Qindra qytetarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike morën pjesë në homazhet që u organizuan sot pranë memorialit të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, 17 vjet pas vrasjes së tij nga bandat e lidhura me pushtetin e kohës.

Pasi vendosi kurorën me lule në memorialin e Heroit të Demokracisë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se Azemi është gjallë, sepse e gjallë është kurajo e tij për të mos lëshuar liritë e fituara në dhjetorin e vitit 1990, kurajo për të mposhtur edhe një herë krimin e lidhur me pushtetin.

“Jemi këtu për të nderuar Tribunin e demokracisë shqiptare liderin e lëvizjes studentore të Dhjetorit, njeriun që vrau frikën e që me frikën e vrarë dhe të hedhur mbi supe, si një triumf i rinisë shqiptare shpërndau kurajën e njerëzve të lirë nga Jugu në Veri. Diktatura nuk ia fali kurrë Azem Hajdarit përmbysjen e madhe e të parikthyeshme, kthimin e lirisë së qytetarit në themel të një shoqërie, mposhtjen e frikës, ekzaltimin e kurajos qytetare. Ndaj krimi i lidhur me pushtetin, shkuli Azem Hajdarin nga gjiri i demokratëve dhe shqiptarëve të lirë më 12 Shtator 1998.

Por nuk e shkuli e nuk e shkul dot kurrë nga mirënjohja e demokratëve dhe e një kombi të tërë, nga nderimi për veprën e tij të pavdekshme. Azem Hajdari  është gjallë sepse e gjallë është kurajo, vendosmëria e tij për të mos lëshuar kurrë liritë e fituara në Dhjetorin e vitit 1990. Azem Hajdari është gjallë sepse e gjallë është forca kreshnike e Azem Hajdarit në Partinë Demokratike për ti prirë qytetarëve të lirë, për ta mposhtur dhe një herë krimin e lidhur me pushtet dhe pushtetin e bërë njësh me krimin”, u shpreh Lulzim Basha.


Mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike në homazhet e bëra pranë memorialit të Heroit të Demokracisë, 17 vjet pas vrasjes së tij, 12 Shtator 2015