• Teza se autokratët e Ballkanit sigurojnë stabilitet ka dështuar dhe ata europianë që e mbështesin këtë duhet të korrigjojnë kursin e tyre.
  • Ata që flasin në emër të Europës të mos na gënjejnë më, por ta thonë qartë: Europa nuk do të na pranojë kurrë sa kohë të kemi kryeministra, ministra apo parlamentarë të lidhur me krimin.
  • Roli i Prokurores së kapur politike është të shkatërrojë hetimet kryesore të politikanëve të lidhur me krimin dhe të banditëve të lidhur me politikën.
  • Qeveria nuk e ka më kontrollin e territorit dhe të ekonomisë. Është krimi që kontrollon ato. Shqipëria po destabilizohet nga krimi.
  • Kushti kryesor për të kthyer procesin politik në vend është largimi i politikanëve të lidhur me krimin dhe për këtë ne kemi propozuar vetingun e politikanëve.
  • Autokratët e korruptuar po rikthejnë skemat destabilizuese për rajonin. Propozimi për shkëmbimin e territoreve, është legjitimim i aventurierëve dhe legjitimim i 5 bandave të krimit të organizuar në veri dhe në jug të lumit Ibër.
  • Nëse ka vullnet politik për të çmontuar këto pesë banda, bie edhe alibia e fundit për mosfunksionimin e territorit të Kosovës.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA NË KONFERENCËN BALLKANIKE ME TEMË “30 VJET MË PAS. ÇFARË E MBAN BALLKANIN JASHTË BE. ROLI I GRUAS NË PROCESIN E INTEGRIMIT”,  ORGANIZUAR NGA LIDHJA DEMOKRATIKE E GRUAS SË SHQIPËRISË DHE FORUMI I GRUAS SË PARTISË POPULLORE EUROPIANE ME MBËSHTETJEN E FONDACIONEVE KONRAD ADENAUER DHE HANNS SEIDEL. 

 

Faleminderit zonja Vokshi!

 

Dhe më lejoni t’ju përgëzoj ju si kryetare e Lidhjes Demokratike e Gruas dhe gjithë bashkë organizatorët e tjerë; Fondacionin Konrad Adenauer, Valter Gloss, Fondacionin Hanns Seidel, Nertila Moskën dhe gjithë partnerët e tjerë për këtë mbledhje të shkëlqyer që keni organizuar sot në Tiranë!

 

Dua t’i uroj mirëseardhjen kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas të Kosovës, Lira Kajtazi, Kryetares së Bashkisë së Tetovës znj. Teuta Arifi, znj. Duraku e cila vjen nga Mali i Zi, përfaqësueseve të grave nga Presheva, por, po kështu, përfaqësuesve të larta të organizatave politike të grave nga Rumania, Bosnjë Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi, që tregojnë qartë se gratë dhe organizatat politike të grave janë sot rrjeti më i fuqishëm dhe më i përgatitur për t’u përballur me sfidën e madhe  akoma të papërmbushur të integrimit europian të rajonit.

 

Këtu ju ka mbledhur një axhendë, e cila ju bashkon të gjithëve, integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gratë janë ato që vuajnë më shumë se kushdo tjetër pasojat e stanjacionit, korrupsionit dhe luftës të pamjaftueshme kundër krimit të organizuar, kundër kapjes së shtetit dhe vështirësive ekonomike. Po janë, po kështu, dhe luftëtaret më të forta që përballen me autokracinë, me autokratët e korruptuar ballkanikë që flasin me gjuhën e Europës, por kërcejnë vallen e despotizmit lindor të zhytur deri në fyt në korrupsion dhe, sa herë përballen me zërin e grave, çjerrin këtë maskë dhe del fytyra e tyre e vërtetë.

