• Opozita kallëzim penal kryeministrit Edi Rama, për kanosje ndaj komisar Emiljano Nuhu dhe përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën
• Vendi sot ka nevojë për paketën antimafia, për shkëputjen e krimit nga qeveria.
PRONONCIMI I PLOTË I N/KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, EDMOND SPAHO, PAS DORËZIMIT TË KALLËZIMIT PENAL NË PROKURORINË E TIRANËS
Spaho: Së bashku me z.Petrit Vasili sapo dorëzuam një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama për kanosjet që i ka bërë oficerit të policisë Emiljano Nuhu si dhe përpjekjet për të shtrembëruar të vërtetën në lidhje me ngjarjen që tashmë jeni të gjithë të njohur.
Në datën 26 shtator komisari Emiljano Nuhu në një intervistë të dhënë në “Shijak Tv” shpjegoi gjerësisht ngjarjen e ndodhur dy muaj më parë në rrethin e Krujës ku djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja përndiqte, kërcënonte, dhunonte shtetasen Xhisiela Maloku.
Ndërkohë në datën 14 shtator komisar Nuhu iu drejtua të gjitha instancave shtetërore përfshirë Kryeministrin, Kryeprokuroren dhe Presidentin e Republikës ku i informonte se ishte kërcënuar, kanosur madje me vdekje nëse do të vazhdonte hetimet dhe do të nxirrte përpara ligjit, përpara përgjegjësisë djalin e deputetit. Kanosjet i kishin ardhur nga vetë deputeti Rrahman Rraja, nga i biri i tij dhe nga familjarë të tyre.
Dëshiroj të sjell në vëmendje se edhe në fillimin e procesit penal ndaj ngjarjes, kryetari i grupit parlamentar të PS, kryetari i Bashkisë Krujës dhe deputeti Rrahman Rraja gjithashtu kishin qenë në komisariat dhe kishin kërcënuar komisarin që të tërhiqej nga këto hapa.
Paralelisht me njoftimin e të gjithë instancave shtetërore komisari Nuhu kishte bëre edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për kanosjet, kërcënimet që ai kishte marrë.
Çuditërisht pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria, pasi mbi bazën e kallëzimit të tij, Prokuroria njoftoi se kishte filluar hetimin penal si për rastin në Krujë, ashtu edhe për kërcënimet ndaj komisarit Emiljano Nuhut. Pra, kishte dy hetime të filluara ndërkohë nga Prokuroria. Dhe çuditërisht në datën 29 shtator kryeministri në një komunikim publik kërcënon komisarin Nuhu duke e quajtur horr i cili është kthyer në hero që ka penguar hetim dhe ka përdorur rastin për të marrë azil politik.
Me këtë deklarim publik kryeministri ka kërcënuar, i është kanosur komisarit në kushtet e të qenurit në detyrë shtetërore, ka ndërhyrë në detyrën e organeve hetimore, pasi Prokuroria kishte filluar paralelisht dy hetime. Dhe me deklarimet e tij kryeministri paracaktoi rezultatin e hetimit, e vendosi se si ai duhej të ishte, ku të mbrohej djali i deputetit dhe të denigrohej, të poshtërohej dhe të dënohej komisar Emiljano Nuhu. Gjithashtu ai nëpërmjet këtij deklarimi publik paralajmëroi komisarin Nuhu që të mos vazhdojë me publikimin e fakteve dhe të vërtetave të tjera që ai disponon, duke u përpjekur të pengojë hetimin dhe njëkohësisht paralajmëroi edhe oficerët e tjerë të ndershëm në rradhët e policisë të cilët në përkushtimin që kanë për kryerjen e detyrës, do të mund të nxirrnin fakte dhe të luftonin krimin e organizuar dhe mafian që ka pushtuar tërë jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. Nisur sa më sipër, nga deklarimet e kryeministrit Rama, ai ka kryer tre vepra penale, referuar Kodit të Proçedurës Penale.
- Kanosje për shkak të detyrës ndaj komisarit Emiljano Nuhu
- Ka ndërmarrë veprime për fshehjen e së vërtetës
- Kanosje për të mos kallzuar ndaj komisarit Nuhu
Veprime që dënohen me 2, 3 dhe 4 vjet burg. Për këtë arsye, Partia Demokratike, se bashku em LSI-në, në emër të qytetarëve shqiptarë, duke qenë zëdhënës të tyre, ndërmorrëm veprimin e kallximit penal ndaj kryeministri Rama, në mënyrë që të bëhemi zëdhënës të qytetarëve në luftën ndaj krimit të organizuar, lidhjen e tij me Rilindjen, me qeverinë dhe vetë z. Rama si mbështetësi dhe frymëzuesi i mafies dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Shpresojmë, insistojmë që Prokuroria të hetojë seriozisht dhe të vërë kryeministrin Rama përballë përgjegjësisë penale për ato që ai ka ndërmarrë dhe ka kryer.
Pyetje: Z. Spaho nuk keni frikë që kryeministri Edi Rama ju padit edhe ju si opozitë për shpifje? Ai ka paralajmëruar për përegatitjen e një pakete antishpifje për të gjithë ata persona që shpifin ndaj qeverisë dhe maxhorancës.
Spaho: Vendi sot nuk ka nevojë për paketa të cilat synojnë t’i mbyllin gojën të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të denoncojnë mafian dhe lidhjen e krimit të organizuar me këtë qeverisje. Vendi ka nevojë ka nevojë për paketën anti-krim, për paketën anti-mafia e cila i pret lidhjet mirë e mirë të krimit të organizuar me politikë dhe do të bëjë të mundur që Shqipëria të hyjë në rrugën europiane ashtu si të gjitha vendet. Prandaj thirrja është që të votohet paketa që ka propozuar opozita për të luftuar krimin e organizuar kudo ku ai është shtrirë në vendin tonë.
Pyetje: Komisar Nuhu ende nuk ka paraqitur asnjë provë mgjse ai pretendon se ai ka prova që z.Balla, Z.Bushi dhe anëtarë të fisit Rraja kanë qenë në komisariat.
Spaho: Nqse ju mendoni se nuk është paraqitur asnjë provë deri tani, ky është perceptimi juaj, por deri tani janë paraqitur të gjitha provat, faktet, dëshmitarët në lidhje me ç’ka ndodhur para dy muajsh në Krujë me Xhisiela Malokun dhe ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore. Sikurse e dini ju, ajo ka bërë tre kallxime penale në Polici dhe asnjë denoncim nuk është marrë përsipër, nuk është administruar nga policia, përkundrazi, është lënë nën mëshirën e fatit.
Mos më lini të komentoj më tepër në lidhje me deklarimet e saj në media, pas fillimit të hetimit penal.
Pyetje: Një ditë më parë Presidenti i Republikës deklaroi se nuk e besonte komisarin. Cili është komenti juaj mqse PD ka një mbështetje të plotë ndaj tij?
Spaho: Presidenti i Republikës nuk deklaroi se nuk e beson, por tha nuk besoja që mund të ndodhnin ngjarje të tilla dhe ka ngarkuar një nga këshilltarët e tij së bashku me ekipin që ka në Presidencë që të hetojë dhe do të prononcohet pasi të jetë i informuar për të gjithë ngjarjen. Pasi Presidenti nuk ka qenë këtu, ka qenë jashtë.