Uji na u rrit këtë vit nga Janari dhe kjo e tatimit të shtëpisë…unë nuk e di si do e paguaj”, tha ai.
Një pensioniste u shpreh se familja e saj jeton vetëm me pensionet e të moshuarve sepse fëmijët janë të papunë, ndaj taksa e re u shton varfërinë. “Unë nuk e paguaj dot taksën. Jam burrë dhe grua në pension dhe djalin e kam të papunë”, tha pensionistja nga Tirana.
Ndonëse fare pranë qendrës së qytetit, banorët e kësaj zone vuajnë varfërinë dhe papunësinë. Ata shprehen se kanë shkuar në zyrat e punës prej 8 muajsh dhe i kanë përcjellë me tallje.
Duke nisur nga data 1 Prill, të gjithë shqiptarët do paguajnë taksën e re të pronës e cila në kryeqytet varion nga 50 deri në 150 mijë lekë të vjetra në vit, që rëndon direkt në buxhetin e familjeve shqiptare. Përmes kësaj takse, qeveria do u marrë qytetarëve shqiptarë rreth 26 milionë euro në vit.