ZËDHËNËSJA E PARTISË DEMOKRATIKE, INA ZHUPA
Pasi mashtroi qytetarët e Tiranës se tek Parku i Liqenit nuk do të ndërtohet, Erion Veliaj po hesht prej tre ditësh për planin e publikuar nga Partia Demokratike, i cili provon se tek Parku i Liqenit do të ndërtohet.
Ne e sfiduam Erion Veliaj t’u tregojë qytetarëve të vërtetën e planit të tij për Parkun e Liqenit, por Erioni Betoni hesht.
Para tre ditësh i vumë në dispozicion publikut videon nga Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe dokumenta zyrtare që vërtetojnë se plani i betonizimit të parkut është i miratuar në detaje, me kulla mbi 9 kate dhe mbi 29 metra lartësi që do të kenë ambiente zyrash, banimi, shërbimi, parkingje nëntokësore.
Ndërkohë, Erioni Betoni që del përditë në tv, për çdo tematikë, nuk del të japë përgjigje për betonizimin e Parkut. Sfida ishte publike, por, mesa duket, e ka të pamundur të mbulojë me gënjeshtra faktet dhe dokumentat për planin e pasurimit të tij dhe të mafias së ndertimit dhe shkatërrimit të Tiranës.
Qytetarët kane të drejtë të dinë përpara zgjedhjeve, se çfarë planifikohet për tokën e tyre publike, për shëndetin e tyre, për gjelbërimin e vetëm që i ka mbetur Tiranës.
- Pse Veliaj nuk merr përsipër përgjegjësitë për planin për betonizimin e Parkut?
- Pse hesht Veliaj para qytetareve që duan të dinë fatin e mushkërive të vetme të qytetit?
- Cilit oligark ia ka premtuar Veliaj ndërtimin e kullave në Parkun e Liqenit artificial?
- Sa para të pista do të pastrohen nga ndërtimi në tokën publike në një zone që duhet të ishte e mbrojtur?
- Cilat janë interesat dhe fitimet e tij dhe të shefit të tij në këtë aferë betonizimi të Parkut?
Veliaj nuk mund të fshihet prapa videove propaganduese, që transmetohen të gatshme në televizione çdo ditë.
Shëndeti i qytetarëve të Tiranës nuk është i sigurt me një kryebashkiak që pronën publike të qytetarëve e vë në shërbim të mafias së ndërtimit, pastrimit të parave të krimit me qëllim pasurimin e tij dhe të shefit të tij.
Me Erion Veliajn, Tirana po shkatërrohet.
Erion Veliaj nuk është kryebashkiaku që meritojmë.