Deklarata e deputetes Albana Vokshi
Bashkë me kolegun tim Bardh Spahia në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike sapo regjistruam një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve Lindita Nikolla, si dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu për marrjen, grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave personale të prindërve të të gjithë nxënësve të gjitha shkollave, si dhe për ndërhyrjen në kartelat mjekësore të pacientëve, të cilët vizitohen në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë.
Informacioni i kërkuar; emër, mbiemër, numri i kartës së identifikimit, adresa e e-mailit, sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, konsiderohen të dhëna të mbrojtura me ligj. Ndaj edhe urdhri i Edi Ramës për të marrë këto të dhëna personale të cilat përbëjnë më shumë se 70% të të gjithë qytetarëve të të gjithë Shqipërisë është një shkelje ligjore dhe është një veprim antikushtetues. Neni 35 i Kushtetutës e përcakton qartë se këto të dhëna të cilat bëjnë identifikimin e qytetarëve konsiderohen të mbrojtura me Kushtetutë dhe me ligj.
Jo vetëm kaq por duke grumbulluar të dhëna personale Edi Rama hedh në kosh të plehrave edhe një prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Pasi OBSE/ODIHR-i e ka bërë shumë të qartë që i duhet dhënë fund abuzimit me burimet shtetërore. Në këtë kontekst, Edi Rama ka përdorur administratën shtetërore dhe burimet shtetërore për të kryer një veprim të paligjshëm sikurse është edhe marrja e të dhënave të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka asgjë ndryshe nga vendimi i para ca kohësh i Edi Ramës për të marrë të gjitha IMEIT e numrave të telefonit për të bërë skanimin e të gjithë shqiptarëve.
Duke qenë në kushtet që Gjykata Kushtetuese është jo funksionale, po ashtu edhe Gjykata e Lartë, Prokuroria pavarësisht se është nën ndikimin e Edi Ramës, është institucioni i vetëm të cilit mund t’i drejtohet opozita për të ngritur zërin dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: Ka pasur reagime si nga Ministria e Arsimit dhe nga Ministria e Shëndetësisë duke deklaruar se kanë anuluar urdhrin për mbledhjen e numrit të identifikimit?
Vokshi: Në fakt është e shpjeguar qartë edhe në kallëzimin që ne kemi bërë, edhe deklaratat e dy ministreve, ministres Nikolla dhe Manastirliu, vërtetojnë qartë paligjshmërinë e aktit të tyre pasi ministrja Nikolla u tërhoq me deklaratën e saj nga numri i kartës së identitetit dhe pavarësisht se Manastirliu nuk u tërhoq në deklaratën publike, por në informacionin tone, dje janë marrë në telefon të gjitha qendrat dhe Drejtoritë Shëndetësore për të ndërprerë numrin e kartës së identitetit. Jo vetëm që është i paligjshëm, por është edhe mashtrim publik pasi për të komunikuar me prindërit siç pretendonte ministrja Nikolla, nuk ka nevojë për kartë identiteti dhe as për numër celulari apo adresë email të të dy prindërve.
Ne jemi prindër dhe e dimë që ka shumë forma të tjera komunikimi edhe më efiçentë prindër-mësues, por nga ana tjetër edhe ministrja e Shëndetësisë jo vetëm ka ndërhyrë duke i dhënë urdhër për të hyrë në kartelat personale të pacientëve që ka të dhëna sensitive, që ka ligje që mbrojtje këto të dhëna dhe shëndetësore, pork a kërkuar në të njëjtën kohë edhe të dhënat e të gjithë personelit shëndetësor në të gjitha institucionet shëndetësore në të gjithë Shqipërinë.
Nëse bëhet për komunikim më të mirë me pacientët ky është mashtrim sepse tashmë ekziston regjistri i pacientëve te fondi i Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor, atëhere për çfarë i duhen të dhënat e personelit?! Të gjitha të dhënat, edhe emalet që janë dërguar me urdhër dhe em porosi nga kabineti i kryeministrit, na bëjnë të mendojmë që është ideatori është Edi Rama i gjithë kësaj skeme. Ai po ushtron detyrën e tij si kryeministër duke e shpërdoruar atë për të marrë të dhëna personale për të bërë identifikimin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, për ta përdorur për arsye elektorale të Partisë Socialiste në të gjitha zgjedhjet e ardhshme.
Pra qëllimi i vetëm është abuzimi me postin dhe funskionin e kryeministrit dhe dy ministreve si dhe gjithë atij personeli që po detyrohet që ta ushtrojë këtë presion nga lart, vetëm për arsye zgjedhore dhe elektorale. Ndaj edhe në kallëzimin penal ne kemi kërkuar jo vetëm fillimin e hetimeve për shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit politik për arsye elektorale dhe zgjedhore por kemi kërkuar në të njëjtën kohë edhe pezullimin të të gjithë funksionarëve të kryeministrit dhe të dy ministreve për arsye se ato mund të prishin provat e hetimit.