Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj
Konfirmimi në detyrë i Arta Markut, vegla e Edi Ramës në Krye të Prokurorisë, konfirmon cënimin e besimit të publikut ndaj procesit të vettingut dhe shembjen e shtyllës kryesore të Reformës në Drejtësi.
Ne e paralajmëruam dje këtë vendim politik të organeve të vettingut, pavarësisht se Arta Marku duhej të shkarkohej për mospërmbushje të kritereve të integritetit moral e profesional.
Arta Marku duhet të ishte shkarkuar nga detyra për të paktën 5 arsye të forta, të argumentuara me fakte, të pakundërshtueshme.
1) Në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime dhe komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar dhe shkarkuar drejtues prokurorie, në shkelje flagrante me kompetencat e saj ligjore.
2) Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke vendosur prokurorinë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
3) Gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore, ka kërkuar mbajtjen në burg të qytetarëve, jashtë kritereve që parashikon ligji.
4) Ka deklaruar ndërtime pa leje, në shkelje me ligjin, dhe pa justifikuar burimin e ligjshëm të financimit.
5) Në cilësinë e Prokurores në Shkodër, mbajti në burg në mënyrë të paligjshme një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr lirinë në mënyrë të padrejtë.
Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra.
Por kjo nuk ndodhi, sepse procesi drejtohet nga Edi Rama. Prandaj dhe kushdo që i shërben atij në sistemin e drejtësisë në shërbim të korrupsionit të Qeverisë së tij dhe krimit të organizuar, do ta kalojë vettingun dhe do të qëndrojë në detyrë.
Sot në Krye të Prokurorisë është një person i paaftë profesionalisht dhe që meritë të vetme të saj ka besnikërinë ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm!
Vendimi i sotëm i Komisionit të vettingut provon zbatimin e standardeve të dyfishta, duke larguar këdo që Edi Rama ka futur në listën e zezë dhe duke mbajtur në sistem këdo që i shërben atij.
Partia Demokratike e konsideron konfirmimin në detyrë të kamikazes së Edi Ramës në Krye të Prokurorisë si një lajm të keq për Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut.
Në garantojmë qytetarët shqiptarë se kushdo që ka shkelur ligjin do të përgjigjet para tij, përfshirë kamikazen e Edi Ramës në krye të prokurorisë dhe kushdo tjetër që në vend të ligjit dhe Kushtetutës, zgjedh t’i sherbejë Edi Ramës dhe interesave të tij mafioze.
Nuk do të jetë e largët dita kur drejtësia në Shqipëri do të bëhet sipas standardeve më të mira europiane dhe jo sipas standardeve të narko-shtetit të Edi Ramës.