Ilir Meta po prodhon çdo ditë reagime të dëshpëruara që vërtetojnë pozitën e tij të vështirë, nën akuzë për marrje rryshfeti.

Provat dhe dëshmitë për skemën e madhe të korrupsionit dhe mashtrimit ku është direkt i përfshirë Ilir Meta, janë bërë publike.

Provat e rryshfetit të tij, janë pjesë e raportit zyrtar që avokatët e qeverisë shqiptare kanë paraqitur në arbitrazhin e Vjenës.

Ilir Meta iu imponua kompanisë CEZ, për të kontraktuar mikun e tij Kastriot Ismailaj, edhe kur ishte Ministër i Jashtëm duke bërë negociata private pa pasur asnjë tagër zyrtar, por dhe më pas kur ishte Ministër Ekonomie.

Ai loboi fort që Kastriot Ismailaj të merrte miliona euro nga CEZ, dhe natyrisht Ilir Meta kishte pjesën e tij në këto shuma marramendëse.

Akuza është e rëndë, dhe siç e kanë konsideruar avokatët ndërkombëtarë të qeverisë shqiptare, bëhet fjalë për skemën më të madhe të mashtrimit dhe korrupsionit në vend.

Partia Demokratike i konsideron qesharake reagimet e Ilir Metës, dhe thekson se atij i mbetet vetëm një shteg; dorëheqja dhe dorëzimi para drejtësisë.


Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Orjela Nebijaj, 9 shtator 2015