Partia Demokratike i uron të gjithë nxënësve një vit të mbarë shkollor dhe i inkurajon më të rinjtë për rezultate e suksese. Dija është investimi më i madh për kombin dhe rruga më e sigurtë e zhvillimit të vendit.
Por për fat të keq, ne nuk mund të qëndrojmë vetëm tek urimet, kur situata sot në arsim është e rëndë.
Mësuesit po kalojnë në skanerin e dhunës qeveritare, që kërkon të zbulojë biografi politike, për të kryer shkarkime të reja masive, e për të hapur vend për militantët politikë. Ne kemi denoncuar se si qeveria kërkon të marrë informacion për të gjithë stafin e shkollave, për prirjet e tyre politike.
Sot qindra mesues, u gjendën befasisht të transferuar me përdhunë nga shkollat ku japin kontribut disavjeçarë, për tu zevëndësuar me militantë e klientelë.
Mësuesit u shantazhuan në zgjedhjet e fundit, dhe u kërcënuan me vendin e punës në këmbim të votës për qeverinë, e shkruar e zeza mbi të bardhë në raportin e ODIHR.
Mijëra fëmijë janë sot në kushte skandaloze ekonomike dhe në pamundësi për të blerë librat apo çantat e shkollës.
Po janë dhe me mijëra fëmijë në kampet e refugjatëve në Europë, të larguar nga vendi, sepse kjo qeveri u ka prerë shpresën dhe besimin për të ardhmen.
Nuk ka asnjë invetim në infrastrukturën shkollore. Ska shkolla të reja, ska laboratore të reja, nuk ka hapësira të reja për nxënësit.
Dhe sigurisht, këtë gjendje të zymtë të arsimit, qeveria nuk mund të mos e kulmonte me një inkriminim.
Ja ku kemi këtu, të emëruarin e qeverisë si drejtor të shkollës së mesme profesionale “Kristo Isak” në Berat.
Me firmën e Ministrit Klosi, vjen në këtë detyrë me 1 shtator, Armelin Cili, një i dënuar në vitin 2011, me 12 muaj për korrupsion. Armelin Cili është kapur dhe është provuar se ka abuzuar me ndihmën ekonomike në dhjetra raste.
Duke përdorur paratë e ndihmës ekonomike, me një skemë vjedhjeje, sikur ia jepte personave që në fakt rezultonin se ishin jashtë shtetit. Një hajdutëri skandaloze dhe e papranueshme. E megjithatë, me rilindjen, ky person promovohet dhe bëhet drejtor i shkollës profesionale.
Nuk është kjo mënyra për të nisur një vit shkollor.
Nuk është kjo mënyra që ka zgjedhur qeveria për këtë ngjarje të rëndësishme të shoqërisë tonë.
Kjo është mënyra më e keqe, në dëm të arsimit, në dëm të aspiratës së nxënësve, në dëm të mundit dhe djersës së prindërve të këtij vendi që sakrifikojnë kaq shumë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Luciano Boci, 14 Shtator 2015