 

Del kjo fytyr,ë kur fyejnë dhe sulmojnë personalitete të shquara, sa herë që nuk iu pëlqen ajo çfarë këto personalitet e thonë troç dhe pa dorashka, siç është rasti jo sot dhe jo këtu në Shqipëri, por për 30 vite me radhë në çdo vend të Ballkanit, me presidenten e nderuar të Forumit të Grave të Partisë Popullore Europiane znj.Doris Pack, njëkohësisht presidenten e Forumit “Robert Schuman”; Siç është rasti me deputetet opozitare në Kuvendin e Shqipërisë dhe në kuvendet  e tjera të rajonit;

Siç është rasti me gazetarët e nderuara këtu në Tiranë, në Bruksel, gazetare, analiste por edhe gazetare kronike dhe terreni, të cilët përballen jo vetëm me dhunën verbale të autokratëve, të politikanëve të bërë njësh me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por përballen edhe me plumba, siç ishte rasti i gazetares kurajoze investigative Klodiana Lala. Siç ishte rasti i sulmeve ndaj Ambrozia Meta, siç është rasti i presioneve të dukshme dhe të padukshme ndaj gazetareve kurajoze të Shqipërisë, të cilat ndodhen nën presion të dyfishtë- atë të pushtetit të korruptuar dhe të politikanëve të korruptuar dhe tjetrin të pronarëve dhe mediave të blerë nga pushteti i korruptuar.

 

Është një sallë tepër e vogël për të mbajtur një kurajo kaq të madhe. Por më lejoni t’ju them se jam tepër mirënjohës që jeni sot këtu. Krah për krah tuaj shoh të rinj të forumeve rinore të Partisë Demokratike dhe të aleatëve tanë dhe disa politikanë me përvojë. Jemi këtu për të mësuar nga përvoja juaj, për të marrë nga kurajoja juaj. Por, po kështu, jam këtu për t’ju thënë se për Partinë Demokratike fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave shqiptare në politikë është një objektiv madhor dhe i patjetërsueshëm.

 

Ky objektiv mori formë me pasjen për herë të parë në një bashki madhore të vendit një kryetare bashkie, siç është kryetarja e Bashkisë Shkodër, të ripërtëritjes së pranisë së grave në grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe do të zgjerohet, po kështu, me pjesëmarrjen masive të grave demokrate në procesin e riorganizimit të Partisë Demokratike dhe më vonë në përfaqësimin e tyre në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet e përgjithshme; për të arritur objektivat që Partia Demokratike ka shpallur për barazi gjinore dhe përfaqësimin më të denjë të grave në politikë.

 

Sot jemi mbledhur në Tiranë dhe pavarësisht prej mikpritjes, Lidhja Demokratike e Gruas jam i sigurt se Albana Vokshi ka siguruar që të mos ju shpëtojë se, përtej këtyre dritave në këtë sallë, Shqipëria po kalon një kohë shumë të vështirë.

 

Në 5 vitet e fundit, vit për vit, kemi një rritje galopante të varfërisë dhe papunësisë. 290 mijë shqiptarë sipas statistikave shqiptarem që janë gjithmonë të manipuluara nuk arrijnë të sigurojnë bukën e fëmijëve.

Kush më shumë se gratë dhe nënat e vuajnë mungesën e bukës në tavolina për fëmijët e tyre, mungesën e mjeteve financiare për të blerë librat e shkollës apo këpucët apo veshmbathjet për fëmijët e tyre?!

I përcjellin nënat shqiptarë fëmijët në shkollë me frikën e sigurisë, sepse pranë shkollave tregtohet hashash, heroinë dhe kokainë. që prodhohet dhe tregtohet me bekimin e qeveritarëve.

 

Sipas statistikave të organizatës kundër krimit të organizuar dhe drogës të OKB-së, Shqipëria ka kapur vendin e parë në botë për konsumin e kokainës me 2.5% të popullsisë që konsumon kokainë.

Qendrat e qyteteve janë shndërruar në arenën e larjeve të hesapeve dhe një nga arsyet kryesore janë larjet e hesapeve të drogës që prodhohet dhe eksportohet me bekimin e qeverisë.

 

Kjo ka qenë kauza jonë prej viti 2014, kur na akuzonin për shumë gjëra. Mund të akuzoni se kemi qenë të parakohshëm për paralajmërimet që ju kemi dhënë por nuk mund të na akuzoni se nuk kemi thënë të vërtetën se nuk kemi vënë gishtin në plagë.

 

Për të mos folur për punësimin e grave dhe vajzave apo promovimin e tyre sepse ju mungon kriteri kryesor i promovimit të tyre sipas Edi Ramës, që është rekordet kriminale.

