Zëdhënësja Vorpsi denoncon largimin e padrejtë nga puna të 55 vjeçarit, akt që e çoi atë drejt vetëvrasjes

 

 

 

Arroganca e qeverisë dhe e Kryeministrit Edi Rama mori sot dhe një jetë tjetër të pafajshme, duke shkaktuar vetvrasjen e një punonjësi të hidrovorit të Tales në Lezhë.

Mark Brahimaj, i cili punonte prej 22 vitesh në këtë hidrovor, është larguar arbitrarisht nga puna me të cilën mbante familjen e tij.

Familjarët e viktimës dëshmojnë se arsyeja që e çoi Markun në vetvrasje, është se ai u ndje i fyer dhe i pashpresë nga shefat e tij të papërgjegjshëm.

Çfarë po ndodh në Shqipëri, është se stili anti-human, arrogant, dhe i pashpirt, i Kryeministrit të vendit, po përcillet si me porosi kudo në Shqipëri, në çdo sektor publik, dhe kudo po hidhen njerëz në rrugë, pa motiv, duke i fyer e nëpërkëmbur sikur të ishin qytetarë të dorës së dytë.

Kjo vetëvrasje, është një akuzë direkte ndaj Edi Ramës, i cili me papërgjegjshmërinë dhe pandjeshmërinë e tij, po i bën shqiptarët të sakrifikojnë me greva urie, dhe po i nxit drejt vetësakrifikimit.

Pak kohë më parë, një nënë nga Korca u vetëvra, sepse e hoqën nga puna padrejtësisht. Edi Rama nuk tha asnjë fjalë.

Sot, një kryefamiljar në Lezhë u vetëvra, sepse e hoqën padrejtësisht nga puna. Edi Rama nuk thotë asnjë fjalë.

Prej 6 ditësh, shumë zonja dhe zotërinj, nëna baballarë, janë ngujuar në një grevë urie, për shkak të largimit të padrejtë nga puna. Edi Rama nuk ka thënë ende asnjë fjalë.

Edi Rama komenton publikisht rezultatin e ndeshjes së champions leagues, por ai nuk thotë asnjë fjalë për qytetarët e tij, që po detyrohen të marrin masa ekstreme, për shkak se Kryeministri i hedh në rrugë, për shkak së kryeministri nuk zbaton ligjin, për shkak se Kryeministri nuk zbaton vendimin e gjykatave dhe për shkak se Kryeministri nuk dëgjon zërin e tyre.

Kjo është drama që Kryeministri po i shkakton Shqipërisë dhe shqiptarëve.