Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi
Partia Demokratike ka denoncuar disa herë javët e fundit shkeljen e Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi në lidhje me urdhrat e Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ministres së Arsimit Lindita Nikolla për grumbullimin e paligjshëm të të dhënave personale të pacientëve, punonjësve të administratës dhe prindërve të fëmijëve ndjekin arsimin publik, me qëllim përdorimin e tyre për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Partia Demokratike i kërkoi Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave, të hetonte e të reagonte ndaj këtij skandali që çdo ditë merr përmasa edhe më të mëdha. Ne kemi dorëzuar edhe padinë penale në Prokurori për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, duke kërkuar pezullimin nga detyra të Ministreve Manastirliu dhe Nikolla, deri në hetimin e plotë nga ana e prokurorisë.
Kjo është përgjigja e dytë zyrtare nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në shkresën e parë, Komisioneri Urdhëronte pezullimin e menjëhershëm të të dhënave nga Ministria e Arsimit. Në këtë shkresë, Rekomandim, Komisioneri vë në dijeni që pas kërkesës së PD-sw, ka kryer edhe një hetim administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Rekomandimin nr. 21 të datës 31 Maj, Komisioneri shprehet qartë se urdhri i Ministres Manastirliu që kërkon nga pacientët dhe administrata “numrin personal të identifikimit” është në shkelje flagrante të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Ashtu siç PD kishte ngritur shqetësimin, Hetimi i Komisionerit konfirmon denoncimin e PD, kur shprehet se “mbledhja e të dhënave dhe përditësimi i tyre nga Ministria e Shëndetësisë nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore” pra asnjë akti ligjor apo nënligjor duke nxjerrë zbuluar mashtrimet e Ministreve Manastirliu dhe Nikolla.
Komisioneri vlerëson se në shkelje të ligjit është gjithashtu numri i madh i të dhënave të tjera të kërkuara nga ministrja e Shëndetësisë, e cila e nisi procedurën e paligjshme me urdhër të Edi Ramës.
Legjislacioni në fuqi e ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e të dhënave pa ditur qëllimin. As pacientët, as punonjësit e administratës, nuk janë informuar mbi qëllimin dhe mënyrën e përpunimit të të dhënave. Ata janë shantazhuar dhe kërcënuar me pushime nga puna, nëse nuk plotësojnë tabelën e dërguar nga zyra e Ramës, tabelë në të cilën ndodhen të dhënat personale që do t’i shërbejnë Edi Ramës për operacionin e paligjshëm të blerjes së votës apo intimidimit të votuesve.
Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit pretendojnë se kanë hequr dorë nga paligjshmëria, por ne kemi informacion që të dhënat personale kanë vazhduar të mblidhen me detyrim si në shumë shkolla të vendit ashtu edhe po vazhdojnë të mblidhen në pjesën më të madhe të Institucioneve apo Qendrave Shëndetësore, duke ndërhyrë edhe tek regjistrat e pacientëve.
Duke zotëruar në rrugë të paligjshme informacion personal për të paktën 80% të votuesve, nëpërmjet prindërve të nxënësve, pacientëve, si dhe administratës spitalore dhe arsimore, Edi Rama e ka më të lehtë planifikimin e metodave antikushtetuese të shtrëngimit të votës me kërcënime për humbjen e vendeve të punës, jo vetëm në shtet, por edhe në kompanitë private.
Kur e paditëm këtë skandal në Prokurori, nuk kishim aspak besim se drejtësia do të bëhet.
Prokuroria është shumë e zënë me manipulimin e provave dhe mbylljen e skandalit tjetër të madh, atë të vëllezërve Xhafaj dhe nuk ka bërë asnjë veprim për të hetuar urdhrat e paligjshëm dhe antikushtetues të dy ministreve të tjera, Manistirliiu dhe Nikolla. Prokuroria hesht, sepse një hetim i pavarur do t’i çonte tek zyra e Kryeministrit dhe zbulimin e skandalit të të gjitha skandaleve: atë të skemës për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve.
Në 25 maj 2018, në vendet e BE ka hyrë në fuqi ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili e ka veprimin e tij edhe përtej vendeve anëtare. ligji vendos rregulla shumë strikte në marrjen apo përpunimin e të dhënave dhe qëllimin e tyre, madje kërkon fshirjen e të dhënave ekzistuese në shkolla apo universitete, apo institucione. Ndaj Edi Rama urdhëroi që të punohej me urgjencë e me kapacitet të plotë për vjedhjen e të dhënave në mënyrë të paligjshme.
Partia Demokratike, fton edhe një herë të gjithë prindërit, mjekët, mësuesit, infermierët, punonjësit e administratës të refuzojnë dhënien e të dhënave personale Ministreve të Ramës, pasi qëllimi i vetëm i mbledhjes së tyre është keqpërdorimi.
Partia Demokratike është e vendosur ta ndjekë këtë çështje me të gjitha format institucionale si dhe do ta adresojë në institucionet përgjegjëse të BE për të frenuar këtë marrëzi me efekte jo vetëm elektorale por me shumë gjasa edhe kriminale.