 

Kjo që them unë është e hidhur dhe cinike. Më lejoni ta perifrazoj në mënyrë optimiste, te gratë është çelësi kryesor i daljes nga kjo gjendje, pikërisht sepse te gratë kontingjenti i rekordit kriminal është pothuajse inekzistent.

 

Ne jemi të vendosur dhe unë jam i vendosur që me ndihmën e partnerëve tanë, Partisë Popullore Europiane, ku gjej rastin të falënderoj praninë e sekretarit të marrëdhënieve me jashtë, jo për herë të parë, në mënyrë të përsëritur në aktivitetet tona, zotit Patrick Voeller, për ndihmën e kristiandemokratëve gjermanë të Angela Merkel, për ndihmën e Partisë Popullore Evropiane, për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta ndryshojmë këtë realitet, i cili nuk mund të vazhdojë më kështu, dhe do ta kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe të zhvillimit.

 

Kusht kryesor është ndarja e politikës me krimin.

 

Nuk dua të përsëris ato që tha Doris Pack, ndonëse e meritojnë të përsëriten, sepse mediat e humbën lidhjen direkte, ndërkohë që ajo fliste, por dua të them se integrimi në Evropë nuk është lojë fjalësh, nuk është propagandë bajate, siç e shet qeveria. Shqipëria e humbi shansin për hapjen e negociatave përsëri, për shkak të mosplotësimit të kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian.

 

Dhe qëkur e humbi shansin në qershor, nuk ka asnjë masë, asnjë veprim për të ecur përpara. Përkundrazi, që nga mbledhja e fundit e Këshillit Evropian, Shqipëria ka bërë vetëm hapa prapa, ka bërë regres. Lidhja e politikës me krimin është pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Provat e mbrëmshme janë tronditëse. Prokurorja e kapur politike, shërbëtorja e Edi Ramës, me një të rënë të lapsit, ka lënë pa prokuror të çështjes, çështjen e Saimir Tahirit dhe çështjen e Emiliano Shullazit. Siç kemi paralajmëruar, roli i saj është të shkatërrojë hetimet kryesore të politikanëve të lidhur me krimin dhe të banditëve të lidhur me politikën.

 

Prokuroria sot është në mbrojtje të Saimir Tahirit, është në mbrojtje të Fatmir Xhafës, është në mbrojtje të Jurges Çyrbjes, është bërë gati lirimi i Shullazit, mikut të Tahirit dhe mikut të mikut të Ramës, është liruar Ermal Hoxha, i dënuar në rastin e kokainës së Xibrakës, për sjellje të mirë, sepse nuk nxori emrin e Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, si një nga personat e përfshirë në fabrikën e kokainës në Xibrakë.

 

Krimi ka marrë kontrollin e qyteteve, sepse ka bekimin e kryeministrit, sepse ka bekimin e ministrit të brendshëm.

 

Paratë publike përfundojnë në kontot bankare të politikanëve të korruptuar dhe të kriminelëve të lidhur me ta përmes tenderave dhe PPP-ve, të cilat, në shumicën e rasteve përfundojnë në duart e personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë. Njerëz të dënuar në Itali, në Greqi, në SHBA, në Holandë, në Gjermani, për trafik droge, në kundërshtim me Ligjet e vendit fitojnë qindra miliona euro tendera nga qeveria e Edi Ramës.

 

Lidhja midis krimit dhe politikës, ka arritur në pikën më të paimagjinueshme pastrimi i parave të pista të krimit: ka kapur Parlamentin e Shqipërisë. 4 vjet më parë problemi ishte kanabisi, tani problemi është kanabisi, kokaina, heroina dhe pastrimi i parave të pista. Ku i pastrojnë paratë e pista kriminelët? Me bixhoz, me ndërtim.

 

Shikoni çfarë aktesh ka miratuar parlamenti shqiptar në dy të enjte radhazi. Javën e kaluar uli taksat për bixhozin, dhe dje kaloi një ligj për të vjedhur me ligj pronën publike, për të shkatërruar Teatrin Kombëtar, që të pastrojë paratë e drogës dhe të fitojë 200 milionë euro me 7 kullat që duan të ndërtojnë tek Teatri Kombëtar.

