Opozita dënoi vendimmarrjen e paligjshme në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku u morën vendime që çojnë drejt kioskëzimit, betonizimit, transferimit të pronave publike tek klientët e Ramës dhe prishjes së Teatrit Kombëtar.
Kryetari i këshilltarëve të PD-së Kreshnik Çollaku, theksoi se këto vendime janë votuar nga njerëz pa mandat këshilltari dhe çdo vendim është i pavlefshëm.
“E para është projekt i sponsorizuar nga një mafie e re në Tiranë, mafia e naftës për të gllabëruar mushkërinë e vetme apo ndër të vetmen të mbetura në Tiranë, Parkun Rinia. Për ta betonizuar, kjoskëzuar dhe për të bërë çdo fëmijë të Tiranës për të paguar një taksë për të luajtur me barin dhe pemët e atij parku. Kjo votë në këtë këshill kërkon 3/5. Vendimi i dytë që është edhe më kriminal është fillimi, formalizimi i rrugës për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe mbjelljes së disa kullave shumëkatëshe, duke kryer një krim shumëdimensional karshi trashëgimisë sonë kulturore, karshi dendësisë dhe hapësirave të qytetit. Është një kanibalizëm kulturor. Edhe ky kërkon 3/5 e votave në Këshillin Bashkiak”, theksoi Çollaku.
Çollaku ripërsëriti se këta gjashtë individë me vendim të Gjykatës së Tiranës janë shpallur persona pa mandat të këshilltarit bashkiak.
“Janë gjashtë individë të cilët sillen sikur janë këshilltarë, debatojnë sikur janë këshilltarë dhe votojnë sikur janë këshilltarë. Prania e këtyre gjashtë individëve hedh në erë legjitimitetin e këtij Këshilli Bashkiak dhe çdo vendimi që merret aty brenda. Prania e këtyre njerëzve që aktrojnë si këshilltarë por nuk janë të tillë duhen për të aktet kriminale që po i bëjnë Tiranës”, tha Çollaku.
Këshilltarët e opozitës i konsideruan krime të rënda për qytetin, dy vendimet e kaluara sot, duke theksuar se Partia Socialiste ka kaluar në minorancë.