• Takimi i opozitës në Shkodër mesazh mbështetjeje për shkodranët për qëndresë kundër krimit me mbështetje qeveritare.  
  • Opozita dhe jo Rama është në Shkodër, sepse Rama ka zgjedhur të bashkëqeverisë dhe t’i japë pushtet krimit kundër interesit qytetar.  
  • Edi Rama bashkëpunoi haptazi në zgjedhje me familjen kriminale Bajraj, që e ka kthyer Dobraçin në një zonë të pakalueshme dhe Shkodrën si në një zonë në gjendje lufte.  
  • Edi Rama është një kryeministër në letër, Fatmir Xhafa është një Ministër i Brendshëm në letër, kontrollin në territor nuk e ka policia, por e kanë bandat dhe krimi i organizuar. 
  • Opozitës nuk mund t’i kërkohet të bëjë ligje me Fatmir Xhafën, vëllain e trafikantit të drogës, me Taulant Ballen mik me trafikantin e drogës, me Jurgis Çyrbjen anëtar të bandës së Shullazit.  
  • Situata e krimit nuk ka qenë kurrë më kritike sesa sot! Vendi do të vazhdojë të mbetet në duart e bandave dhe krimit të organizuar, sa kohë kemi një kryeministër dhe një ministër të brendshëm të lidhur me krimin.  
  • Ajo që kemi përballë, nuk është aspak e lehtë.Për pushtetin e tij, Edi Rama, bëri pakt me Bajrët anembanë Shqipërisë. Vendi nuk ka kryeministër. Kryemonistër kanë bandat.  
  • Sfida që kemi përpara, ka përmasa akute! Detyra e opozitës është t’u japë shqiptarëve besim dhe shpresë, prandaj prioriteti numër 1 është çlirimi i qeverisë nga krimi me çdo sakrificë.  
  • Asnjë reformë, asnjë ligj, asnjë projektligj, asnjë akt nuk ka asnjë domëthënie pa e çliruar qeverisjen nga krimi. Opozita nuk mund të ketë axhendë tjetër veç çmontimot të krimit. Së shpejti opozita do  të shpallë platformën për arritjen e këtij objektivi politik.  
  • Detyra jonë si opozitë, është që një orë e më parë t’i bëjmë kriminelët dhe padronët e tyre politikë të tundin bizhamat me vija prapa hekura dhe para drejtësisë.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË TAKIMIN E JASHTËZAKONSHËM TË OPOZITËS NË SHKODËR

Të nderuar zonja deputetë, të nderuar zotërinj deputetë!

Më lejoni ta nis këtë mbledhje të opozitës së bashkuar këtu në qytetin e Shkodrës me një mirëseardhje për gjithësecilin prej jush dhe një përshëndetje të veçantë për mikpritësit tanë, qytetarët e Shkodrës, kryebashkiaken e Shkodrës, kryetarin e Qarkut të Shkodrës, dhe përfaqësuesit politikë të forcave opozitare në Shkodër.

Ne jemi sot këtu, në të njëjtën kohë kur në Tiranë mazhoranca hap punimet e sesionit në Kuvendin e Shqipërisë. Ne jemi këtu për dy arsye të pandara nga njëra-tjetra:

E para, për të dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë në mbështetje të Shkodrës, të qytetarëve të Shkodrës, në një qendresë të prerë dhe të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe bandave që po e sundojnë këtë qytet, duke marrë peng të sotmen dhe të nesërmen e tij.

Ky është mesazhi i parë dhe kjo është domethënia e mbledhjes së opozitës së bashkuar në nisje të sesionit parlamentar këtu në qytetin e Shkodrës.

Në më pak se 3 muaj, në këtë qytet kanë ndodhur 6 vrasje tronditëse mafioze dhe janë rrëmbyer të paktën 2 persona, për fatin e të cilëve dyshohet më e keqja. Ndërkohë, nga media lokale raportohet se para një jave ka ndodhur edhe rrëmbimi i 2 fëmijëve, si pjesë e skemave mafioze, të cilët për fat të mirë nuk janë dëmtuar dhe janë rikthyer në gjirin e familjes, por vetëm pasi mafia dhe krimi i organizuar kanë arritur qëllimet e tyre të gjobëvënies.

Kjo është situata në Shkodër, për shkodranët që e dinë fare mirë, dhe për çdo shqiptar.