 

E kuptoni pra, Parlamenti i Shqipërisë nuk merret më me hallet dhe problemet e shqiptarëve, të cilat vetëm sa vijnë e shtohen, ka vetëm një preokupim, të pastrojë paratë e pista të drogës e të krimit. Pse? Sepse ky është shqetësimi kryesor i Edi Ramës. Parlamenti i Shqipërisë, brenda dy javësh, ka ndërmarrë vetëm dy hapa, bixhozit i uli taksat dhe legjitimoi me ligj vjedhjen dhe grabitjen e tokës publike, prapë për t’i hapur rrugë pastrimit të parave të pista, përmes industrisë korruptive të ndërtimit.

 

Nuk ka asnjë fizibilitet ekonomik, bankat nuk po i kreditojnë, Banka e Shqipërisë shprehet se këto po financohen me mjete alternative, janë paratë e drogës.

 

A ka definicion më të qartë të kapjes së shtetit, sesa kur vetë Kuvendi i Shqipërisë, tashmë jo kryeministri, por Kuvendi, hallka e fundit shtetërore, që duhet të mbajë përgjegjëse ekzekutivin, kthehet në trupën që legjitimon pastrimin e parave. Ul taksat për bixhozin dhe vjedh pronën publike. Ky është roli i parlamentit, ky është roli i një mazhorance të dalë nga një proces zgjedhor ku sipas studimeve të financuara nga Bashkimi Evropian 20 % e shqiptarëve pranuan shitblerjen e votës. 20 % pranuan, natyrisht përqindja është shumë më e madhe. 20 % e pranuan shitblerjen e votës!

 

Kjo është gjendja. Prandaj, duke mbështetur atë që tha Doris, askush nuk ka nevojë në këtë vend, jam i sigurt edhe në vendet e tjera të rajonit, dhe askush nuk i merr seriozisht më, ata të cilët janë bashkëpërgjegjës për këtë situatë, ata që kanë lejuar Edi Ramën dhe autokratë të tjerë të korruptuar të Ballkanit, që të përqendrojnë të gjithë pushtetet në një dorë, pushtetin ekzekutiv, pushtetin legjislativ, drejtësinë – siç është rasti në Shqipëri – të kapin mediat, të kapin bizneset, për hir të stabilokracisë, perceptimit se këta autokratë të korruptuar të paktën sigurojnë stabilitet në vendet e tyre.

 

Mbështetësit e kësaj linje në Komisionin Europian dhe në disa vende europiane, duhet ta kuptojnë se kjo përqasje ka dështuar dhe të korrigjojnë kursin e tyre një orë e më parë, ndryshe kredibiliteti i tyre në rënie do të vazhdojë të bjerë.

 

Askush nuk i ha më frazat për thellim dhe intensifikim të reformave, kur nuk ka më institucione të pavarura dhe procese politike. Sepse institucionet i ka kapur krimi. Europa nuk do tëna pranojë kurrë sa kohë të kemi kryeministra, ministra apo parlamentarë të lidhur me krimin.

 

Atëherë le tu bëjmë thirrje atyre që flasin në emër të Europës mos të na gënjejnë më, mos të flasin me patate në gojë, por ta thonë qartë: Europa nuk i toleron politikanët e lidhur me krimin dhe vendet, që qeverisen nga politikanë të lidhur me krimin, nuk kanë për të ecur përpara.

 

E kanë thënë qartë drejtues të politikës gjermane, por është koha ta thonë të gjithë!

 

Sa për opozitën shqiptare, ne jemi të qartë. Kushti kryesor për të kthyer procesin politik në vend është largimi i politikanëve të lidhur me krimin dhe për këtë ne kemi propozuar vetingun e politikanëve. Ashtu si me dekriminalizimin katër vjet më parë, e mbani mend besoj apo jo, Doris dhe Patrik, rruga do jetë e vështirë. Nisi me skepticizëm. U detyruam të bëjmë bojkot për gjashtë muaj me radhë për të thërrmuar propagandën qeveritare. Por në fund, dekriminalizimi nxori nga Parlamenti dhe nga institucionet e larta të vendit 333 persona me rekorde kriminale. Trafikantë droge, përdhunues, vrasës që ishin deputetë, kryetarë bashkish dhe zyrtarë të lartë të shtetit që nuk janë më dhe nuk do të hyjnë më në institucione.

