Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, lideri i opozitës Lulzim Basha, shprehu shqetësimin e PD dhe të opozitës për përmasën e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, gjatë viteve të fundit, falë lidhjeve dhe bashkëpunimit me politikanët në pushtet.
Duke iu referuar kushteve të vendosura në Samitin e Sofjes, zoti Basha i konsideroi lidhjet e politikës me krimin si pengesën më të madhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si dhe rrezik për stabilitetin e vendit.
Zoti Basha shprehu gatishmërinë e opozitës për të vazhduar të kontribuojë në zbatimin e reformës në drejtësi, bazuar në parimet e respektimit të Kushtetutës, moskapjes partiake të gjyqësorit dhe arritjes së rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin për mosndryshimin e kufijve në Ballkan dhe falenderoi Kancelaren Merkel dhe qeverinë gjermane për pozicionimin e qartë në këtë çështje.
Një falenderim dhe mirënjohje të veçantë, Lulzim Basha i shprehu Ministrit të Jashtëm Maas për ndihmën e madhe e të pakursyer që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në 3 dekadat e fundit, veçanërisht për integrimin europian. “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet objektivi kryesor politik i Partisë Demokratike”- theksoi zoti Basha.