 

Është e qartë se këtu nuk duhet të ishim ulur vetëm ne, këtu duhet të ishte kryeministri i Shqipërisë, dhe jo për të shitur mend e për të bërë batuta, po për të raportuar arrestimin e keqbërësve, arrestimin e kriminelëve që terrorizojnë prej 6 muajsh qytetin e Shkodrës.

 

Por Edi Rama nuk mund të jetë këtu!

Ai është në Tiranë me Jurges Çyrbjen, me Taulant Ballën, me Fatmir Xhafën dhe shumë eksponentë të tjerë të “Rilindjes”, të faktuar si persona të lidhur me krimin e organizuar.

Kjo është arsyeja e dytë se pse opozita mblidhet këtu.

Nuk ka shqiptar të mos ea kuptojë sa hipokrite janë thirrjet që vijnë sot nga foltoret e Kuvendit, se sa të dëshpëruara janë bojatisjet e propagandës për bashkëpunim.

Me kë të bashkëpunojmë? Me vëllain e Agron Xhafës, ministrit të vetëm të brendshëm të Europës, i cili harxhon gjithë kohën e tij për të menazhuar aferat e vëllait të tij të dënuar për trafik droge?

Me Taulant Ballën, sekretarin e përgjithshëm të forcës në pushtet, kryetarin e grupit parlamentar, të cilit pasi i plasi skandali i Toyota Yarisit dhe pastrimit të parave të pisëta të drogës, pohoi me gojën e tij se është mik me një prej anëtarëve kryesorë të bandës më famëkeqe në historinë 30-vjeçare të Shqipërisë, bandës së Lushnjes, të dënuar për trafik droge në Itali 21 vite burg, Edmond Begos?

Apo me Jurges Çyrbjen, të cilin prokuroria vazhdon ta përkëdhelë e ta ledhatojë, ndërkohë që vetë përgjimet e ligjshme të prokurorisë, të botuara nga media tregojnë se si i referohet vetes së tij dhe bandës së Emiliano Shullazit e të Lul Berishës si një e vetme?

Dhe në fakt kështu është, nuk ka gënjyer!

Sot kufiri midis krimit dhe qeverisë është shuar përfundimisht. Edi Rama bashkëpunoi haptazi me kriminelët në qytetin e Shkodrës në zgjedhjet e vitit të kaluar, bashkëpunoi haptazi me familjen kriminale Bajraj, që e ka kthyer Dobraçin në një “no go zone”, si të ishim në një luftë ballkanike, dhe tani ka humbur çdo fuqi dhe çdo mundësi për të imponuar ligjin dhe rendin.

Edi Rama është një kryeministër në letër, Fatmir Xhafa është një ministër i Brendshëm në letër, kontrollin në territor nuk e ka policia, por e kanë bandat dhe krimi i organizuar.

Ky është realiteti në Shkodër, ky është realiteti po kështu në Durrës, në Elbasan, në Vlorë, në Fier, në Shijak e gjetkë.

Para disa ditësh, krimi i organizuar goditi me breshëri automatiku shtëpinë ku flinin fëmijët e një gazetareje investigative. Mbrëmë, në vazhdimësi të një ngjarjeje kriminale në Kurbin u kërcënua një tjetër gazetar, janë qëlluar biznesmenë, janë rrëmbyer dhe zhdukur qytetarë, janë vrarë të tjerë, siç ishte rasti para disa ditësh me Arjan Ferracakun këtu në Shkodër.

Situata është totalish jashtë kontrollit. Situatën e kontrollon krimi i organizuar.

Sot Dobraçi duhet të ishte tërësisht nën kontrollin e forcave lëvizëse operacionale që paguhen me taksat e shqiptarëve, por në fakt është në një shtetrrethim të vërtetë kriminal, ku roje private të armatosur deri në dhëmbë diktojnë se kush lëviz e kush jo. Ne një lagje të Shkodrës, në një ndër 5 qytetet më të mëdha të Shqipërisë, nuk lëvizet dot lirisht, si të jemi në gjendje lufte, sepse kontrollin e kanë bandat, kontrollin e kanë kriminelët, dhe jo shteti, shteti është në gjunjë përpara tyre.

Në gjunjë është edhe policia e Shkodrës.

