Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri, vizitoi banorët e fshatrave të Mokrës, një zonë e prekur masivisht nga eksodi.
Mbi 250 familje raportohen se janë larguar nga Mokra drejt vendeve Europiane në muajt e fundit në përpjekje për mbijetesë për shkak të kushteve të mjerueshme. Në fshatin Trebinjë dhe Potgozhan, në skamje të plotë, nuk ekziston asnjë mundësi zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë ndërkohë që në terren nuk është investuar asgjë nga qeveria.
“Unë jam e ve dhe kam për të rritur me një pension minimal, dy fëmijë. Ata janë në shkollë dhe unë nuk arrij t’i ushqej me bukë dhe librat nuk kam me se t’ua blej. Më mirë të vdes në rrugët e Gjermanisë sesa në këtë fshat të humbur, pa shpresë.- u shpreh një nënë. Ndërsa Eltoni një i ri pa punë tha se dikur në këtë zonë jetonin afro 300 familje, tani kanë mbetur vetëm 40.
Gjatë takimeve, deputetja Vokshi tha se qeveria nuk po kryen detyrën duke lënë familjet e varfra në skamje të plotë duke u prerë ndihmën ekonomike padrejtësisht.
Deputetja u perball me realitetin tronditës në familjen Muça, ku kryefamiljari Shpëtim, i paralizuar në punë dhe me disa sëmundje, i ishte mohuar e drejta për të marrë pagesën e Kempit, të miratuar në fund të vitit 2013. Mungesa e të ardhurave minimale nuk mundësonte blerjen e ilaceve dhe kurimin e tij.
“Ju e shihni që këtu ka një varfëri migjeniane, pa drita e me qirinj, pa ujë, ku mungojnë dhe mjetet më bazike të një jete minimaliste. Këtu nuk zbatohen të drejtat më minimale të njeriut dhe ligji shkelet hapur me arrogancë. Gratë kryefamiljare nuk punëson dhe nuk marrin ndihmë sociale. Kempi u hiqet në mënyrë ç’njerëzore të sëmurëve, në shkelje të plotë të ligjit. Nga gjithë ky mjerim, njerëzit gjejnë mundësi shpëtim tek emigrimi që qeveria mundohet ta fshehë dhe të manipulojë shkaqet e tij drithëruese”, tha Vokshi.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi deklaroi se historitë e mjerimit në Mokër dhe eksodi i shqiptarëve vlejnë të denoncohen si krime të qeverisë. Ajo tha se Partia Demokratike ka një plan shpëtimi i cili do të nxjerrë shqiptarët nga kriza, me taksa të ulëta, luftë kundër krimit dhe korrupsionit shtetëror dhe programe punësimi.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Shtator 2015