Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë sot në përkujtimin e 69 vjetorit të kryengritjes anti-komuniste të Postribës.

Basha shprehu vlerësimet për kurajon dhe sakrificën e patriotëve të Postribës që u ngritën kundër shtypjes së regjimit komunist në vitin 1946, dhe tha se ajo lëvizje është frymëzim për qytetarët dhe rininë e sotme për të mos u pajtuar me format e reja të shtypjes, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të dhunimit të votës e sundimit të krimit.

“Ata patën vizion e kurajo për t’u rreshtuar pra para një ideali të madh kombëtar siç është liria dhe dinjiteti i çdo anëtari të një kombi. Vizion i madh, vizion i madh realizimi i së cilit do ta kishte sjellë Shqipërinë 70 vite më parë në NATO e Evropë do ta kishte afruar në familjen e vlerave dhe standardeve të jetës, si BE e SHBA. Ideali i kryengritjes së Postribës nuk ka asnjë ndryshim nga ideali i kryengritjes së 1990,  liri, demokraci, dhe Shqipëri si gjithë Evropa. Kujtoje dhe nderoje rini postribase, kujtoje dhe nderoje rini shkodrane,  kujtoje dhe nderoje rini e Shqipërisë”, u shpreh Basha para qindra të pranishmëve në këtë aktivitet.

“Ne kujtojmë sot se kjo rrugë e këto të drejta, e drejta e fjalës e drejta e shprehjes së lirë, e drejta e besimit në Zot, në objektet tona të kultit pavarësisht besimit, myslimanë syni, bektashi, katolikë apo ortodoksë, e drejta më e çmuar e një demokracie, e drejta për të zgjedhur me votë të lirë e të patjetërsueshme, e drejta për të zgjedhur e vendosur me votë pushtetin, për të zgjedhur e larguar me votë pushtetin, janë sot nën kërcënimin më të madh nga pinjollët e atyre që i lyen duart me gjakun e kulluar të heronjve të Postribës, e që sot po mundohen hap pas hapi në aleancë me një tjetër krim, me krimin ordiner, me trafikantët me njerëzit e drogës dhe vrasjeve, të kthejnë Shqipërinë në një diktaturë hibride të një shteti dhe pushteti që godet liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të tij në aleancë me bandat më të rrezikshme në vend, në një aleancë që ushqen njëra-tjetrën, vidh popullin, bjeri popullit dhe paguaj me paratë e korrupsionit dhe të drogës bandat që mbajnë në këmbë pushtetin”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike bëri thirrje për rininë shqiptare sot që nën shembullin e guximtarëve të Postribës, me frymëzimin e tyre, të mos lejojnë asnjë shtypje tjetër.

“Çohu rini e Shqipërisë, ju keni në genet tuaja fisnike mosmposhtjen nga diktatura e Enver Hoxhës, ju nuk mund të pranoni kurrë diktaturën e krimit, diktaturën e bandave, diktaturën e korrupsionit. Bashkë do ti largojmë e do të kthejmë amanetin e martirëve të Postribës për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri perëndimore që ecën krah për krah dhe e nuk i sfidon aleatët euroatlantikë, në aleancë me krimin siç bën Ilir Meta e Edi Rama. Çohu rini e Postribës me baballarë, me  të rinj me të reja, me Partinë Demokratike, t’i japim fund këtij regjimi të korruptuar e të hapim rrugën edhe një herë për Shqipërinë në Evropë”, tha Lulzim Basha.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Shtator 2015