Sot kam një thirrje për Drejtorin e Policisë së Qarkut të Shkodrës: Jep dorëheqjen dhe largohu menjëherë, përndryshe do të jesh njësoj përgjegjës si Edi Rama dhe Fatmir Xhafa për këtë gjendje. Në qoftëse nuk ta mban të thuash të vërtetën, nëqoftëse nuk guxon të mobilizosh Policinë e Shtetit kundër kriminelëve, përkundrazi, i shoqëron ata me blinda dhe me furgonë policie, atëhere e vetmja që të shpëton nga përgjegjësia jote morale dhe penale është largimi yt dhe i çdo oficeri tjetër që nuk zbaton dot ligjin, që nuk shtyp dot krimin, për një arsye të thjeshtë dhe të kuptueshme për të gjithë; sepse krimi ua ka marrë kalanë nga brenda.

Ju ka marrë ministrin e brendshëm, Fatmir Xhafën, “kampionin” e reformës në drejtësi, që vendosi standardet që kur një prokuror apo gjyqtar fotografohet me një person të krimit të organizuar, duhet të humbasë vendin e punës. Propozuesin e vettingut në polici, që kur një polic kapet në një foto apo në një video, në një aktivitet familjar apo social, me një person me rekorde kriminale, humbet vendin e punës.

Por kur ministri i brendshëm kapet me të vëllain trafikant të dënuar droge, që i ka shpëtuar dënimit falë të vëllait politikan dhe pastaj zbulohet se ai është pashai i drogës në Vlorë, Fatmir Xhafa vazhdon detyrën. Vazhdon e them sa për sy e faqe, se Fatmir Xhafa nuk është më asnjë sekondë ministër i Brendshëm, por thjesht dhe vetëm vëllai i Agron (Geron) Xhafës. Është i tillë për efektivët e policisë, është i tillë për drejtuesit e policies.

Ndaj morali i organizatës së policisë është zero. Natyrisht, është i tillë edhe për kriminelët, të cilët e konsiderojnë ministrin e brendshëm anëtar të familjes së tyre. Dhe i tillë është, as më pak, as më shumë.

Si mund t’i kërkohet opozitës të ulet e të bëjë ligje me Fatmir Xhafën deputet e ministër të Brendshëm, kur duhet të ishte nën hetim, sipas ligjit antimafia, ai dhe e gjithë pasuria e tij?

Si mund të na kërkohet të ulemi e të bëjmë reforma me Jurges Çyrben, anëtarin e vetëshpallur, të vetërrëfyer të bandës së Emiliano Shullazit dhe Lul Berishës?

Si mund t’i kërkohet opozitës të negociojë me Taulant Ballën e Toyota Yaris, i cili pranon publikisht pa iu dridhur syri se ka miqësi personale me një trafikant të dënhuar droge, anëtar të Bandës së Lushnjes?

Vendi ynë nuk mund të jetë një fole krimi, siç është sot godina e parlamentit shqiptar. Vendi ynë është pranë njerëzve dhe pranë qytetarëve. Në veçanti, kur ata janë më në nevojë se kurrë, të kërcënuar, të dhunuar, të frikësuar, nga Shkodra në Vlorë dhe anembanë Shqipërisë.

Prandaj jemi sot këtu, për të shprehur mbështetejn tonë totale, për Shkodrën dhe qytetarët e Shkodrës. Për të shprehur vendosmërinë totale, që të marrim të gjitha masat që na takojnë si opozitë politike sot, dhe nesër me besimin e qytetarëve, të vëmë në lëvizje instrumentat e një shteti të ndarë nga krimi, për të çmontuar organizatat mafioze. Për të shtypur bandat që kanë marrë peng Shkodrën, Elbasanin, Durrësin, Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.

Situata nuk ka qënë kurrë më kritike se sa sot!

Nga njëra anë precepitimi i rendit publik dhe përkëqësimi i mëtejshëm i sigurisë së qytetarëve, për shkak të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin dhe nga ana tjetër, kapja e mediave dhe jo vetëm mediave, me qëllim për ti shitur shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë, gënjeshtrat për të vërteta dhe për të fshehur të vërtetën e tmerrshme: Shqipërisë i janë mbyllur dyert e integrimit europian.

Siç u bë e qartë edhe sot nga eksponentë të lartë europianë, do të vazhdojë të mbeten të mbyllura sa kohë vendi ndodhet në duart e bandave dhe krimit të organizuar.

