Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka marrë goditje të paprecedentë gjatë këtyre ditëve nga Arta Marku, Kryeprokurorja e Edi Ramës, që me veprime të qëllimshme dhe me paramendim, po godet, dekurajon dhe shantazhon, grupin e prokurorëve antimafia.
Transferimi i paligjshëm i 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe procedimi disiplinor për 10 prej tyre, është pjesë e një skenari të urdhëruar nga Edi Rama, për të shantazhuar prokurorët që janë në betejë të përditshme me krimin e organizuar, pushtetarët e lidhur me të dhe qeveritarët e korruptuar.
Sulmi ndaj prokurorëve të Krimive të Rënda është pjesë e marrëveshjes së Edi Ramës me krimin e organizuar, që fuqizohet çdo ditë e më shumë, falë mbështetjes nga Qeveria.
Qëllimi është që drejtësia mos të funksionojë për bandat e lidhura me pushtetin, siç nuk funksionoi për Agron Xhafën, vëllanë e Ministrit të Brendshëm, dhe si nuk ka për të funksionuar as për Saimir Tahirin.
Transferimi i njërit prej prokurorëve dhe procedimi disiplinor i një prokurorit tjetër, të dosjes së Saimir Tahirit, vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e plot 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”, është një mesazh i qartë për drejtësinë: Kush vepron ndaj bandave të lidhura me pushtetin, largohet nga detyra, ndëshkohet dhe sulmohet.
Ky është urdhri i sekuestrimit të pronave të grupit kriminal Habilaj, i firmosur nga prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët u ndëshkuan vetëm pak orë më pas nga shërbëtorja e Edi Ramës dhe e krimit të organizuar në krye të Prokurorisë.
Arta Marku është e vetëdijshme se pse është në atë pozicion në mënyrë krejtësisht të paligjshme dhe të imponuar nga Edi Rama: Që t’i mbyllë gojën asaj pjese të drejtësisë që nuk ka frikë të luftojë krimin e organizuar të lidhur me pushtetin dhe korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës!
Mekanizimi i mbylljes së gojës së drejtësisë nga Arta Marku dhe lidhja shkak-pasojë që e vërteton atë, gjendet në vendimet e Partisë Socialiste në Parlament.
I njëjti grup individësh që kartonin e deputetit e përdorën për të penguar prokurorinë që të arrestonte Saimir Tahirin, 54 ditë pas këtij akti, imponuan emërimin e paligjshëm të Arta Markut, që prokuroria të mos kërkonte më arrestimin e Saimir Tahirit dhe të dështonte hetimet ngaj tij.
Shpërbërja e grupit hetimor të dosjes së Saimir Tahirit, dhe pengimi i drejtësisë në këtë rast, janë veprime kriminale të Kryeprokurores Arta Marku dhe ajo duhet të përgjigjet përpara ligjit për këtë.
Hetimi pa vonesë për padinë penale të opozitës dhe pezullimi i Arta Markut nga detyra është shërbimi më i madh që prokurorët e ndershëm mund t’i bëjnë drejtësisë, duke mos lejuar që një kryeprokurore e përkohshme, shërbëtore e krimit të organizuar, t’i bëjë Shqipërisë një dëm të përhershëm.