Deklaratë e kryetares së Komisionit të Medias Albana Vokshi
Partia Demokratike përshëndet qëndrimin e organizatës “Reporterë pa Kufij”, e cila tha të vërtetën për gjendjen e rëndë të medias në Shqipëri; Përqëndrimin e saj në duart e afaristëve të lidhur me pushtetin, çensurën e gazetarëve dhe rritjen e armiqësisë ndaj gazetarëve, e nxitur nga Kryeministri Edi Rama.
Raporti veçon sjelljen e Kryeministrit me sulmet ndaj gazetarëve duke i quajtur; “injorantë”, “sharlatanë” dhe “armiq të publikut.”
Nxitja e urrejtjes së tij ndaj gazetarëve u përjetua edhe gjatë një interviste live në Kryesinë e Kuvendit, ku militantë dhe nëpunës zyrtarë të Partisë Socialiste sulmuan reporteren e “Neës 24”, Klodiana Lala teksa ajo pyeste ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, se pse nuk i dorëzohej drejtësisë pas akuzave për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Shefja e zyrës për Ballkanin dhe Europën, Pauline Adès Mevel në një prononcim për Fax Neës deklaroi se Shqipëria po kërkon integrimin në Bashkimin Europian, por për këtë duhet të tregojë se respekton Lirinë e Medias, pasi në Shqipëri ka sulme politike dhe publike ndaj gazetarëve dhe se 80 përqind e tyre nuk kanë siguri për të ardhmen profesionale.
“Standardet rregullatore janë manipuluar për interesa të qeverisë dhe pronësia e transmetuesve audio-vizualë është përqëndruar në duart e një grupi të vogël biznesmenësh të mëdhenj”.
Raporti i Organizatës së njohur “Reporterët pa Kufij” përforcon shqetësimet e ngritura edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku u denoncua “kapja e medias ”për interesa të qeverisë dhe kërcënimet e gazetarëve për të mos investiguar për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Edhe në Progres Raportin e Komisionit Europian flitet për probleme të lirisë së shtypit dhe përhapjen e autocensurës. Në cilësinë e Kryetares së Komisionit Parlamentar të Medias së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike kam iniciuar hartimin e një Rezolute kundër Gjuhës së Urrejtjes së Kryeministrit Edi Rama ndaj Gazetarëve.
Draft dokumenti po konsultohet edhe me Shoqatat e Gazetarëve dhe Organizatat dhe Institucionet Ndërkombëtare në Tiranë që kanë programe për Lirinë e Medias.
Miratimi në Parlament i Rezolutës në mbrojtje të gazetarëve, është shumë i rëndësishëm për të inkurajuar Lirinë e Shtypit dhe një Gazetari Profesionale, që do të ndihmonte në ndërtimin e shtetit ligjor dhe në luftimin e korrupsionit shtetëror dhe lidhjeve të dyshuara kriminale të Qeverisë, të ushqyera nga vetë Kryeministri, përmes marrëveshjeve të fshehura dhe koncensioneve klienteliste.