Dhe vendi do të vazhdojë të mbetet në duart e bandave dhe krimit të organizuar, sa kohë kemi një kryeministër dhe një ministër të brendshëm të lidhur me krimin. Sa kohë kemi deputetë në Kuvendin e Shqipërisë që sot duhet të ishin pa imunitet dhe nën hetim.

Sa kohë kemi një prokurori, skllave të kryeministrit, sa kohë është asgjesuar tërësisht pushteti gjyqësor dhe vendi është si asnjë vend tjetër në planet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë.

Për çdo forcë politike në çdo vend, për çdo opozitë në Europë apo kudo tjetër, këto sfida do të dilnin e do të tepronin. Dhe unë e di që ajo që kemi përballë, nuk është aspak e lehtë.

Modeli pesë vjeçar i Edi Ramës na ka sjellë këtu!

Shkrirja e interesave politike me interesat kriminale dhe oligarkike na ka sjellë këtu!

Për pushtetin e tij, Edi Rama, bëri pakt me Bajrët anembanë Shqipërisë. Me kriminelët nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Qytet më qytet e fshat më fshat.

Për pushtetin e tij, ju liroi, ju hapi krahun në polici, në kupolën e policisë, gjysma e së cilës është akoma në arrati e akuzuar për trafik droge. Për pushtetin e tij ju hapi vendin në Parlament.

Kaluam nga një ministër i brendshëm që e bënte trafikun e drogës me kushërinjtë e tij, tek një ministër i brendshëm që e bën trafikun e drogës me vëllain e tij.

Tek një kryetar grupi parlamentar e një sekretar i përgjithshëm i një force kryesore politike në Shqipëri, që për turpin e faqen e zezë të asaj force dhe gjithë socialistëve të ndershëm, nuk e ka për gjë të pranojë lidhjet e tij haptazi, por nuk na tregon se çfarë e lidh me trafikantin e drogës. Të një force politike që i ka bërë “bypass”, ligjit të dekriminalizimit që ne e detyruam ta miratonte. Dhe sot në vend të kriminelëve, kemi kasnecët e kriminelëve, ku shembulli më tipik por jo i vetëm,  është Jurges Çyrbja.

Sfida që kemi përpara, ka përmasa akute!

Shqipëria nuk mund ta durojë më këtë gjëndje!

Shkodra nuk mund ta durojë më këtë gjëndje!

As Shqipëria dhe as Shkodra nuk mban më!

Ka përmasa historike!

Ne nuk mund ta lëmë vendin të boshatiset. Ne nuk mund të lëmë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre të largohen nga vendi, derisa këtu të mbeten vetëm skllevërit e Edi Ramës.

Ka përmasa europiane pasi këtu ku jemi shkojmë prapa e jo para në raport me Europën.

Ka përmasa humane, se vetëm ata që ia kanë shitur shpirtin djallit, krimit të organizuar në këtë rast, për kuletën e tyre. Për stilin e jetës së tyre të zhytur në luks, me chartera private e me hotele të shtrenjta si Edi Rama, Taulant Balla, Arben Ahmetaj me shkokë.

Vetëm ata mund të pranojnë që qytetë të tëra të masakrohen, terrorizohen, dhe këta të mjaftohen në rastin më të mirë me një Tëitter hipokrit dhe të thatë.

Ne mblidhemi këtu, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për integrim, partitë e tjera opozitare, plotësisht të vetëdijshëm edhe për të metat tona, të afërta, më pak të afërta dhe të largëta.

Por me të mirat e të këqijat tona, për tu zotuar para qytetarëve shqiptarë, se nuk do ti lëmë vetëm në këtë betejë për jetë e vdekje me krimin e organizuar.

Shqipëria nuk qeveriset më!

Nuk ka më kryeministër!

Kryeministër janë banditët!

Ministër i brendshëm janë banditët!

Edi Rama është një figurinë që vetëm hedh firma për të grabitur prona me PPP, me tendera me koncensione, taksat dhe pasuritë e shqiptarëve dhe për të plotësuar tekat e tij, qejfet e tij në luks të shfrenuar. Duke harxhuar miliona për udhëtime jashtë shtetit, duke harxhuar vetëm për automjete, aq sa është buxheti për ndihmën ekonomike në 8 muaj, siç e keni parë dhe nga shifrat që janë bërë transparente.

