Deklaratë e kryetares së Komisionit të Kulturës, Albana Vokshi
Prej 10 ditësh, Partia Demokratike ka publikuar fakte konkrete se Edi Rama po përdor pushtetin kundër interesit publik, duke shembur Teatrin Kombëtar për të ndërtuar kulla në Qendrën Historike të kryeqytetit.
Qëllimi i Edi Ramës nuk është teatri i ri, por pastrimi i parave të pista të drogës dhe korrupsionit.
Kryeministri miratoi një ligj të jashtëzakonshëm që grabit pronën publike dhe ia jep atë kompanisë “Fusha shpk”, nëpërmjet të cilës do të fitojë të paktën 205 milionë euro me kullat që do të ndërtojë në zemër të Tiranës.
Argumenti kryesor, siç shkruan qeveria në shpjegimin e ligjit, është se propozimi i “Fusha shpk” për të ndërtuar tek teatri u pranua edhe për faktin se kompania është pronare kufitare.
Ky është një mashtrim skandaloz që u bëhet shqiptarëve, i bëhet Presidentit të Republikës dhe Komisionit Europian që po shqyrton çështjen!
Pavarësisht se Edi Rama e ndaloi kryeregjistruesin e pronave të informonte parlamentin për pronën e kompanisë “Fusha shpk”, Partia Demokratike ka zbuluar mashtrimin e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe kompanisë “Fusha”!
E vërteta është se :
– “Fusha shpk”, të cilin Edi Rama po e përdor si kompani guackë për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit, nuk është pronar kufitar me pronën e teatrit, siç thotë qeveria në ligj.
Kompania “Fusha” ka në pronësi të saj vetëm 298 metra katrorë jo kufitarë me Teatrin, siç duket qartë në hartë. Ose thënë ndryshe më pak se 3 përqind të të gjithë sipërfaqes që Rama kërkon t’ia falë me ligj.
Edi Rama dhe kukullat e tij, Veliaj e Kumbaro kanë gënjyer qëllimisht Kuvendin! Kjo është një arsye e mjaftueshme që Presidenti të mos e dekretojë ligjin korruptiv “Rama- Fusha”.
Mashtrimi i Parlamentit me ligj nga kryeministri është një fakt i mjaftueshëm që çdo prokurori e pavarur dhe e pakontrolluar politikisht do të merrte sot në ndjekje penale Edi Ramën dhe çdokënd që ka mbrojtur këtë mashtrim skandaloz, duke përfshirë Erion Veliajn dhe Mirela Kumbaron.
Nëse prokuroria nuk do të ishte një vegël politike, do të duhet ta kishte nisur me kohë hetimin për aferën e Edi Ramës prej të paktën 205 milionë euro me kullat tek Teatri, sepse faktet që provojnë se plani i kryeministrit është i hershëm dhe i mirëmenduar, i kemi bërë publike.
PD që diten e parë ka qenë në krah të artistëve dhe ka denoncuar me forcë këtë aferë korruptive. Transparenca jonë për këtë akt mafioz do të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa asnjë hezitim.
Apelojmë edhe sot Presidentin e Republikës që të ndalë këtë akt korruptiv dhe të rrëzojë ligjin antikushtetues.
Partia Demokratike, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!