Por, marrëdhënia midis politikës dhe krimit është transformuar. Nuk kemi më trafikantin por kemi shokun e trafikantit, nuk kemi më anëtarë të bandave të Emiliano Shullazit, Lul Berishës me shokë. por kemi Jurgis Çyrben, përfaqësuesin e tyre në Kuvend dhe në institucione të tjera të vendit, siç e tregojnë përgjimet e Prokurorisë.

 

Nuk kemi më Arben Ndokën, Armando Prengën, Mark Frrokun me shokë, por kemi politikanë karriere të lidhur direkt me krimin e organizuar.

 

Kemi kaluar nga një Ministër i Brendshëm që e bënte drogën me kushërinjtë, tek një Ministër i Brendshëm me vëllain trafikant droge.

 

Kemi Taulant Ballën e “Toyota Yaris” që nuk e ka për turp të pranojë se është shoku I një të dënuari me 21 vjet në Itali për trafik droge dhe që falë shoqërisë së tij, ka përfituar 14 milionë euro tendera publikë, dhjetëra licenca. Është kthyer dhe transformuar në një biznesmen të madh e të suksesshëm falë lidhjeve politikë.

 

Transformimi i marrëdhënies midis krimit dhe politikës, ka ardhur me një kosto më të rënduar për qytetarët shqiptarë.

 

Deri dy vjet përpara, shqetësimi ynë kryesor si opozitë edhe para partnerëve ndërkombëtarë, ishte impakti që krimi i organizuar ka sjellë për keqqeverisjen e vendit dhe për demokracinë.

 

Sot impakti është akoma më dramatik!

 

Tani kontrollin e ka krimi. Në Shkodër, në Vlorë, në Durrës, në Elbasan, kudo në Shqipëri krimi kontrollon qytetet, lagjet e qyteteve. Policia është strukur, bën shfaqje 12 orëshe dhe struket prapë. Është krimi pra që kontrollon territorin dhe ekonominë, qeveria nuk e ka më kontrollin e territorit dhe të ekonomisë.

 

Ja pra ku ka rënë edhe fabula e famshme se autokratët ballkanikë sigurojnë stabilitet. Shqipëria po destabilizohet nga krimi. Dhe autokratët e korruptuar jo vetëm destabilizojnë vendet e tyre por po rikthejnë skemat destabilizuese për rajonin.

 

Propozimi për shkëmbimin e territoreve, është legjitimim i aventurierëve dhe legjitimim i 5 bandave të krimit të organizuar në veri dhe në jug të lumit Ibër. Në qoftë se ka vullnet politik për të çmontuar këto pesë banda të krimit të organizuar në jug dhe në veri të lumit Ibër, atëherë edhe alibia fundit për mosfunksionimin e territorit të Kosovës bie.

 

Vettingu në politikë është zgjidhja që kemi propozuar. Jemi të vendosur për ta realizuar dhe bashkë me të shumë shpejt do të bëjmë publike edhe nismën ligjore për PPP-të, koncesionet dhe tenderat korruptivë, për konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme dhe çlirimin e ekonomisë nga paratë e krimit dhe të drogës.

 

Jam shpresëplotë se herën tjetër, kur përfaqësuesit dhe përfaqësueset e nderuara të organizatave politike të grave të Ballkanit të mblidhen në Tiranë, ne do të kemi një realitet krejt të ndryshe për të shpalosur para jush. Dhe shpresoj që ky të shërbejë si një shembull për të forcuar vendosmërinë dhe kurajon për të zgjidhur problem të ngjashme anembanë rajonit.

 

Në këtë betejë, gratë kanë një rol kyç dhe unë jam fatlum të bashkëpunoj me gra kurajoze në Partinë Demokratike dhe mund të mbështeten në miqësinë, vendosmërinë dhe ndershmërinë e grave kurajoze europiane si Doris Pack me shoqe.

 

Ju faleminderit!