Por ne na lind detyra që sëbashku me shqiptarët, ti hapim vendit një rreze drite. Ti japim vendit prespektiven që sot është nxirë nga retë e zeza të krimit dhe kjo nuk mund të fillojë nga asnjë prioritet tjetër veçse prioritetit numër 1:

Çlirimi i qeverisë nga krimi!

Çlirimi i qeverisjes nga krimi!

Çlirimi i Shkodrës dhe i Shqipërisë nga krimi!

Çfarëdo sakrifice dhe çfarëdo masash dhe veprimesh do të kërkojë, prioritet tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Dhe çdokush që mendon ndryshe, gënjen veten e tij apo të saj.

Asnjë reformë, asnjë ligj, asnjë projektligj, asnjë akt nuk ka asnjë domëthënie pa e çliruar qeverisjen nga krimi.

Pa i dhënë fund sundimit të krimit, në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë, pa rikthyer rendin dhe sigurinë publike, pa ndërruar rolet, ku të jenë policët zbatojnë ligjin dhe diktojnë krimin dhe jo e anasjellta, si në Dobraç, Kiras apo kudo tjetër.

Me këtë përpjekje, Partia Demokratike, jam i bindur gjithë aleatët tanë opozitar dhe çdo forcë tjetër politike dhe jopolitike, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë axhendë tjetër veçse shtypjes dhe çmontimit të krimit.

Nuk kemi ne, absolutisht asnjë sinor për të ndarë me Edi Ramën në aferat kriminale, trafiqet e drogës, korrupsion.

Kriminelët që veprojnë pa teklif dhe vrasin, presin e gjobisin në mes të ditës janë përballë nesh dhe ne jemi përballë tyre me një dhe vetëm një qëllim: Ti shohim një orë e më parë prapa hekurave, kushdo qofshin dhe çfarëdo emrash e mbiemrash paçin. Shumica e tyre tundin sot flamurin e pushtetit, sepse u aka dhënë Edi Rama ta tundin në dorë.

Detyra jonë si opozitë, është që një orë e më parë ti bëjmë ata dhe padronët e tyre politikë, të tundin bizhamat me vija prapa hekura dhe para drejtësisë.

Këto janë objektiva të qarta që nuk lënë asnjë mëdyshje, të shpallura në vazhdimësi në këto ditë dhe javë, nga ne Partia Demokratike, LSI dhe gjithë aleatët tanë, të ndarë dhe të bashkëndarë nga faktorë të tjerë të rëndësishëm politikë dhe jopolitikë.

Detyra jonë është se të gjithë sëbashku, duke filluar nga këtu sot dhe duke vazhduar edhe me këta faktorë të tjerë shoqërorë, të gjejmë rrugët, mënyrat, të formulojmë aksionin dhe platformën politike dhe për ti dhënë fund kësaj gjendje të padurueshme për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.

Për ti dhënë vendin siguri, rend, demokraci dhe shtet të së drejtës.

Por le të fillojmë nga e para dhe më e rëndësishmja:

Përpunimi i një platforme të qartë politike, për ne si parti politike opozitare parlamentare, për tu përballur me problemin numër një, pa zgjidhjen e së cilit asnjë problem tjetër nuk zgjidhet: Shkëputjen, çlirimin e qeverisjes nga krimi. Vënies fund të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin!

Këto janë mesazhet që doja të ndajë në fillim të kësaj mbledhje, e cila është një mbledhje pune përtej një mbledhje solidariteti, mbështeje ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe paraljamërimi dhe qendresë të fortë para kriminelëve të bërë njësh me pushtetin këtu në Shkodër.

Jam i bindur se sot dhe në ditët në vazhdim, ne si opozitë parlamentare dhe çdo factor tjetër shoqëror që nuk e pranon këtë gjendje, do të dijmë të formulojmë bashkë me objektivat tona edhe rrugët, aksionin, aktet dhe veprimet që do ta ndalin theqafjen e Shqipërisë në këtë humenrë dhe do të plotësojmë objektivin e parë të vendit, objektivin e parë të qytetarëve , objektivin e parë kombëtar dhe politik të vendit:

Çlirimin e qeverisjes nga krimi!

Ju faleminderit.